Edi Rama fton në dialog para protestës kombëtare, akuzon për përpjekje destabilizimi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë thirrje për dialog në prag të protestës kombëtare të paralajmëruar nga studentët, pedagogët dhe përfaqësues të bizneseve. Në një dalje të jashtëzakonshme për mediat, të shtunën në mëngjes, ai i cilësoi trazirat e fundit si përpjekje për të cenuar stabilitetin e vendit, ndërsa pranoi se shqetësimet e qytetarëve kërkojnë zgjidhje. I shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Ervin Demo, Rama pretendoi se pas zhvillimeve të fundit mund të qëndrojnë struktura të krimit të organizuar dhe aktorë të jashtëm. Ai kritikoi gjithashtu disa televizione për mënyrën se si, sipas tij, po e pasqyrojnë dhunën dhe po e lidhin atë me studentët. “Qëllimi është shumë i qartë: destabilizim i vendit dhe devijim i rrugës sonë, duke na kthyer pas në të shkuarën”, deklaroi Rama. Kryeministri përmendi edhe lëvizjen ANTIFA, duke pretenduar se zhvillime të ngjashme po shfaqen në Shqipëri, Itali dhe Francë. Sipas tij, autoritetet shqiptare po mbajnë kontakte me dy vendet evropiane për këtë çështje. Megjithatë, Rama pranoi se në vend ekzistojnë probleme shoqërore dhe shqetësime të ligjshme të qytetarëve. Ai theksoi se këto kërkesa duhet të trajtohen, por kundërshtoi përdorimin e dhunës si formë proteste. Në të njëjtën kohë, kreu i qeverisë bëri një hap publik drejt dialogut. Përmes një videoje të publikuar në Facebook, ai shfaqi një tavolinë të vendosur para Kryeministrisë, mbi të cilën ndodheshin letra me mbishkrimin “dialog”. Thirrja e Ramës vjen pak orë para protestës kombëtare, në një klimë tensionesh mes qeverisë dhe grupeve që kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në të.

Kontrolloni gjithashtu

Rrustem Mustafa: Ligji për Specialen e përmbushi efektin politik, tani nevojitet angazhim diplomatik e juridik

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa, ka kërkuar unitet politik dhe bashkërendim institucional …