Analisti politik Fitim Selimi ka reaguar ndaj deklaratës së Glauk Konjufcës për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, duke e kritikuar për mënyrën se si e ka vlerësuar figurën e tij dhe për përdorimin e një termi që, sipas tij, nuk e shpreh saktë kritikën që synohet të bëhet. Në një reagim publik, Selimi ka thënë se Konjufca po gabon në dy drejtime: në vlerësimin e figurës së Thaçit dhe në formulimin gjuhësor të këtij vlerësimi. Duke u ndalur te përdorimi i fjalës “i palexueshëm” për një person, analisti ka sqaruar se ky term, në kuptimin figurativ, nuk nënkupton mungesë dijesh apo nivel të ulët intelektual, por vështirësi për të kuptuar mendimet, qëllimet dhe veprimet e dikujt. Sipas Selimit, nëse qëllimi i Konjufcës ka qenë të vërë në dyshim dijet dhe aftësitë intelektuale të Thaçit, atëherë zgjedhja e kësaj fjale nuk e përcjell saktë mesazhin e synuar. Ai ka kritikuar gjithashtu mënyrën e trajtimit të figurave politike dhe historike, duke vlerësuar se një debat i tillë kërkon kujdes si në përmbajtjen e gjykimit, ashtu edhe në përdorimin e gjuhës shqipe. “Është paradoksale të pretendosh ta zhvlerësosh intelektualisht dikë, duke përdorur një fjalë që nuk e shpreh atë që synon të thuash!”, ka shkruar Selimi. Në përfundim të reagimit, analisti politik i është drejtuar drejtpërdrejt Konjufcës, duke shprehur pakënaqësinë e tij me mënyrën e formulimit të deklaratës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
