Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës të ndërmarrë hapa konkretë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke theksuar se zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë mbetet pjesë e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Në një deklaratë për zhvillimet politike në Kosovë, Rudolph ka thënë se Prishtina duhet të tregojë angazhim të qartë për zbatimin e marrëveshjeve, përfshirë krijimin e një forme të vetorganizimit për komunitetin serb. “Ka edhe hapa të veçantë që mund të ndërmerren nga ana e Kosovës, për shembull, zbatimi i marrëveshjes për krijimin e një forme të vetorganizimit për pakicën serbe. Se si do të realizohet kjo, do ta shohim, por padyshim që ka shumë punë për t’u bërë nga të dyja vendet”, ka deklaruar ambasadori gjerman. Rudolph ka vlerësuar se konstituimi i institucioneve dhe formimi i një qeverie me mandat të plotë krijojnë kushtet për përparimin e Kosovës, por ka theksuar se vendi duhet të dëshmojë rezultate konkrete, veçanërisht në procesin e integrimit evropian. Ai ka përmendur si një nga prioritetet miratimin e legjislacionit që do të mundësonte disbursimin e fondeve të parapara për Kosovën në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian. Sipas diplomatit gjerman, procesi i përparimit të Kosovës ka qenë tepër i ngadalshëm gjatë viteve të fundit, ndërsa tani është e nevojshme që institucionet të përqendrohen në veprimet e ardhshme dhe të tregojnë vullnet politik për të ecur përpara.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
