Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdi Hoxha, ka kërkuar mobilizim të institucioneve, partive politike dhe profesionistëve për Ligjin për Dhomat e Specializuara, i cili është kthyer nga presidentja në Kuvend, duke paralajmëruar se reagimet e vonuara mund ta humbin rëndësinë e tyre në një proces kaq të ndjeshëm. Hoxha ka vlerësuar se kjo çështje nuk mund të mbetet vetëm në duart e deputetëve apo të partive politike, por kërkon përfshirjen e ekspertëve juridikë, avokatëve, mediave, shoqërisë civile dhe të gjithë atyre që mund të japin kontribut profesional. Sipas tij, propozimet dhe vërejtjet duhet të paraqiten tani, përpara se ligji të miratohet, dhe jo pasi vendimet të jenë marrë. “Idetë duhet të paraqiten tani, jo pasi të miratohet ligji. Të mos krijojmë huti për një temë kaq të ndjeshme”, ka shkruar Hoxha. Ish-deputeti ka kërkuar edhe konsultime me Bashkimin Evropian, por ka theksuar se përfshirja e partnerëve ndërkombëtarë nuk duhet të shërbejë si arsye për t’iu shmangur përgjegjësisë vendore. Ai ka insistuar se përgjegjësia për këtë proces është e përbashkët dhe se institucionet e Kosovës duhet të veprojnë me seriozitet, duke shfrytëzuar njohuritë dhe përvojën e profesionistëve. Në qendër të këtij angazhimi, Hoxha ka vendosur kërkesën që ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës t’u garantohet një proces gjyqësor i drejtë, i bazuar në fakte dhe prova të besueshme. “Duhet të bëjmë gjithçka që çlirimtarët të kenë një gjykim të drejtë, të mbështetur në fakte dhe prova të besueshme, e jo në pretendime të orkestruara nga strukturat e UDB-së”, ka deklaruar ai. Në fund, Hoxha ka ritheksuar se mbrojtja e drejtësisë për ish-pjesëtarët e UÇK-së kërkon më shumë se deklarata publike, duke bërë thirrje për veprime konkrete dhe angazhim profesional në kohën kur ligji është rikthyer për shqyrtim në Kuvend. “Drejtësia për çlirimtarët mbrohet me dije, guxim dhe veprime konkrete”, ka përfunduar Hoxha.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
