Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur si të palejuar ankesën e Blerim Isufajt kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për largimin e tij nga pozita udhëheqëse e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale. Supremja ka vlerësuar se ankesa nuk i plotëson kushtet ligjore për t’u shqyrtuar në kuadër të kompetencës së saj të veçantë për çështjet disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas gjykatës, largimi nga një pozitë udhëheqëse nuk nënkupton automatikisht se vendimi ka karakter disiplinor. Në rastin e Isufajt, vendimi i KPK-së është cilësuar si akt individual administrativ, pasi ndaj tij nuk ishte konstatuar përgjegjësi disiplinore. Supremja ka bërë të ditur se ligjshmëria e vendimit të KPK-së mund të kundërshtohet përmes konfliktit administrativ para gjykatës kompetente. Vendimi i Supremes nuk e trajton ligjshmërinë e largimit në themel, por vetëm përcakton se ankesa e Isufajt nuk mund të shqyrtohet në këtë procedurë të veçantë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
