Derisa vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor po avancojnë në procesin e integrimit evropian, Kosova rrezikon të thellojë izolimin politik dhe ekonomik, me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët dhe perspektivën e saj zhvillimore. Ngecja në procesin e anëtarësimit, mungesa e rezultateve në dialogun me Serbinë dhe pamundësia për të kapërcyer pengesat politike në Bruksel po e lënë vendin gjithnjë e më prapa fqinjëve të tij. Bashkimi Evropian, pas një periudhe 13-vjeçare pa zgjerim që nga anëtarësimi i Kroacisë në vitin 2013, ka përcaktuar qershorin e vitit 2027 si afat orientues për nënshkrimin e traktatit të anëtarësimit me Malin e Zi. Ky zhvillim dëshmon se procesi i zgjerimit po merr një dinamikë të re, ndërsa Kosova ende nuk ka arritur të sigurojë as statusin e shtetit kandidat. Në pjesën tjetër të rajonit, Shqipëria synon t’i përfundojë negociatat për anëtarësim më 2027, ndërsa Mali i Zi është vendi më i avancuar drejt anëtarësimit. Serbia ka negociata të ngecura, Maqedonia e Veriut vazhdon të përballet me bllokimin për shkak të ndryshimeve kushtetuese, ndërsa Bosnjë-Hercegovina ka marrë miratimin për hapjen e negociatave, por ende nuk i ka nisur ato. Kai-Olaf Lang nga Instituti Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë paralajmëron se përparimi i vendeve fqinje, ndërsa Kosova mbetet prapa, mund të krijojë pabarazi të mëtejshme politike dhe ekonomike në rajon. Sipas tij, vendet që afrohen me Bashkimin Evropian ose bëhen pjesë e tij do të kenë më shumë ndikim në politikat evropiane për Ballkanin Perëndimor. Njëkohësisht, investimet e huaja mund të orientohen drejt këtyre shteteve, pasi kompanitë mund t’i konsiderojnë kushtet e biznesit dhe lidhjet me BE-në si garanci më të favorshme për investimet. Për Kosovën, rreziku nuk qëndron vetëm në vonesën e anëtarësimit, por edhe në humbjen graduale të mundësive politike, ekonomike dhe investuese, ndërsa fqinjët e saj avancojnë drejt strukturave evropiane.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
