Kosova po përballet me një ngecje të thellë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, pasi gati katër vjet pas dorëzimit të aplikimit për anëtarësim, kërkesa e saj ende nuk është përcjellë në Komisionin Evropian për vlerësim. Ndërkohë që Mali i Zi po përgatitet për hapa konkretë drejt anëtarësimit, Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor pa statusin e shtetit kandidat. Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian u dorëzua në dhjetor të vitit 2022, gjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së. Në atë kohë, kryeministri Albin Kurti e cilësoi këtë moment si historik dhe shprehu bindjen se përmes angazhimit dhe reformave do të zbuteshin edhe qëndrimet skeptike ndaj Kosovës në mesin e shteteve anëtare. Megjithatë, që nga ajo kohë, në krye të Këshillit të BE-së janë ndërruar tetë presidenca, nga Suedia dhe Spanja deri te Irlanda, e cila aktualisht ushtron këtë përgjegjësi, por asnjëra nuk ka arritur ta çojë aplikimin e Kosovës në Komisionin Evropian për vlerësim. Për këtë hap nevojitet një kërkesë nga Këshilli i BE-së, ku përfaqësohen shtetet anëtare. Radio Evropa e Lirë ka kërkuar nga presidenca irlandeze të sqarojë nëse do të ndërmarrë hapa për avancimin e aplikimit të Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje. Më 4 nëntor, gjatë pranimit të raportit të sivjetmë të Komisionit Evropian për Kosovën, kryeministri Kurti përsëriti se vendi meriton statusin e shtetit kandidat dhe nisjen e negociatave për anëtarësim. Ai tha se Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa këtë status dhe se, pavarësisht përkrahjes politike të Komisionit Evropian për nisjen e procesit teknik, ende nuk ka lëvizje nga shtetet anëtare për t’i dhënë Komisionit mandatin e nevojshëm. Por, përtej deklarimeve politike, raporti i Komisionit Evropian evidenton edhe mangësi në procesin e reformave, përfshirë mungesën e përparimit në gjyqësor, përparimin e kufizuar në luftën kundër korrupsionit dhe zbatimin e kufizuar të marrëveshjeve me Serbinë. Kriza e gjatë institucionale ka ndikuar gjithashtu në ngadalësimin e reformave evropiane.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
