Deklarata e ish-prokurorit të Tribunalit të Hagës, Sir Geoffrey Nice, se Kosova ishte detyruar ta pranonte Gjykatën Speciale, ndërsa statuti i saj ishte hartuar në Bruksel dhe Uashington, rikthen në vëmendje një nga proceset më të debatueshme politike dhe juridike në historinë e pasluftës së Kosovës.
Në një intervistë me ish-ministrin e Jashtëm, Petrit Selimi, në platformën “The Balkan Bubble”, Nice ka zbuluar se negociatat për themelimin e kësaj gjykate nuk kishin përfunduar me një marrëveshje të mirëfilltë ndërmjet palës kosovare dhe partnerëve ndërkombëtarë. Sipas tij, pasi përfaqësuesit e Kosovës kundërshtuan disa propozime, procesi i negociatave praktikisht kishte marrë fund, ndërsa statuti ishte përgatitur në Bruksel dhe Uashington dhe më pas i ishte dorëzuar Prishtinës.
Këto deklarata ngrenë pikëpyetje serioze për hapësirën reale që kishte Kosova në përcaktimin e mekanizmit gjyqësor që do të gjykonte ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nëse statuti ishte hartuar jashtë institucioneve të Kosovës dhe më pas i ishte paraqitur Prishtinës për pranim, atëherë mbetet e diskutueshme se sa ishte ky proces rezultat i një vendimmarrjeje sovrane dhe sa i një presioni ndërkombëtar.
Nice ka bërë të ditur se ish-presidenti Hashim Thaçi kishte kërkuar garanci më të forta procedurale për të akuzuarit, përfshirë mbikëqyrjen gjyqësore të procesit të dorëzimit të materialeve nga Prokuroria te mbrojtja, veçanërisht të atyre që mund të shërbenin në favor të të akuzuarve.
Duke folur për aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ish-prokurori ka theksuar se nuk i ka dëgjuar provat e paraqitura gjatë gjykimit dhe se vlerësimi i tyre u takon gjyqtarëve të Apelit. Ai ka rikujtuar se katër të akuzuarit janë liruar nga akuzat për krime kundër njerëzimit, ndërsa dënimet lidhen me krime lufte.
Një çështje tjetër që Nice kërkon të shqyrtohet në Apel është vetë mënyra e themelimit të Dhomave të Specializuara dhe përmbushja e standardeve të pavarësisë e paanshmërisë. Ai ka ngritur gjithashtu nevojën që të shqyrtohet përshkrimi i UÇK-së si organizatë me strukturë të centralizuar, duke e krahasuar atë me gjetjet e Tribunalit të Hagës në proceset e mëparshme.
Deklaratat e Nice nuk janë thjesht një rikthim te historia e themelimit të Speciales. Ato prekin drejtpërdrejt çështjen e përgjegjësisë politike dhe institucionale për mënyrën se si Kosova u përfshi në këtë proces, si dhe garancitë që iu ofruan përfaqësuesve të saj. Për një gjykatë që pretendon të përmbushë standardet më të larta të drejtësisë, edhe rrethanat e themelimit dhe besueshmëria e mekanizmit të saj duhet të jenë objekt i një shqyrtimi të plotë dhe transparent.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
