Kryeministri Mustafa vuri gurthemelin e Qendrës së Kulturës në Kastriot

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vuri gurthemelin e Qendrës së Kulturës në Kastriot, e cila do të mbajë emrin e Heroit të Kombit, Xhavit Haziri.

Në këtë ceremoni, ku ishin të pranishëm edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi dhe shumë personalitete dhe qytetarë të Kastriotit, kryeministri Mustafa tha se kjo Komunë që moti e ka merituar ta ketë një shtëpi të kulturës, të ketë objekte të kulturës dhe objekte të tjera, të cilat i meriton si një qytet i afërt me Prishtinën.

“I gëzohem kësaj, sepse e di në çfarë gjendje ka qenë shtëpia e mëparshme e kulturës. Edhe të rinjtë edhe qytetarët e Kastriotit meritojnë të kenë ambiente më të mira kulturore, prandaj përgëzoj kryetarin e Komunës për këtë investim të rëndësishëm që po bëhet këtu dhe Ministrinë e Kulturës bashkërisht”, tha kryeministri Mustafa.

Më tej, kryeministri Mustafa përgëzoi qytetarët edhe për Ligjin për Kastriotin të miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës si një ligj tepër i rëndësishëm për këtë komunë, i cili do t’i mundësojë komunës që të ketë burime zhvillimore, dhe trajtim shumë më të mirë të ambientit edhe të investimeve e të infrastrukturës.

Kryetari i Komunës së Kastriotit, Xhafer Gashi, tha se ndërtimi i Qendrës së Kulturës është një ëndërr e kamotshme e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova dhe kërkesë e gjithë qytetarëve të cilët merren me artin, kulturën, ëndërr kjo që, sipas Gashit, shumë shpejt do të bëhet realitet.

Me këtë rast, kryetari i Kastriotit falënderoi kryeministrin Mustafa dhe ministrin Shala që me përkushtim e trajtuan kërkesën për fillimin e ndërtimit të Qendrës së Kulturës.

“Më kujtohet kur erdhi në vizitën e parë ministri dhe ndër kërkesat që diskutuam bashkërisht, ne shprehëm shqetësimin për Shtëpinë e Kulturës dhe gjendjen e saj. Me kërkesën e tij ne e vizituam Shtëpinë e Kulturës dhe vetë ministri tha se me të vërtet paska nevojë të ndërtohet një Shtëpi e Kulturës”, tha kryetari Gashi, duke falënderuar ministrin që ky përkushtim i tij tashmë po bëhet realitet.

Kontrolloni gjithashtu

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës së Rahovecit 

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës …