Në Rahovec investohen rreth 1.3 milion euro në projekte infrastrukturore sportive

Në kuadër të investimeve kapitale në fushën e sportit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka nënshkruar tri memorandume të bashkëpunimit me Komunën e Rahovecit. Këto tri projekte arrijnë vlerën e gati 1.3 milion euro.

Memorandumet kanë për qëllim mbështetjen financiare për realizimin e projekteve “Ndërtimi i Palestrës së Sportit në Krushë të Madhe” në vlerë prej 800 mijë euro i cili do të realizohet gjatë vitit 2017-2019, për realizimin e projektit “Rregullimi i Stadiumit të Futbollit në Ratkoc” në vlerë prej 320 mijë euro që do të përfundojë deri në vitin 2019 në tri faza dhe “Renovimi i stadiumit të futbollit në Rahovec” në vlerë prej 150 mijë euro, i cili parashihet të realizohen këtë vit.

Ministri Kujtim Shala, tha se kjo përkrahje financiare për realizimin e projekteve të ndryshme kapitale bëhet me qëllim të përmbushjes së politikave të planifikuara të Qeverisë, në fushën e sportit.

Investimet e MKRS-së në infrastrukturë kanë për synim krijimin dhe përmirësimin e kushteve për të rinj dhe sportistë. Projektet që u nënshkruan të hënën, do të shërbejnë në të mirë të qytetarëve të Rahovecit me qëllim të ngritjes së cilësisë dhe plotësimit të kushteve për realizimin e aktiviteteve sportive, u shpreh ministri Shala.

Ndërkaq, kryetari i Rahovecit, Idriz Vehapi, theksoi se ndjehet i kënaqur që këto projekte në përkrahje të sportit në komunën e Rahovecit, u nënshkruan. Ai shprehu falënderimin për Ministrin Shala dhe MKRS-në për përkrahjen e dhënë për Rahovecin. Këto projekte janë jashtëzakonisht të dobishme për banorët e sportistët e Rahovecit. Ata do të kenë hapësirat e nevojshme moderne për të kryer aktivitetet dhe për të garuar.

Kontrolloni gjithashtu

Kanë filluar konsultimet publike për Planin Zhvillimor Komunal të Ferizajt

Në kuadër të hartimit të Planit Zhvillimor të Komunës (PZHK), Komuna e Ferizajt ka filluar …