Republika e Kosovës ka strategji 10 vjeçare për trashëgiminë kulturore të saj

Strategjia Kombëtare për Trashëgimi Kulturore 2017 – 2027, e miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar, është dokumenti kryesor i vizionit e misionit të Kosovës në mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e gjithë trashëgimisë kulturore të saj.

Republika e Kosovës ka një trashëgimi të larmishme kulturore që nga koha e Vinçës, Dardanisë antike e deri te ato të shekullit 21. Trashëgimia kulturore e Kosovës është vlerë trashëgimore e Kosovës, e popullit të saj, që shpreh të kaluarën dhe shtresimet kulturore të Kosovës.

Strategjia do të jetë dokumenti themelor për përmbushjen e obligimeve ligjore por edhe mundësi e mirë që trashëgimia kulturore të identifikohet, njihet e prezantohet për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe për mbarë botën. Strategjia identifikon synimet, qëllimet dhe aktivitetet konkrete që duhet të ndërmerren nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe është e para strategji afatgjate për trashëgiminë kulturore.

Kjo strategji është busulla kryesore e orientimit të politikave kulturore të trashëgimisë kulturore të Kosovës në dhjetëvjeçarin e ardhshëm. Shpresojmë që ajo të jetë edhe inspirim për qytetarët e Kosovës dhe gjithë të tjerët që ta mbrojnë e ruajnë trashëgiminë kulturore të Kosovës sepse ajo i përket jo vetëm popullit të Kosovës por edhe njerëzimit mbarë. Strategjia ka edhe një Plan Veprimi me objektiva, aktivitete e indikatorë të përcaktuar qartë.

Për hartimin e kësaj strategjie janë konsultuar një grup i madh profesionistësh nga fusha e trashëgimisë brenda institucioneve shtetërore dhe publike dhe profesionistë nga shoqëria civile, fusha akademike, institucionet religjioze dhe profesionistë ndërkombëtare.

Kontrolloni gjithashtu

Nesër më 23 tetor promovohet libri “Në emër të gjakut” të autorit Ahmet Prençi

Komuna e Deçanit nën përkujdesjen e kryetarit, z. Bashkim Ramosaj ju fton të merrni pjesë …