Në vigjilje të shënimit të nëntë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në Malishevë, krahas organizimeve të komunës, janë organizuar një varg aktivitetesh, sidomos në institucionet shkollore. Në mesin e këtyre aktiviteteve, edhe fëmijët e çerdhes në Malishevë, ka vizituar komunën, ku janë pritur nga Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.
Fëmijët, me këtë rast, kishin sjellë punime të bëra në çerdhe, e të cilat i kushtohen 17 Shkurtit, Ditës së Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, si dhe kanë recituar vjersha. “Kjo është vizita më e veçantë për mua dhe unë ju falënderoj për këtë aktivitet dhe jam shumë i kënaqur me aktivitetin tuaj”, tha kryetari Begaj.
Po ashtu, edhe shkolla “17 Shkurti” në Banjë dhe “Kajtaz Ramadani” në Kijevë, i kanë shënuar ditët e shkollave të tyre. Në këto aktivitete, kanë marrë pjesë edhe kryetari Begaj dhe drejtori i arsimit, Avdi Morina, të cilët i kanë përshëndetur dhe uruar këto shkolla.
Nga ana tjetër, organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, janë duke u mbajtur aktivitetet sportive, të cilat pritet të përfundojnë nesër.
Gjatë ditës së nesërme, në Malishevë, do të zhvillohen aktivitetet tjera, si mbledhja solemne e Kuvendit të Komunës së Malishevës, pastaj nderime dhe homazhe, koncerti tradicional dhe finalja ne turnirin e futsallit.