Më 24 qershor në orën 17.00 mbahet Akademi në 85-vjetorin e lindjes së profesor dr. Rexhep Qoses

Rexhep Qosja: kryeministri Mustafa reagoi kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë njësoj sikur Vuçiçi

Akademiku, Rexhep Qosja ka deklaruar se kryeministri i vendit, Isa  Mustafa ka reaguar njësoj siç reagoi Aleksandër Vuçiç lidhur me idenë e Edi Ramës e Hashim Thaçit  bashkimit të shqiptarëve. “Do të isha më i lumtur sikur Edi Rama dhe Hashim Thaçi të kishin deklaruar se Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen, jo vetëm në qoftë se stërzgjatet integrimi i tyre në Bashkimin Evropian, por edhe në qoftë se integrohen në këtë Bashkim. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më 18 prill deklaroi: në qoftë se Bashkimi Evropian vazhdon të tregojë mënjanëri për kohë të pacaktuar ndaj pranimit të shteteve të Evropës juglindore, prandaj edhe të Shqipërisë, në përbërjen e saj, atëherë është e kuptueshme që Shqipëria të bashkohet me Kosovën. Një ditë më vonë, më 19 prill, Hashim Thaçi e përkrahu deklaratën e Edi Ramës duke thënë se mospranimi i Shqipërisë dhe Kosovës në Bashkimin Evropian do të bëjë që shqiptarët të jetojnë në një hapësirë të përbashkët, e kjo do të thotë që Shqipëria dhe Kosova të bashkohen. Kryeministri i Kosovës e quajti të nevojshme që menjëherë t’u përgjigjet edhe Edi Ramës edhe Hashim Thaçit duke thënë: deklarata e Kryeministrit të Shqipërisë ishte një deklaratë populiste! Kosova mund të bashkohet vetëm me Bashkimin Evropian, njëjtë sikur kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Të njëjtën ditë kur kryeministri i Kosovës deklaroi siç deklaroi, zëdhënësi i mbi përkushtuar i kryetarit të posa zgjedhur të Serbisë dhe njëkohësisht kryeministër i Serbisë, Aleksandër Vuçiçit, Aleksandër Vulin, iu përgjigj Edi Ramës dhe rrjedhimisht Hashim Thaçit duke thënë: Edi Rama po rrezikon paqen në rajon! Shqipëria dhe Kosova mund të bashkohen vetëm me luftë (me Serbinë)! Me këtë deklaratë të zëdhënësit të tij të mbipërkushtuar, kryetari dhe kryeministri i Serbisë Vuçiç e ka thënë shkoqur se: Kosova, me gjuhën e tij e quajtur, Kosova dhe Metohija, është pjesë e Serbisë, nën sovranitetin serb, prandaj po u provua bashkimi i saj me Shqipërinë Serbia do të bëjë luftë! Ndonjë ditë më vonë deklaratën e Aleksandër Vulinit, në të vërtetë të Aleksandër Vuçiçit, e fuqizoi edhe ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç!

Kjo deklaratë luftarake, pushtuese, me traditë më shumë se njëshekullore, e Serbisë ndaj Kosovës, nuk mori përgjigje prej institucioneve shtetërore të Kosovës! E si të marrë përgjigje! Si të marrë përgjigjë kur në institucionet më të larta të Kosovës kemi edhe zyrtarë, në politikën dhe në ideologjinë e të cilëve ende është e përmbajtur ideologjia e Serbisë dhe e Jugosllavisë ndaj Shqipërisë, prandaj edhe ndaj çdo ideje të bashkimit të saj me Kosovën! Këtyre njerëzve u duhet kohë jo për t’u çliruar prej sentimentalizmit jugosllavist po prej politikës dhe ideologjisë kundër-shqipëri të Serbisë dhe Jugosllavisë.

 

Kontrolloni gjithashtu

Nënsekretarja amerikane të Shtetit, Elizabeth Allen po qëndron në vendin tonë

Nënsekretarja amerikane të Shtetit, për Diplomacinë Publike, Elizabeth Allen po qëndron në vendin tonë. Gjatë …