Pavarësisht se Spanja zyrtare ka injoruar dhe injoron pavarësinë e Kosovës, pavarësisht se autoritetet në Kosovë e Shqipëri nuk përkrahin pavarësinë e Katalunjës, për shkaqe vasaliteti ndaj BE-së, lufta heroike e UÇK-së dhe pavarësia e Kosovës kanë qenë dhe po mbeten burim frymëzimi për popujt e shtypur të Evropës.
Sesa pro serbe dhe anti shqiptare është politika dhe diplomacia spanjolle e kemi provuar jo vetëm më larg se dy ditë më parë. Me rastin vizitës së autoriteteve të NATO-s në selinë e KFOR-it, më 26 tetor 2017, në Prishtinë kryeministri, Ramush Haradinaj nuk ka pranuar të marrë pjesë në një takim, pasi nuk ka pranuar kushtet e vendosura nga ambasadori spanjoll në delegacionin e NATO-s, që Haradinaj të mos prezantohej si kryeministër. Diplomati spanjoll, po ashtu, kishte kërkuar që zyrtarët e FSK-së të mos lejoheshin në takim me uniforma ushtarake. Në kohën kur Spanja po përballet me pavarësinë e Katalunjës, ambasadori spanjoll në NATO është përpjekur ta injorojë pavarësinë e Kosovës në bazën e KFOR-it, në Prishtinë. Pavarësisht vendimit injorues të Spanjës, Qeveria dhe institucionet e vendit nuk e kanë mbështetur shpalljen e pavarësisë së Katalunjës, duke nënvizuar se rasti i Katalunjës nuk ka të bëjë me rastin e Kosovës.
Populli liridashës i Kosovë që ka mbartur mbi supe peshën e rëndë të robërisë shekullore nuk mund të mos e përkrahë pavarësinë e Katalunjës, të Baskisë e të popujve të tjerë të shtypur nga politikat kolonialiste e hegjemoniste evropiane e botërore. Edhe në të kaluarën revolucionarët dhe internacionalistët shqiptarë kanë përkrahur popullin e Katalunjës dhe të Spanjës në luftë kundër regjimit më fashist dhe më mizor të kohës, të Françisko Frankos, (1937-1972) i cili kishte larë me gjak sidomos Katalunjën dhe Baskinë.
Me gjaku e tyre kanë skuqur tokat e këtij vendi, Xhemal Kada, Asim Vokshi, e shumë shqiptarë të tjerë. Kanë luftuar në radhët e çlirimtarëve edhe Emrush Myftari, Emin Agolli, Fehmi Muço, Faik Dardha, Hamdi Kolonja, Hulusi Spahiu, Ibrahim Kurani, Iljas Pashaj, Justina Shkupi, Kosta Dhimitri, Kosta Kollumbi, Mane Nishova, Mehmet Shehu, Musa Fratari, Nevruz Feimi, Petro Marko, Qamil Sherifi, Ramiz Varvarica, Sabri Lumani, Skënder Luarasi, Stevens Thanasi, Stefan Duni, Shaban Basha, Teni Konomi, Thoma Rushano, Thimio Gogozoto, Urfi Agolli, Veli Dedi, Xhafer Miraku, Xhelal Bajrami -Çami, Xhemal Kada, Omer Puka, Zef Hoti, Zef Prela, Zihni Murati, Niko Plaku, Daut Muço Podgorani etj.
Sot nga qyteti i Barcelonës, ku 80-vjet më parë zbarkonin pjesëtarët e 85 kombeve të botës për ta shpëtuar Spanjën nga kthetrat e fashizmit, sot në Barcelonë është shpërndarë një fotografi e mbështjellë me flamurin e Kosovës, së bashku me një vajzë të mbështjellë me flamurin e Katalunjës, ku shkruan: “PERSHENDETJE nga BARCELONA”, është fjalia me të cilën kosovari e ka shoqëruar fotografinë. Lufta e UÇK-së dhe pavarësia e Kosovës janë bërë burim frymëzimi për popujt e shtypur të Evropës.
Analistja politike dhe ushtarake, Sarah Palin ka thënë se pavarësia e Katalonisë do ta detyrojë Spanjën të hyj në luftë. Ajo e krahason situatën me Jugosllavinë e dikurshme. “Në atë që do të ishte paralelja më alarmante – me Jugosllavinë, shumë popuj në Spanjë kanë synime separatiste, e Katalunja e pavarur do të mund të ishte vetëm një nga shumë domino që do të bien”, ka thënë ajo.
Dhe lajmi i fundit nga Katalunja bën të ditur se sipas masave që tashmë kanë hyrë në fuqi, policia regjionale e këtij vendi do të jetë nën kontrollin direkt të Madridit. Çdokush që do të emërohet në pozitën ministrit të regjional të punëve të brendshme, “do t’u jap pjesëtarëve të policisë katalunase urdhra direkt që duhet zbatuar”. Sipas dokumentit, nëse është e nevojshme, pjesëtarët e policisë mund të zëvendësohen me forca kombëtare të sigurisë. Tani Madridi kërkon të marrë nën kontroll të plotë financat e tërë rajonit, duke përfshirë këtu edhe tatimet dhe buxhetin. Qeveria spanjolle tashmë kontrollon edhe televizionet lokale dhe shërbimet digjitale, ndërsa drejtuesit e mediave publike mund të përjashtohen nga puna. Qeveria dëshiron të sigurojë “transmetimin e informacioneve të vërteta, objektive e të balancuara që respektojnë pluralizmin politik, social e kulturor”. Sponja po zien, Ora e popujve për liri e pavarësi kurrë nuk i ndërpret tik-taket.
- 10. 2017
Ahmet Qeriqi