A ka Shqipëria obligim ligjor për bashkëpunim me Gjykatën Speciale, raciste antishqiptare, apo e bën për hir të BE-së?

Luftëtari i lirisë së Kosovës, ish-oficeri i Armatës së Shqipërisë, Dritan Goxhaj, është arrestuar me të njëjtat pretendime që u arrestuan dhe u dënuan nga Gjykata Speciale, krerët e OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati.  Ndërkohë,  Gjykata Speciale ka bërë të ditur se Dritan Goxhajn e kanë  arrestuar autoritetet e Shqipërisë, në Tiranë. Arrestimi është bërë për vepra të pretenduara penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë. Në njoftim thuhet se Gjykata kërkoi bashkëpunimin dhe ndihmën e autoriteteve shqiptare për arrestimin mbi bazën e fletarrestimit të lëshuar nga një gjykatës i Speciales.

Sipas komunikatës së Gjykatës Speciale, Dritan Goxhaj  do të mbahet i paraburgosur në Shqipëri në pritje të vendimit të autoriteteve shqiptare lidhur me transferimin e tij në objektin e paraburgimit, në Hagë. Kjo është hera e parë që Gjykata Speciale kryen arrestim në territorin e Shqipërisë, ashtu sikur Shqipëria kishte lejuar hulumtimet e Dik Martit, 13 vjet më parë, edhe pse nuk kishte kurrfarë obligimi ndërkombëtar. Thuhet se arrestimi është ndërmarrë,  pasi ndaj tij rëndon akuza se paska zbuluar emrat e dëshmitarëve në disa çështje penale, të ngritura pas luftës në Kosovë.

Dritan Goxhaj e ka folur më herët për,   Nazlie Balën, këshilltaren  e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si dëshmitare të mbrojtur të Prokurorisë së  Gjykatës Speciale, në Hagë.

Goxhaj në shkrimin autorial “Mëmëdheu, UÇK-ja dhe gjykata speciale”, ka shkruar se Balaj është e afërme e njërit prej viktimave për të cilin është dënuar nga Gjykata Speciale ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa. Dëshmitarja e  tretë, e mbrojtur, pa identitet publik  për opinionin quhet Nazlie Balaj, kishte saktësuar ish-oficeri i UÇK-së, Goxhaj, i cili kishte zbuluar  edhe dy persona të tjerë për dëshmitarë të mbrojtur të Prokurorisë Speciale.

Mbetet për t’ u parë se cili do të jetë reagimi i Qeverisë së Shqipërisë,  me rastin e arrestimit të Dritan Goxhajt, veçmas reagimi i kryeministrit, Edi Rama, i cili mbështet fuqishëm krerët e UÇK-së, në Hagë, ka kundërshtuar zyrtarisht pretendimet e Dik Martit dhe të Gjykatës Speciale dhe i cili ka përkrahur dhe përkrah fuqishëm, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Denoncimet e Dritan Goxhajt, në radhë të parë janë të vërteta dhe këtë e dinë të gjithë në Kosovë e më gjerë.

Dihen me emër e mbiemër  rreth treqind bashkëpunëtorët e Serbisë, të cilët janë dëshmitarë të mbrojtur, por dihet po ashtu se publikimi i emrave është i ndaluar sidomos për mediet, disa nga të cilat e dinë identitetin e të gjithë dëshmitarëve të mbrojtur, të cilët bëjnë përpjekje të fshihen pas faktit se po të dëshmojnë hapur do të  ndiqen nga UÇK-ja, e cila është demilitarizuar në verë të vitit 1999. Por nuk ka gjykatë në tërë botën, madje as super speciale sikur është kjo Gjykatë, që mund ta ndalojë komunikimin e komentimin ndër qytetarë. Emrat e këtyre dëshmitarëve zbulohen e lakohen nëpër oda, kafene, ndeje kudo dhe këtë e dinë të gjithë, e dinë edhe, hetuesit, prokurorët e gjyqtarët.

Të gjithë të interesuarit në Kosovë i dinë emrat e dhjetëra dëshmitarëve të mbrojtur që kanë dëshmuar në seancat e deritanishme gjyqësore kundër krerëve të UÇK-së, ashtu sikur dihen edhe ata që kanë dëshmuar kundër Salih Mustafës, e  po dëshmojnë edhe kundër Pjetër Shalës.

Gjykata Speciale ka mundur ta arrestojë ndonjë tjetër ish pjesëtar të  UÇK-së edhe në Kosovë, po ka zgjedhur, Dritan Goxhajn, për t’i dhënë një dimension të ri hetimeve, duke përfshirë edhe Shqipërinë, ashtu sikur kishte bërë Dik Marti (në kohën e Salih Berishës), kur bashkë me serbët e rusët kishte  shpikur  të ashtuquajturën, “Shtëpia e verdhë”, afër Burrelit.

Dritan Goxhaj, i cili në luftën e UÇK-së, në Shtabin e Përgjithshëm ka pasur edhe babanë, ish kolonelin e Armatës së Shqipërisë, Dilaver Goxhai, di të mbrohet, sepse  në radhë të parë mbron të drejtën e luftës  çlirimtare dhe fitimtare. Për më shumë ai është i arsimuar ushtarakisht, është intelektual meritor, çlirimtar dhe veteran.

Të shpresojmë se pas hetimeve të para të  merret vendim për t’ u mbrojtur në liri, pasi vepra e pretenduar penale që i ngarkohet është e kategorisë së lehtë, por e kurdisur për të  frikësuar të tjerët. (RKL)

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Gurakuç Kuçi: Zgjedhjet elektorale si gjeopolitikë: Maqedonia e Veriut drejt Perëndimit apo Rusisë dhe reagimi i Gjermanisë

Zgjedhjet elektorale më nuk janë thjesht një ndërmarrje demokratike e organizuar për të kahëzuar zhvillimin …