A.Q. Guberna e Berishës, Pokrajina me fusnotë e Thaçit dhe Tatkovina e Ali Ahmetit

Të gjitha pjesët e ndara të trojeve shqiptare nuk e bëjnë dot as edhe një shtet që lë për të dëshiruar. Tashmë kemi dy tërësi  dhe një gjysmë, të cilat funksionojnë sipas standardeve speciale të BE-së dhe që qeverisën, si gjithnjë, nën tutelën e Brukselit dhe miqve tanë të famshëm dhe më të fuqishëm në botë. Shqipëria, Kosova dhe pjesa shqiptare në Maqedoni, përbëjnë tërësinë administrative shqiptare e cila qeverisët në shumicë nga prijësit e tri tërësive.


Shqipërinë e qeveris sundimtari Sali Berisha. Është  Guberna e tij, që na kujton Gubernën e famshme të Sanço Pançës, të cilën, më në fund pas të gjitha vuajtjeve njerëzore, Dok Kishoti ia kishte falë shqytarit të tij besnik, që ky ta realizonte ëndrrën e tij jetësore. Është e çuditshme që shkrimtari i njohur botëror me origjinë spanjolle Miguel de Servantes, Saavedra, romanin më të njohur  të tij e kishte ideuar dhe e kishte shkruar  gjatë kohës sa kishte vuajtur dënimin në trojet Shqiptare të pushtuara nga turqit. Thuhet se në vitin 1575 ai ishte zënë rob nga kapedani shqiptar, Arnaut Mami, dhe ishte dërguar në Burgun e Ulqinit, ku kishte shpikur edhe të dashurën zonjë të imagjinuar të Don Kishotit, D’Ylqinjën e Taraboshit, apo të Tobosës.


Pale, sa larg shkon nganjëherë kjo mendja e çatrafiluar e njeriut. Toboza-Taraboshi, D’Ylqinja, zonja e Ylqinit, gomari i Sanços, Rosinanti i Don Kishotit, krejt një botë fantastike, ireale e virtuale, që nuk ka të bëjë aspak me realitetin faktik, por që çuditërisht reflekton një analogji, jo vetëm për nga emrat dhe shqiptimi i tyre, por edhe për nga një kontekst historik, gjithnjë tragjikomik.


Qeverisja  e Sali Berishës, në shumë segmente i përngjan Gubernës së Sanço Panços, ku sundimtari, mundohet me mish e shpirt ta qeveris aq mirë Gubernën sa harron edhe gruan e fëmijët, (për dallim nga Salua) madje edhe të zotin, meqë punët e pushtetit janë të thella dhe nuk janë për të gjitha kokat e njerëzve. Jo më kot ka thënë, iluministi frëng,  Mishel Montenji se “ky soj i politikanëve mendon se Zoti e ka krijuar botën, vetëm për dëshirën e tyre, që ata ta qeverisin”.


Kur, Noli i madh e kishte përkthyer në shqip “Don Kishotin e Mançës” kryepersonazhin e veprës e kishte identifikuar në prototipin e bejlurçinës shqiptare në krye me  Zogun beg e Mbret. Në kohën kur mbretëritë në Evropë, po binin, sikur bien nga bryma gjethet në vjeshtë, Shqipëria e përgjysmuar dhe e nakatosur nga brenda e nga jashtë po nxirrte në krye të vendit një beg “shakaxhi të përparimit”, që kishte nxjerrë origjinën e tij turkoshake dhe derë e parë beg denbabaden, qysh nga mesjeta. Noli, e kishte përkthyer “Don Kishotin”, sikur na thotë vetë në “introduktën” e tij të famshme, për shkak se kjo vepër, në Shqipëri  do të kuptohet më mirë se kudo gjetkë në botë, “sepse atje tipat e bejlurçinës dhe të laros i gjejmë në çdo çap. Bejlurçinat e larot e Shqipërisë në bëjnë sot të qeshim e të qajmë me prapambetjen e tyre, tamam si Dok Kishoti me Sançon”. Janë paksa paradoksale përpjekjet e Sali Berishës për ta zogizuar Shqipërinë, për ta zhvlerësuar luftën AntifashisteNacional-çlirimtare dhe për ta rikthyer në histori djathtizmin shekullor pacifist e kolaboracionist të tipit të Ballaban Pashës, Haxhi Qamilit, Ceno beg Kryeziut, Esad Pashë Toptanit, Ahmet Zogut, Xhafer Devës dhe  sojit të tillë shqiptarëve pa kurriz. Sa do të arrijë Berisha në “gubernizimin” e Shqipërisë në këtë drejtim, mbetet të shihet.


 


 


Të lëmë për pak kohë Gubernën e Berishës, për të parë si funksionin  Pokrajina” me fusnotë të Hashim Thaçit, i cili është kalorës i sojit të vet. Mbahet për gjarpër, madje i paparashikueshëm, dhe në rast rreziku zhduket pa lënë asnjë gjurmë, ashtu sikur zhduket gjarpri, kur heton rrezikun. Sapo të kalojë rreziku shtrëngon muskujt dhe dhe hip virtualisht në “Mollën e Kuqe”, thellë  në Serbi, atje ku dikur shqiptarët kishin pasur një Gubernë të tërë. Nga “Molla e Kuqe” Thaçi e sheh “Dardhën Kakiçke” mbi Lumin Ibër të Mitrovicës. Duke ëndërruar syhapur pushtimin e majave, ai i qon selam Jakup Krasniqit, që ta lejojë t’i dërgojë doganierët me helikopterë të KFOR-it edhe te Molla e Kuqe, edhe pse tashmë ajo është “Crvena Jabuka” ashtu sikur i dërgoi policët,  në Jarinë më 24 korrik, 2011, ku tashmë KFOR-i dhe EULEX-i po bëjnë gjumin dimëror dhe pranveror.


Thaçi me gubernasit e tij ka shpallur një Guvernë të pavarur, të Kosovaristanit gjithnjë duke rrahur gjoks dhe duke i atribuuar vetes  të gjitha të arriturat, në luftë dhe pas luftës, por kur Dik Marti ia përmendi Hagën, ai u trand i zënë në befasi  dhe pa një e pa dy u bë një me të gjithë qytetarët e Kosovës, me të gjithë veteranët e UÇK-së dhe me të gjithë qytetarët e vendit pa dallim kombi, race e feje e partie, meqë sipas tij, të gjithë  pa asnjë dallim paskëshin  merita për arritjen e pavarësisë së Kosovës. Dhe, sipas bindjes së tij  nëse dikush akuzohet nga Diku i Marrë, atëherë duhet të akuzohen të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallin, feje, race, gjuhe e kombësie, sepse të gjithë paskan luftuar për Kosovën, me Thaçin në krye, edhe ata të cilëve u kishte ikur nën këmbë toka e Atdheut gjatë luftës dhe ia kishin mbathur…


Por kur Brukseli kërkoi që Gubernës së tij t’ia “fuste” prapa një “notë”, që do ta shpjegonte prejardhjen “historike” të Gubernës së Kosovaristanit, Thaçi nuk pati nga t’ ia mbajë, edhe pse bërë një natë më parë  bëri e rrufe se nuk do ta pranojë një degradim të tillë të Kosovaristanit, ai, të nesërmën, çuditërisht pranoi, madje duke u krekosur se bishti i quajtur “fusnotë” qenka bisht i ngordhur, dhe nuk penguaka fare, për më tepër qenka vetëm një relikt, atavist, i cili me kohë do të zhdukej, në bazë të evolucionit, sipas shpikjeve të famshme  të Darvinit. Guberna e Thaçit është një tokë e protektuar nga BE-ja, e cila po bëhet gati t’ i bashkohet Unionit të Gubernave të Evropës, pa identitet të mirëfilltë gubernial, por me një fusnotë, që nënkupton edhe sovranitetin e Serbisë mbi të.


 


Shqiptarët  në dhjetëvjetëshin e fundit të ekzistencës së tyre kanë ngritur kokë edhe në Gubernën e Iliridës së dikurshme. Atje, ata kanë luftuar dhe kanë derdhur gjak, në mënyrë që ta kenë një “Tatkovinë” të përbashkët me sllavët e Bullgaristanit, të konvertuar më maqedonë të paragjykuar   Lekës së Madh, i cili kishte jetuar dhe kishte pushtuar gjysmën e botës, 1000 e më shumë vjet para dyndjes së bullgarëve paganë, në Ballkan. Po kjo nuk ka rëndësi. Me rëndësi është që bullgaro-sllavët ndihen sikur janë stërnipër të Lekës, dhe këtë nuk ua mohon askush, përveç Greqisë, e cila e ka zaptuar me të  drejtë emrin e vet autokton, Maqedonia, dhe po e mban peng, ashtu sikur Sanço Pança e mbante kapistrën e gomarit të tij. I pari i një çifligu të kësaj Guberne, Ali Ahmeti  i frikësuar për vdekje nga lista e zezë, ku e kishte futur Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, për shkak të luftës çlirimtare në Maqedoni, filloi transformimin e tij më të çuditshëm dhe më të neveritshëm, sesa i “transformuari” i Franc Kafkës, i cili përjeton një transformim fatal, por pa dëshirën e tij. Ali Ahmeti, po jep kontribut madhështor për ta ruajtur “Tatkovinën” e përbashkët edhe atëherë kur  Gruja i Nikës  ia vret bashkëkombësit, sikur  i vrau në Brodec dhe në Radushë, edhe atëherë kur i rrah nxënësit shqiptarë, vetëm sepse i përkasin një etnie të tillë, edhe atëherë kur ia fyen kombin, edhe kur ia përkujton “Gasnakomorat”. Aliu, me zbutjen e tij babaxhane iu jep shembull shqiptarëve për bashkim vëllazërimin e kohës Ali Shukariut, madje arsyeton edhe vrasësin e dy shqiptarëve në Gostivar, sepse thotë ai, (në një emision debati), se  edhe  dy të rinjtë shqiptarë të Gostivarit kanë  mundur rastësisht ta vrasin policin sllavo-bullgar, por ja që rasti ka ndodhur ndryshe, edhe shqiptarët kanë mundur t i rrahin me shufra hekuri nxënësit sllavo-bullgarë, por ja që ka ndodhur ndryshe, edhe shqiptarët nganjëherë këndojnë këngën e Baba Hetës, ashtu sikur “komshitë” që na kujtojnë “gasnakomorat”. Ai, me një patetikë të neveritshme mundohet të na bind  se krejt këto afera kanë mundur të ndodhin edhe ndryshe, andaj nuk duhet të gajlohemi për to, sepse “Tatkovina” nuk ruhet me revansh, por me butësi, me nënshtrim, me modelin e jetës së urithit dhe me moton, “daj shto dash”,  pastaj me tolerancë maksimale, duke u mbështetur fort në thënien  biblike, “nëse njeriu të jep flakaresh në njërën faqe, ti zgjatja edhe faqen tjetër”.  Këtë këshillë, i pari i çifligut të Gubernës së Tatkovinës, mund ta aplikojë për veten e tij, por nuk mund t i bind bashkëkombësit të veprojnë sipas pandjeshmërisë dhe papërgjegjësisë së tij të pafalshme.


 


Dy e gjysmë gubernat e Shqipërisë, mjerisht nuk bëjnë as sa një Gubernë e Sanço Panços.  Për më keq, kjo trojkë politike, e cila aktualisht qeveris në Tiranë dhe në Prishtinë, dhe bashkë-qeveris me sllavo-bullgarët, në Shkup e në Tetovë, ka mungesë morale të integritetit gjithëkombëtar, sepse që të tre i takojnë veriut të Shqipërisë etnike, i takojnë mendësive feudale bajraktare, të kohës së feudalizmit dhe jo rastësisht politika por edhe zhvillimi ekonomik i trojeve shqiptare është feudalizuar me zona, me bajraqe me klane e monstruozitete të tjera,  të cilat dëmtojnë idealizmin integrist gjithëshqiptar, e vetmja rrugë që shpëton kombin nga feudalizmi dhe ngujimi në kullat e kështjellat e fiseve e bajraqeve mesjetare, sikur aktualisht janë pozicionuar, Berisha, Thaçi dhe Ahmeti, edhe pse ata ditë e natë trumbetojnë integrimin në Evropë, si shpëtim dhe jo, integrimin kombëtar, fizik të shqiptarëve, si shpëtim të natyrshëm dhe të përfillshëm historikisht.

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani: Iku në përjetësi penë arti Fadil L. Curri

Më 6 prill pushoi zemra e shkrimtarit, gazetarit dhe intelektualit të shquar, Fadil L. Curri …