A.Q. Motivet biblike, homerike dhe historike në këngën e Luftës së Kosovës të vitit 1389, kënduar nga këngëtari martir, Hamëz Xhema në vitin 1923

Eposi shqiptar i Luftës së Kosovës, solli  në kujtesën e popullit tonë një ngjarje historike, të vjetër  620 vjeçare, të padeformuar, por të perfeksionuar nga aspekti stilistik e metaforik, duke e ruajtur tërë kompleksitetin e rrëfimeve, të cilat përbëjnë një tërësi të fuqishme kompozicionale.


Kënga për luftën e Kosovës, është  kënduar nga këngëtari, Hamëz Xhema, Bojku,  i njohur në popull si Ut Bojkoviqi, i cili ishte  një rapsod i njohur dhe një  kryengritës shqiptar, që luftonte regjimin pushtues të Mbretërisë serbe në Kosovë. Në vitin 1923. ai ndodhej në burg i arrestuar nga xhandarmëria. Studiuesi serb, Gligorije (Glisa) Elezoviq, nga goja e rapsodit kryengritës Hamëz Xhema, derisa ai ishte në burg ka shënuar një variant  të këngës për Betejën e Kosovës të vitit 1389, ndërsa e ka botuar në: “Arhiv za Arbanasku starinu I në vitin 1923, në Beograd,  faqe: 54-67”. Kënga e shënuar nga Ut Bojku na jep një tablo, pse jo edhe homerike të Luftës së Kosovës, duke i qëndruar shumë afër historisë dhe duke e begatuar atë me elemente  të shumta  biblike, por edhe fantastike e legjendare, të denja jo vetëm për artisët e fjalës së kohës së tij. Duke folur lidhur me rrethanat, në të cilat e ka shënuar këtë këngë, Gligorijeviq ka thënë: “Të metat në pikëpamje të rrëfimit do të kishin qenë më të pakta, sikur ta kishte kënduar këtë këngë, por në atë vend ku e kam takuar (në burg) ai e përfilli kërkesën time, ma rrëfeu këngën dhe unë e shënova…”. (Visaret e Kombit I Tiranë, 1937, f.18)


 


E meta kryesore e variantit të kësaj këngë është se rapsodi Hamëz Xhema, nuk e kishte kënduar këngën, duke e përcjellë me lahutë, apo çifteli, sipas zakonit, sepse  ndodhej në burg, i akuzuar nga regjimi serb në vitet 20 të shekullit të kaluar. Studiuesi serb, Elezoviq, e kishte vërejtur këtë fakt dhe kishte konstatuar me të drejtë se rrëfimi, apo recitimi  i vargjeve çalonte shumë, madje edhe me faktin se këngëtari ishte i prangosur dhe në një gjendje të rëndë shëndetësore, fizike e psikike. Megjithatë, ai e kishte rrëfyer këtë këngë, ashtu sikur e kishte mësuar qysh fëmijë, dhe ashtu sikur e kishte kënduar dhjetëra e ndoshta edhe qindra herë.


Për dallim nga shtatë apo më shumë variantet e tjera të këngëve për Luftën e Kosovës, të kënduara nga rapsodët shqiptarë, varianti i rrëfyer nga Hamëz Xhema, është varianti më i pasur, më i besuar dhe më i thururi artistikisht nga të gjitha variantet të shënuara deri sot në gjuhën shqipe.


 


Ky variant  për “Luftën e Kosovës” është  jashtëzakonisht i pasur me të gjitha elementet përbërëse të eposit, të ndërthurura me shumë motive nga Besëlidhja e vjetër, nga Iliada e Homerit dhe me elemente fantastike nga legjendat shqiptare e ballkanike, por mbi të gjitha ky variant shquhet për një kompozicion të qëndrueshëm artistik e stilistik, ku pjesët janë integruar në tërësinë kompozicionit të thurur mjeshtërisht e artistikisht.


Kjo këngë e rrëfyer, dhe jo e kënduar ka humbur shumë nga autenticiteti, megjithatë, ajo ka ruajtur skeletin nga i cili mund të përmbushet me elemente përcjellëse të  mënyrës dhe stilit të këndimit të këngëve analoge, historike në përmbajtje, por legjendare për nga mënyra poetike e rrëfimit.


Ndërtimi kompozicional i këngës përbëhet nga katër pjesë tematike, bazuar në përmbajtjen e saj.


Eposi si tërësi, në qendër të trajtimit ka dy figurat më të njohura të kohës: Sulltan Muradin e  Parë dhe Milush Nikollë Kopiliqin. I pari në pranverë të vitit 1389 nga Edreneja, me një ushtri të madhe ishte nisur të pushtonte viset e Ballkanit dhe i dyti, Milush Nikollë Kopiliqi nga Drenica, i cili iu kishte bashkuar Aleancës së krishterë, në krye me mbretin tribal, Llazer, me qëllim  për të ndaluar  invadimin  turk në këto vise.


Kënga fillon me ëndrrën që kishte parë Sulltani. Ai kishte ëndërruar se në krahun e djathë i kishin ra dy shqiponja dhe në çast sikur ishte bashkuar toka dhe qielli, ndërsa hëna e dielli kishin rënë në det. Sulltani nuk e shpjegonte dot domethënien e ëndrrës,  andaj atë ia kishte rrëfyer së ëmës dhe më vonë kishte mbledhur edhe këshillin e luftës dhe komentatorët e ëndrrave tëTakbir Sarajit.


 


Kqyr shka thojke Dime Takbirxhia:


-Ata orlat në krah qi t’ kanë ra,


-Në krah të djathtë orlat qi t’ kan ra,


-Ke me marrë Sanxhakisherifin,


-Tan asqerin ke për m’ i bashkue,


-Se n Kosovë me ta ki me dalë,


-Ti Kosovën ke për me zaptue,


-Vet shehid ki për me shkue,


-Vet shehid ti ki per me mbetë,


-Hana e dielli në det qi kanë ra,


-Ti shehit në Kosovë ke m’u ba,


-Pa Dovlet hanë as diell nuk nxejnë…


 


(Visaret e Kombit I Tiranë, 1937, f. 6-17)


 


Komentimi i ëndrrës është bërë në rrethanat kur Sulltani kishte paralajmëruar  invadimin në trojet e Ballkanit për të mësyrë drejt Evropës së krishterë. Edhe komentatori i ëndrrës e kishte paralajmëruar Sulltanin se Lufta në Kosovë do të përfundonte me rënien e tij dëshmor, ai nuk ndalet nga qëllimi, vendos të mbledh ushtrinë dhe të sulet drejt Evropës.


Fillimisht Sulltani kishte urdhëruar të tubohej ushtria, e cila ishte shumë heterogjene në çdo pikëpamje, etnike, fetare e shoqërore. Ai, si njeri i Zotit me bindje se ishte sundimtari më i drejtë në botë, kishte kërkuar të formonte një ushtri të disiplinuar, nga radhët e myslimanëve të vërtetë të cilët do t’ iu përmbaheshin  në mënyrë rigoroze dispozitave fetare dhe ushtarake.


Pasi tubohen ushtarët, Sulltani u bën thirrje që nën flamurin e tij të rreshtoheshin vetëm ata, që i luteshin Zotit dhe që nuk pranonin ta merrnin pasurinë, gjënë apo të mirat materiale të tjetrit. Duke parë vendosmërinë e ushtarëve, shumica e vullnetarëve kthehen prapa, por Sulltani porositë kreun e logjistikës që t’ iu heq shpenzimet e udhëtimit, të gjithë atyre që nuk iu bashkuan radhëve të tij, meqë nuk ndiheshin të denjë për të shërbyer në një ushtri të tillë.


Në kohën kur me mijëra ushtarët e tij besnikë po bëhej gati të kalonte Bosforin, nga frika e përmbytjes së anijeve, Sulltani i lutet Zotit që ta hapë detin për të kaluar ushtria. Ky element është krejtësisht i ngjashëm me rrëfimin biblik lidhur me kalimin e Nilit nga Mojsiu dhe izraelitët të cilët kishin ikur nga robëria e Faraonit dhe ishin nisur këmbë për  në tokën e premtuar. “Hyji i tha Mojsiut: Shtrije dorën mbi det dhe ndaje detin dhe bijtë e Izraelit do të kalojnë nëpër lumë, nëpër terik” ( Dom Simon Filipaj, Bibla, Ferizaj, 1994, f. 97).


Pasi kalojnë detin, Sulltani edhe njëherë kërkon nga ushtarët që ndodheshin në dilemë, të vendosnin definitivisht, derisa deti ende nuk ishte mbyllur. Disa nga ushtarët kthehen, ndërsa më besnikët marshojnë drejt Maqedonisë dhe Kosovës.


Sulltani me luftëtarët e tij të zgjedhur dhe besnikë të fesë marshonte para dhe nuk dilte forcë ta ndalonte, derisa e mori Shkupin dhe ishte drejtuar kah Gryka e Kaçanikut, ku has në qëndresë të fortë dhe nuk arrin të bëjë tutje. Ai i lutet Zotit, por lutja nuk i pranohet. Sulltani dyshon se ndokush nga ushtarët e tij kishte marrë ndonjë gjësend të ndaluar nga pronat e të krishterëve. Pasi fillon hetimet, lajmërohet ushtari që kishte marrë një mollë, të cilën e kishte kafshuar vetëm njëherë. Sulltani jep urdhër, që molla t’ i kthehet pronarit dhe të kërkohet nga ai falje apo dëmshpërblim. Pronari duke kuptuar drejtësinë këmbëngulëse të Sulltanit nuk pranon shpërblim, por e kushtëzon faljen me qëllim për ta emëruar, Serasqer. Sulltani pranon dhe pastaj ushtria e tij e thyen rezistencën në Kaçanik.


Ushtria depërton deri në malet e Goleshit por nuk kishte ujë për ushtrinë e madhe dhe kuajt që po ngordhnin nga etja.


 


Se n’ Golesh kur paskan mb’rri


Nuk po gjajnë askund ujë me pi.


Hiq askund ujë nuk po gjajnë,


Etja asqerin e paska tha,


Krejt për tokë ata paskan ra


Shkojnë Sulltanit i paskan kallxue


Na pa ujë krejt kena marue


Askund ujë na n’ ket’ vend s po gjajmë


Atherë mbreti në kambë koka que,


Duert drejt qiellit i paska drejtue,


-Ej Allah qi je hak taman,


-Ti nji ujë mue me ma falë


Merr me shpatë nji guri i ka ra


Ka fillue, uji paska dalë.


Tanë asqeri ujë paskan pi.


(Visaret e Kombit I Tiranë, 1937, f. 6-17)


 


Edhe ky motiv është motiv biblik i kohën e profetit Mojsi, i cili në shkretëtirën e Sinajit mbetet pa ujë dhe pasi i lutët Zotit, fillon të burojë ujë nga një shkëmb i gurit ku shuajnë etjen izraelitët dhe marrin sasi të ujit me vete gjatë rrugëtimit nëpër shkretëtirë. “Hyji i tha Mojsiut, bjeri shkëmbit të gurit me shkop dhe prej tij do të shpërthejë uji” ( Dom Simon Filipaj, Bibla, Ferizaj, 1994, f. 101).


Pastaj Sulltani Murati i Parë depërton në Fushë të Kosovës, përballë Qyqavisë dhe kërkon nga nën-vartësit t i tij të hulumtojnë të dhëna lidhur me prijësit e krishterë. Ai, duke parë se prijësit ishin të përçarë dhe në luftë kundër njëri tjetrit, i shkruan letër Milush Kopiliqit dhe i kërkon drynat e kështjellave si dhe dorëzimin pa kusht të princave.


 


Për nga përmbajtja dhe aspekti i lidhmërisë kompozicionale, këtu  mbaron pjesa e parë dhe fillon pjesa e Dytë e këngës për Luftën e Kosovës.


 


Në vazhdim të këtij varianti  kuptojmë se Mbreti i kishte drejtuar një letër Milush Kopiliqit, nga i cili kërkonte çelësat e rezidencave të shtatë princave. Milushi, duke njohur forcën e Sulltanit ishte brengosur tejmase, ndërsa qesëndisjes mendjelehtë të gruas së tij iu kishte përgjigjur me një grusht, duke ia thyer dhëmbët, meqë ajo nuk e kishte kuptuar seriozitetin dhe rrezikun fatal të situatës, por mendjelehtësish kishte madhëruar trimërinë e burrit, duke thënë se nuk kishte çfarë t’ i bënte, madje as Sulltani.


Milushi po vonuar shkon në Pejë dhe takon mbretin Llazer si dhe kunatin e tij, Vuk Brankoviq, një rival i moçëm me të cilin ishte zënë sa e sa herë.


Pas takimit me ta, duke rrëfyer për forcën e Sulltanit dhe të ushtrisë së tij, Milushi kërkon mobilizim për luftë. Prijësi Llazer dhe shkizmatiku Vuk Brankoviq duke ditur epërsinë e ushtrisë turke pajtohen ta pranojnë autoritetin e Sulltanit dhe vendin ta dorëzojnë pa luftë. Milushi, edhe pse  kishte qenë i akuzuar si vasal i Sulltanit, meqë disa herë kishte luftuar përkrah tij, nuk pranon dorëzimin, por betohet se do të luftojë dhe do ta vrasë Sulltanin, të cilin ai e njihte edhe personalisht.


 


E Miloshi n’ kambë koka çue,


Mirë atkijës në shpinë ju ka gjue,


Drejt në Pejë ai paska shkue,


Atje Mbretit  i paska kallxue,


-Se Sulltani në Prishtinë ka mbrri,


-Luftë po lypë ose mu dorëzue,


-Qysh po thu’ Milosh, shka me marue,


-Ma mirë na bjen me u dorëzue,


-Ma mirë teslim na mbretit me ju ba.


-Nuk po mujmë me ta me luftue.


E Miloshi kqyr shka i ka thanë:


-Kurr teslim un’ nuk kam mu ba!


-Për pa e therrë Sulltanin s’ kam me la!


(Visaret e Kombit I Tiranë, 1937, f. 6-17)


 


Milush Kopiliqi kishte hetuar se vjehrri i tij, Llazer dhe rivali, Vuk Brankoviq jo vetëm hezitonin por edhe frikësoheshin nga ushtria e Sulltanit. Ai merr qëndrim të prerë, duke e nxitur Llazarin dhe duke e qesëndisur Brankoviqin, i cili kishte pranuar nënshtrimin pa kusht. Në këtë variant të kësaj kënge, personazhi kryesor është Milush Kopiliqi. Ai edhe fillon intrigat kundër dilemave të prijësve për të luftuar, meqë  kishte për qëllim që të ndikonte te kreu i sundimtarëve, që ata të luftonin kundër turqve, të cilët ishin tubuar rreth Qyqavicës, në territorin e Prishtinës dhe të Vushtrrisë.


Mbreti Llazer, për dallim nga Brankoviqi, i cili ishte shprehur haptas kundër luftës me turqit, ishte në mëdyshje dhe propozon që në taborin e Sulltanit, i cili ndodhej  afër lumit Sitnicë, të dërgojë tridhjetë vajza të bukura dhe të teleisura, me qëllim për të provuar moralin e ushtrisë turke. “Mosrespektimi i grave është po ashtu i ndaluar. Margaret Hasluck, (e cila po ashtu ka shënuar një variant të këngës për luftën e Kosovës së vitit 1389) duke iu referuar kësaj bestytënie të përhapur në popull kishte konstatuar në studimin e saj se  “nëse ushtarët plaçkitin dhe dhunojnë, ata vetë do të vriten në betejë”… Anna Di Lellio, Beteja e Kosovës 1389 Epos shqiptar, Zëri, Prishtinë, 2010.  f 65.


 


Milush Kopiliqi, duke ditur se ushtria e Sulltanit ishte e moralshme dhe tejet korrekte, merr masa për të takuar vajzat pasi të kthehen nga tabori turk. Në kohën kur ato, pas tri ditë qëndrimi në taborin e ushtrisë turke, po ktheheshin të lodhura dhe të uritura, ai iu del para i ndalon dhe i pyet për sjelljen e turqve ndaj tyre. Ato kishin treguar drejt se askush nga turqit nuk i kishte përkitur, as i kishte dhunuar apo plaçkitur, për më tepër Sulltani kishte urdhëruar që atyre t‘iu jepej bukë dhe të shëtisnin lirshëm. Milushi, i cili kishte marrë të gjitha masat për t i futur në luftë prijësit e krishterë, iu drejtohet vajzave:


 


Nisë Miloshi koka kanë kujtue,


Edhe çikave ju paska drejtue:


-Na te krali bashk’ kena me shkue,


-K’shtu kralit n’ koftë me i kallxue,


-T’tanave kryet kam me jau shkurtue,


-Na te krali kur të shkojmë,


-K’shtu ju kralit kemi për mi thanë:


Dergjë e madhe asqerit i kish ra


Ishin lodhë asqeri me dekë,


Se asqeri neve na ka kapë,


Edhe paret neve na i kanë marrë!


Fill te krali Miloshi ka shkue…


(Visaret e Kombit I Tiranë, 1937, f. 6-17)


 


Intriga e Milushit kishte dhënë rezultat dhe mbreti Llazer, pasi kishte dëgjuar ankimet e improvizuara të tridhjetë vajzave  kishte shprehur mendimin  se mund të luftohej, por edhe fitohej lufta kundër një ushtrie të pamoralshme, e cila dhunonte femrat dhe sillej keq me njerëzit. Ai bindet edhe nga qëndrimi tejet i prerë i Milush Kopiliqit, që cilin e kishte edhe dhëndër, por për të cilin përfliteshin shumë fjalë të pamira lidhur me raportin që ai kishte me turqit. Në kohën kur Mbreti Llazer kishte bashkuar ushtritë dhe kishte marrë qëndrim të prerë për të luftuar, Milush Kopiliqi iu kishte rrëfyer drejt.


Në dialogon mes mbretit dhe Milush kopiliqit, sipas këngës të rrëfyer  nga Hamëz Xhema, hetojmë edhe një element shumë interesant, që na bën të mendojmë se Milush Kopiliqi mbante kontakte me Sulltanin dhe donte të luante rolin kryesor në betejë. Ai i tregon vjehrrit Llazer se do të depërtonte te çadrat e Sulltanit dhe do të hetonte disponimin e tij. Nëse Sulltani  do të pranonte t’ ia jepte dorën, akti i tij ishte shenj se ai pranonte të jetonte në paqe, por si vasal. Nëse Sulltani ia jepte këmbën në vend të dorës, ky ishte shenj se ai kërkonte nënshtrim të plotë. Në një rast të tillë Milushi kishte vendosur ta therte sulltanin me një thikë që e mbante fshehtas nën rrobe.


 


Atëherë krali shka paska marue,


Shumë ushtarë na i ka tubue,


Janë ba gati don’ për me luftue,


Kqyr Miloshi shka ju paska thanë:


-Ndal kadal’, o kral, ja ban,


-Edhe un’ kam me u shtrëngue,


-Vet te mbreti un’ kam me shkue,


-Se n’ ma dhashtë mbreti dorën mue,


-Unë atij kam me ju dorëzue,


-Se n ma dhashtë ai kamben mue,


-Me hanxhar un’ kam me shitue!


(Visaret e Kombit I Tiranë, 1937, f. 6-17)


 


Gjithnjë sipas kësaj kënge arrijmë në përfundim se Milushi kishte qëllime të dyfishta. Parimisht ai nuk besonte se Sulltani do ta trajtonte ndershmërisht, mirëpo, meqë i kishte shërbyer si mercenar dhe kishte luftuar nën flamurin e ushtrisë turke, shpresonte se Sulltani do të mund ta trajtonte me përfillje. Në një rast të tillë, ai do të trajtohej si kreu i krishterë i vendit dhe do të mund të ndalohej gjakderdhja. Në të kundërtën ai kishte vendosur ta ndëshkonte Sulltanin, pavarësisht nga pasojat duke qenë i sigurt edhe në fundin e tij tragjik.


Milushi, sipas këngës zgjedh rrobat e hekurit dhe me një mik të besuar përgatitet për të depërtuar te çadrat e Sulltanit, në kohën kur Beteja kishte filluar dhe kur kishte konstatuar se të krishterët nuk kishin  asnjë favor për ta fituar luftën. Ai depërton deri te çadrat e Sulltan Muratit, duke shfrytëzuar “flamrin e bardhë” dhe duke qenë se Sulltani e njihte, ose  kishte dijeni se kush ishte dhe cili ishte qëndrimi i tij.


Në momentin kur Milushi paraqitet para çadrave të Sulltanit, rojet e lajmërojnë dhe ai lejon që të futet brenda. Sulltani ndodhej i shtrirë dhe paraprakisht pyet Shejhulislamin se si të vepronte me Milushin,  t’ i jepte dorën apo këmbën? Shejhulislami, duke mos parandier asnjë rrezik nga kalorësi, i cili ishte lejuar të futej në çadrat e Sulltanit, i thotë t’ i zgjaste këmbën, shenjë ky që nënkuptonte nënshtrim edhe me faktin se situata në luftime ishte në favor të forcave turke.


Në rastin e tillë të poshtërimit dhe duke besuar se edhe beteja do të humbej, Milushi befasisht nxjerrë thikën nga brezi dhe e therë sulltanin.


Ja si e ka përshkruar këtë akt, raprodi Hamëz Xhema në versionin e tij të këngës së Luftës së Kosovës të vitit 1389.


 


Nibetxhitë Miloshin e kanë ndalue.


-Kah po don Milosh ti me shkue?


-Un’ te mreti du me shkue.


-Ndalu ktu!- mretit kem me i kallxue


Edhe mretit i paskan kallxue,


Atëherë mreti shka ka marue,


Shejhul islamit iu ka drejtue:


-Qysh po ban, ti, qysh po m thue?


-Ne Miloshi tash qi po na vjen,


-Ma lypë dorën aj me ja dhanë,


-Me ja dhanë a mos me ja dhanë?


-Ktu Miloshi kur të vjen,


-Atij dorën mos me ja dhanë,


-Kambën n’ vend dorës me ja dhanë.


Fill Miloshi te mreti ka shkue,


Qojke kambën mreti ja ka dhanë,


Miloshi hanxharin në dorë e kish pasë,


Me hanxhar mretit i ka ra,


Dekun në tokë mbretin e ka la.


(Visaret e Kombit I Tiranë, 1937, f. 6-17)


 


Duke rrëfyer ndodhinë e Luftës së Kosovës, sipas mbamendjes nga brezi në brez, rapsodi Hamëz Xhema, në variantin e tij i këndon trimërisë së Milushit, i cili, meqë ishte i veshur me rroba hekuri arrin që me kalin e tij të largohet nga çadrat e Sulltanit. Edhe pse prapa iu kishin lëshuar sa e sa turq, ata nuk arrin ta ndalonin as ta vrisnin. Duke parë këtë dyluftim që po zgjaste një “shkinë” plakë, e tradhton Milushin dhe iu tregon ushtarëve turq vendin  e fshehtë ku ai mbante çelësat e rrobave  të hekurit. Në këtë përshkrim rapsodi shqiptar identifikon një grua të përkatësisë serbe, e cila duhej të kishte qenë kundërshtare, ose për shkaqe të panjohura e urrente Milush Kopiliqin.


 


-Ju nuk mundni Miloshin me pre,


-Se i veshun në hekur ai asht,


-Edhe atkinë veshun n’ hekur e ka,


-Por ju shpatat për tokë me i palue,


-Atkijes në byzylyk keni me i ra


-Edhe kambën keni me ja premun,


-Atherë Miloshin ju keni me zanun.


-Ju si n mujshi Miloshin me zanun,


-Qelsat e pancirit në musteqe i ka.


(Visaret e Kombit I Tiranë, 1937, f. 6-17)


 


Ky motiv ka ngjashmëri me motivin e thembrës së Akilit nga Iliada e Homerit. Trimi i lashtësisë greke kishte vetëm një vend në thembër të këmbës, ku mund ta shponte heshta apo ushta. Këtë vend e dinin pak veta, në mesin e tyre edhe Paridi, vëllai i Hektorit, i cili edhe e godet Akilin në thembër të këmbës, në kohën kur grekët ishin futur në Trojë dhe ia kishin dhënë zjarrin. Përmbajta e motivit është pothuajse e njëjtë, por e rrëfyer në kushte dhe rrethana të tjera. E fshehta, e pamundësisë për ta asgjësuar Milush Kopiliqin, qëndronte te çelësi i fshehur i rrobave të hekurit, të cilin e mbante nën mustaqe si dhe në në këmbën e atkinjës. Ishin krejt pak njerëz që e dinin këtë fshehtësi, mes tyre ishte edhe “shkina” plakë. Milushi, duke kuptuar se po i vinte fundi, kërkon nga ushtarët turq t’ ia sjellin para plakën, për të cilën thoshte se ushqente respekt të madh.


 


-Amanet po thot’ e kam ni fjalë,


-Ni shkinë plakë ktu ju me ma thirrë,


-Fort për mallë un’ shkinën qi e kam,


-Kam dy fjalë shkinës me ja thanë,


Edhe shkinën para ja kanë çue,


-Afromu ngat, oj hallë, po ja ban,


-Ty çirak une du me të ba,


-Shumë e mallin un’ kam me ta dha,


Edhe shkina afër po i shkon,


Shkina afër koka kan’ afrue,


Kqyr Miloshi atherë shka po ban.


Ja ka ngulë ai shkinës ni dham’


Me dham’ shkines ai ja paska ngjitë,


N’Babimos e paska pas’çit.


(Visaret e Kombit I Tiranë, 1937, f. 6-17)


 


Rrëfimi  për pësimin e “shkinës” plakë është i njëjtë edhe me disa variante të këngëve serbe për luftën e Kosovës, por atje nuk flitet për përkatësinë e gruas, që e kishte tradhtuar Milushin, por flitet për një grua plakë, një magjistare që i dinte fshehtësitë e princave.


Rapsodi i popullit, Hamëz Xhema, në përshkrimin që i ka bërë Luftës së Kosovës të vitit 1389, duke interpretuar paraardhësit e tij rapsodë, në këtë pjesë të këngës shërbehet  edhe me elemente mitologjike e fantastike. Duke mbështetur dhe duke idealizuar veprën e Milush Kopiliqit, rapsodi shqiptar rrëfen, sesi ai ishte i paasgjësueshëm. Edhe pse me kokë të prerë, ai merr kokën në sqetull, i hip atkijës dhe fillon shtegtimin e tij imagjinar. Ky element fantastik, është i vetmi që nuk përkon me një realitet të mundshëm të asaj beteje, ashtu sikur e sjellë kujtesa popullore e popujve të Ballkanit por edhe historiografia turke dhe ajo e përgjithshme.


Fundi i pjesës së dytë të këngë për Luftën e Kosovës të vitit 1389 mbaron me vdekjen e Milush Kopiliqit në një vend nga ky thuhet se ka filluar të burojë një ujë shërues.


Pjesa e tretë e këngës për Luftën e Kosovës ka të bëjë me vajin dhe mallkimin që i bën Kosovës, nëna e Sulltan Muratit, e cila kishte marrë vesh lajmin se Milush kopiliqi ia kishte therë me hanxhar djalin. Ajo kishte mallkuar tërë vendin ku ishte derdhur gjaku i djalit të saj, Sulltan Muratit të Parë, sulltani i parë dhe i fundit që kishte humbur kokën në betejë, në Fushë të Kosovës.


 


Shka ka ba nana e Sulltanit,


Për të birin ajo ka marrë vesh,


Qi Miloshi, djalin, ja ka pre.


Dhimbje t’ madhe nana paska pasë,


-Ej Kosovë!- ajo paska thanë,


-Ej Kosovë e shkretë!- kish’ pas thanë,


-Pa evlad ti mu m’ paske lanë,


-Bereqeti n’ ty’ fort u baftë,


-Por ragbet kurr ni sen’ mos pastë.


-Kurr’ pa gjak ai vend mos u marrtë!


(Visaret e Kombit I Tiranë, 1937, f. 6-17)


 


Kënga për Luftën e Kosovës të vitit 1389, e kënduar nga rapsodi Hamëz Xhema përfundon me një dialog mes një vajze dhe nënës të saj. Sado që dialogu është spontan dhe fragmentar, ai flet shumë dhe jep një tablo të gjendjes që kishte pllakosur vendin pas luftës dhe vrasjes së Sulltanit. Një pjesë e krishterëve, të cilët ishin të lidhur me luftën dhe të cilët e kishin humbur atë, ishin detyruar të largoheshin në drejtim të veriut të Kosovës. Në rrugë drejt paparashikueshmërisë, një vajzë e pyet të ëmën e vet:



 


Nji çikë t’amës shka i ka thanë:


-Ku po shkojmë na mori nanë?


-Po ikim prej turku!- nana bijës i ka thanë,


-E kur kthehemi, mori nanë?


-Kur të prishet turku si na!- i ka thanë,


-Kur Qyqavia t’ bahet ashtu si asht kanë,


-Atëherë Kosovën na kena me marrë.


(Visaret e Kombit I Tiranë, 1937, f. 6-17)


 


Ky dialog përmban disa elemente shumë kuptimplota. Nëna i rrëfen së bijës se shumë njerëz po iknin nga Kosova, ku kishin lënë shtëpitë e tyre, ndërsa vajza pyet se kur do të ktheheshin ata sërish. Ajo i përgjigjet  se kthimi do të mund të ndodhte nëse sundimtarët turq prishen moralisht ashtu sikur ishin degjeneruar sundimtarët e krishterë. Porosia është e qartë. Këngëtari anonim që e ka krijuar këtë këngë, ka qenë krejtësisht i paanshëm sa i përket fuqisë së sundimit. Ai rrëfen se princat e krishterë në mesjetë rronin në armiqësi dhe në katandisje morale, dhe kjo gjendje kishte bërë që ata të mos mund e gëzonin pushtetin, as sundimin, meqë mbijetonte gjatë vetëm pushteti i drejtë, i cili në këtë rast identifikohet me sundimin turk të kohës së Sulltan Muratit të Parë.


Varianti i këngës për “Luftën e Kosovës së vitit 1389”, i rrëfyer nga rapsodi Hamëz Xhema, pasqyron tablo të jashtëzakonshme të ngjarjeve historike, të vitit 1389, të përcjella brez pas brezi, deri në ditët tona. Edhe sot në Kosovë ka rapsodë që dinë përmendësh variante të kësaj kënge, mirëpo rrëfimi, të cilin e kemi analizuar dhe të cilin e ka shënuar serbi, Elezoviq qysh në vitin 1923 i tejkalon të gjitha variantet me shumë specifika të rrëfimeve, përmbajtjes dhe ndërthurjes së kompozicionit në një tërësi epike-heroike.


Elementi më i rëndësishëm i këtij varianti është qëndrimi tejet i paanshëm i rapsodit ndaj dy personazheve, Sulltani Muratit të Parë, i cili përshkruhet me veti të larta morale, por edhe me prepotencën e pushtetarit, i cili ka krijuar bindje se sundimi është favor hyjnor dhe do të sundojnë përjetësisht vetëm të drejtët. Ai, edhe pse ishte i drejtë, gabon kur pyet shejhulislamin, që t’ i jepte dorën apo këmbën Milush Kopiliqit. Në momentin kritik ai i beson verbërisht njeriut të tij të parë dhe duke u treguar mendjelehtë për nga qëndrimi nuk shfaq as më të voglin dyshim lidhur me veprimet e mundshme të kundërshtarit.


Në anën tjetër, figura e Milush Kopiliqit është paraqitur po kështu me simpati të veçantë, meqë ai ishte heroi i Betejës së Kosovës, ishte princi që humbjen fatale të ushtrisë së krishterë në betejë, e kishte kthyer në fitore individuale duke vrarë sulltanin, jo sepse ai kishte shkelur tokën e tij, por sepse e kishte nënçmuar duke ia dhënë këmbën në vend të dorës. Milushi sedërqar, nuk e kishte përtypur dot përçmimin, duke e ditur po ashtu se qëndrimi i Sulltanit do të thoshte nënshtrim, të cilin ai nuk e duronte dhe realizon synimin  e tij, i vetëdijshëm se nuk do të shpëtonte gjallë, edhe pse ai lufton dhe bën përpjekje për të çarë rrethimin e suitës së Sulltanit.


Ky rrëfim ka shumë pika të përbashkëta me kronikat osmane të kohës dhe me tërë literaturën e botës së krishterë lidhur me Luftën e Kosovës të vitit 1389, e cila shënon ndeshjen dhe humbjen fatale të krishterëve të Evropës dhe Ballkanit, por edhe vrasjen në fushë të Betejës së Sulltan Muratit të Parë.


Të krishterët e Ballkanit dhe të disa shteteve të Evropës qendrore, do ta humbin, me pasoja edhe më fatale Betejën e dytë të Kosovës të vitit 1448, të cilën e udhëhoqi prijësi magjar, Janosh Hunjadi dhe disa princa të Evropës. Mirëpo po në atë kohë, Gjergj Kastrioti, i njohur si Skënderbeu po shënonte një pas një fitoret kundër sulltanëve të Turqisë.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …