A.Q. Si mbijetoi popullata e zhvendosur në zonat e luftës së UÇK-së 20-vjet më parë, deri në ditën e çlirimit II

A.Q. Si mbijetoi popullata e zhvendosur në zonat e luftës së UÇK-së 20-vjet më parë, deri në ditën e çlirimit II

Angazhimi kolektiv i popullatës së zhvendosur për mbijetesë në zonat e luftës së UÇK-së, në territorin e Brigadës 121, Ismet Jashari Kumanova

Mbijetesa e popullatës së zhvendosur në zonat e luftës është histori më vete, janë dëshmi që rrëfejnë një heroizëm të padëgjuar popullor, një organizim  i vetvetishëm kolektiv, i cili kapërcen shumë  caqet që njeh e kaluara e lavdishme e këtij populli gjatë shekujve të ekzistencës e mbijetesës.

Në kushte lufte, kur  nga dita në ditë, apo nga ora në orë pritej intervenimi i ushtrisë dhe policisë serbe, popullata, e cila  nuk donte të largohej nga Kosova ishte mobilizuar dhe rrinte e përgatitur.

Të gjitha ata që kishin traktorë, makina  apo qerre kuajsh, mbanin të ngarkuar miellin apo grurin si dhe rrobat: batanije, jorganë, sfungjerë, plastmas, enë e orendi shtëpiake, stufa, shporete,  dhe në momentin që vëzhguesit nga radhët e  shtabeve civile ushtarake  lajmëronin për nisjen e forcave serbe, menjëherë u drejtoheshin grykave të ngushta të maleve, ku nuk depërtonin dot  tanket armike, edhe pse ata meqë i kishin vënë në shënjestër i gratantonin ato, dhe shpeshherë godisnin në mesin e popullatës në momentet e zhvendosjes.

Pastaj fillonte ngritja e tendave, për të kaluar natën nën strehë.

Ndodhte që brenda një ore, apo edhe më shpejtë popullata me mijëra banorë të futej me shpejtësi në grykat e maleve. Në raste të tilla pavarësisht se ishte larg forca armike, shtabet civile- ushtarake organizonin roje, vëzhgues, me armë çfarë i dispononin dhe ruanin në pikat e caktuara, nga ku mendohej se mund të depërtonin forcat armike.

Grykat e tilla të cilat qëndruan si kështjella natyrore dhe që nuk u shkelen kurrë gjatë tërë kohës së luftës, në territorin që e mbulonte Brigada 121, Ismet Jashari-Kumanova, kanë qenë:

Gryka e Pjetërshticës, “Gryka e Shpëtimit” e fshatit Krojmir, vendqëndrimi me numrin më të madh të popullatës së zhvendosur, e cila në muajin e fundit të luftës kishte rreth 30.000 banorë, Gryka e fshatit Shalë, e degëzuar në drejtim të Kleçkës, Fshatit të Ri e Divjakës, Gryka e maleve të fshatit Baicë e Kolshit, dy grykat e fshatit Neokvc, Gryka e Thatë dhe Gryka e Gashit, Gryka e maleve të Kizharekës, disa në lagjet e Llapushikut, pastaj pjesa perëndimore e Rrafshnaltës së Drenicës, duke filluar nga fshati Arllat, Tërpezë, Temeqinë, Senik Llardrovc, Bajë, Bellanicë, Bllacë, Ngucat e deri te Qafa e Duhlës. Po kështu gjatë luftës nuk janë  pushtuar fshatrat: Berishë, Fshati i Ri, Divjakë, Kleçkë, Javur, Luzhnicë, Dukë Karaçicë. Këto vendqëndrime të popullatës së zhvendosur i kanë përballuar luftës, në kushte dhe rrethana heroike, falë organizmit të jashtëzakonshëm të strukturave ushtarake e civile, falë mobilizimit popullor dhe qëndresës heroike për të mos u dorëzuar dhe për të mos marrë arratinë jashtë Kosovës.

Në kohën kur tërë ky territor dhe pjesa lindore në masivin pyjor të Blinajës, me fshatrat Leletiq, Fushticë e Epërme, e Poshtme, Mirenë, Risinoc, pjesa veriore e Carralevës, fshati Zborc dhe pjesa e Blinajës nga fshatrat, Godanc, Kraishtë, Ribar i Madh, Zllakuqan, si dhe brendia e mijëra hektarëve pyje e Blinajës, ku ndodhej edhe një bazë e fortë ushtarake e policore serbe.

Sipas shënimeve që disponoj, ky territor, të cilin e mbulonte Brigada Kumanova ishte gjithsesi vendqëndrimi më madh i popullatës gjatë luftës në Kosovë. Në këtë territor kanë mbijetuar luftën rreth 135.000 pjesëtarë të popullatës civile. Po kështu vlen të theksohet se në territorin e kësaj brigade, serbët gjatë tërë kohës së luftës nuk arritën t i afrohen popullatës civile, nuk pati masakra dhe të zhvendosurit e kësaj pjese strategjike të luftës së UÇK-së, mbijetuan kolektivisht duke qenë të mobilizuar në të gjitha segmentet.

Në kuadër të këtij territori ishin mbrojtur nga luftëtarët e lirisë edhe SHP i UÇK-së, Shtëpia ku ishte vendosur një pjesë e stafit të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Spitali Ushtarak në Divjakë, Shtabi i Brigadës Kumanova dhe operativa me tërë efektivin e saj, Njësitet Speciale të SHP të UÇK-së, dy institucionet e informimit të luftës: Radio-Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapress.

Ky territor i vendit nuk është shkelur nga këmba armike dhe është i vetmi territor në Kosovë ku numri i të rënëve dëshmorë është më i madh se numri i martirëve. Nëse në këtë territor, raporti dëshmor-martir është më pak se një me një në favor të martirëve, në territoret e tjera ky raport është 1 dëshmor me pesë apo deri më 10 martirë.

Këto shifra e fakte vërtetohen në të gjitha dokumentet e kohës së luftës dhe të pas luftës.

Në katër  muajt e fundit të luftës” mars, prill, maj, qershor  1999 tërë ky territor ishte i rrethuar nga forcat ushtarake e policore serbe, mbase me një dalje të pretenduar në Blinajë mes fshatrave, Zboc e Carralevë, por nuk pati ikje të popullatës, përveç  rasteve të veçanta të  largimit gjatë natës të të plagosurve, apo ndonjë rasti tjetër.

Në këtë territor, gjatë luftës, janë aktivizuar dhjetëra mullinj të bluarjes së drithit, me buti uji, të cilët kanë bluar grurë e misër, ditë e natë, me qëllim që popullata e zhvendosur të mos rrezikohej nga uria. Sasinë më të madhe të grurit, e bartnin luftëtarët e civilët gjatë natës, ku ata depërtonin në fshatrat përreth, mbushin thasët dhe ende pa aguar, drithi i fshatrave të braktisura sillej në mullinj. Nga këta mullinj janë furnizuar edhe mijëra pjesëtarë të popullatës së zhvendosur në zonat e maleve të Kozmaqit e tutje në disa fshatra të Drenicës Qendrore. Transporti është bërë gjatë natës me bartje mbi shpinë të 20 e më shumë kilogramë  miell, në thasë në formë të duqeve, të vendosur mbi supe 10 kg para 10 prapa.

Në aksionin jetik për ta shpëtuar popullatën nga uria kanë marrë pjesë “heronj’ të panjohur

Në këtë aksion jetik për ta shpëtuar popullatën nga uria kanë marrë pjesë “heronj’ të panjohur. Me qindra e ndoshta mijëra prej tyre, të ngelur në anonimitet, kanë kryer detyrën më delikate e shpëtimtare të kohës, shpeshherë duke rënë në prita të serbëve, meqë ata i vëzhgonin me dylbi të natës, herë duke rënë në fusha të minuara. Këta  qindra dëshmitarë të gjallë të kësaj mbijetese, qindra pjesëtarë të popullatës civile, kanë vepruar në përcjellje të luftëtarëve të lirisë nga Brigada Kumanova si dhe një pjesë e luftëtarëve  të dy brigadave të Drenicës, Brigada 113 dhe ajo 114, të cilat në muajt e fundit të luftës ishin barrikaduar në Rrafshnaltë.

Mullinjtë klasikë të ujit, që kanë bluar pa ndërprerë kanë qenë: një në fshatin  Pjetërshticë, dy në Grykën e Krojmirit, dy në grykën e fshatit Shalë, një në Nekovc, dy në Kizharekë, një mulli përmasash të mëdha dhe me kapacitet të dyfishtë në fshatin Lladrovc. Kohë pas kohe, në disa fshatra të tjerë, të këtij territore, janë aktivizuar edhe mullinj me kapacitet të vogël të bluarjes, për shkak të sasisë të pamjaftueshme të ujit.

Po kështu gjatë tërë asaj kohe nuk është ndalur transporti i miellit nga fshatrat e Rrafshit të Kosovës, sidomos atë të rrethit të Lypjanit e Shtimes,  që nuk ishin përfshirë në luftë, dhe të cilat ishin nën kontrollin e forcave ushtarake serbe, ndërsa kontributin vendimtar, më të madhin të mundshëm, qysh prej fillimit të luftës  e kanë dhënë pronarët e mullirit Prapashtica në fshatin Hallaq, pronë e komandantit të Logjistikës, tash heroit të Kosovës, Ismet Asllani-Prapashtica.

Artikujt e tjerë, vaj, kripë, sheqer, qaj bukë, pjekurina sillnin edhe tregtarët ambulantë, në mesin e tyre janë vërejtur edhe të tillë që kanë shitur artikuj deri në 10 herë më shtrenjtë. Ka pasur raste kur një pako cigare është shitur deri në 30 euro.

Të zhvendosurit si dhe luftëtarët e lirisë kanë konsumuar mishin nga kafshët e mbetura në fshatra. Në disa raste edhe i kanë blerë, por në të shumtën e rasteve pronarët ia kanë dhuruar luftëtarëve të lirisë.

Në rol me rëndësi në shërbim të popullatës civile por edhe të luftëtarëve të lirisë kanë luajtur edhe mjekët e luftës, të cilat në kushte dhe rrethana ndër më të vështirat e më të rëndat, u gjeten pranë popullatës  dhe ndanë me të fatin tragjik dhe heroik, duke u bërë jo vetëm shpresa për mbijetesë por edhe duke derdhur gjak si luftëtarë të lirisë.

Mjekët e luftës së UÇK-së, qindra syresh, kanë dhënë një kontribut madhor, pse jo edhe heroik, duke  ushtruar profesion më human që njeh historia e njerëzimit, në kushte dhe rrethana kur edhe jeta e tyre rrezikohej në çdo çast, në çdo vend, në çdo rrethanë dhe situatë. Përveç mjekëve të praktikës së përgjithshme,  teknikë medicinalë, kishte edhe gjinekologë, gjinekologe, kirurgë, stomatolog, urologë, anesteziologë nga të cilët pati edhe dëshmorë e martirë.

Kësaj armate të mjekëve të luftës i kanë ndihmuar përmes lidhjesh të ndryshme  edhe mjekë specialistë nga qytetet e shumta të Kosovës. Ata kanë rrezikuar të kalojnë nëpër postblloqe, të forcave ushtarake e policore serbe, kanë rënë në fusha të minuara, janë ndalura e janë maltretuar, janë arrestuar dhe ekzekutuar.

Nuk ka pasur vendstrehim të të zhvendosurve në zonat e luftës ku kanë munguar mjekët apo teknikët. Edhe në Brigadën 121-Kumanova kanë vepruar mjekë luftëtarë, të cilët nuk janë larguar për asnjë ditë nga zonat e luftës. Në vendqëndrimin më masiv të popullatës në Grykën e Shpëtimit në Krojmir ndodhet edhe një pikë mjekësore stomatologjike, në krye me stomatologun, Naser Bytyçi,      i ku janë kryer shërbime ndër më të ndryshmet dhe ku janë trajtuar edhe anëtarë të SHP të UÇK-së luftëtarë të lirisë dhe popullatë e zhvendosur. Po kështu është për ta veçuar ekipin e mjekut gjinekolog, Jakup Ismajli,  i cili gjatë kohës së luftës ka mundësuar lindjen e më shumë se 100 foshnjave me një dështim të vetëm për shkak të rrugës së gjatë që kishte bërë një nënë e re deri te pika shëndetësore e luftës në Grykën e Shpëtimit. Kontribut të jashtëzakonshëm në këtë Brigadë kanë dhënë edhe mjekët: Fitim Selimi,  Fadil Bajraktari,  Fadil Beka, Agim Hazrolli.

Në Krojmir: Jakup Ismajli, gjinekolog, Naser Bytyqi stomatolog, Reshat Gashi, ndihmës mjek. Teknik medicinalë: Musa Baftiu, Tahir Krasniqi, Mirdita Qeriqi, Habibe Zeqiri, Mirvete Hasani, Lumnije Gashi, Magbule Ibrahimi, Arbana Qeriqi, Ganimete Qeriqi, Teuta Iballi, Merita Iballi

Në Shalë, ish-Sedllar:

Fitim Selimi  Kirurg Torakal, Avdullah   Fazliu ortoped, Hyzer Sinani, mjek

Teknikë medicinalë: Mentor Shamolli, Afërdita Bejtullahu, Afërdita Hoxha, Aferdita Selimi, Zejnije Shala.

Kanë qëndruar kohë pas kohe mjekët e njohur të luftës: Shpëtim Robaj, dëshmor, Fadil Beka kirurg, Agim Hazrolli kirurg –urolog, Hysni Arifi kirurg, Nehat Baftiu anesteziolog, Isa Haxhiu urolog. Naim Bardiqi  onkolog, Abdullah Gruda, Ismet Bogiqi,  Gani Halilaj e të tjerë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Aeroplanë bombardues të NATO-s godasin bazën ushtarake serbe në Qafë të Duhlës (E mërkurë 28 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Aeroplanë bombardues të NATO-s godasin bazën ushtarake serbe në Qafë të Duhlës (E mërkurë 28 prill, 1999)

Meqë ishim marrë vesh me Hilmiun dhe Agronin për t’ u nisur së bashku për …