AAK-ja i mbyll derën Kurtit: “Nuk bëhemi pjesë e Qeverisë Kurti 3”

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lahi Brahimaj, ka përjashtuar kategorikisht mundësinë që partia e tij të bashkëqeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje në një mandat të tretë të Albin Kurtit. Ai theksoi se për AAK-në, zgjedhjet e reja janë alternativa e vetme nëse Kurti nuk siguron shumicën. “Qëndrimi ynë është i prerë – nuk ka asnjë skenar që AAK-ja të bëhet pjesë e një Qeverie Kurti. Nëse nuk i kanë votat, atëherë rruga e drejtë janë zgjedhjet,” tha Brahimaj në një prononcim për media. Sipas tij, Kurti po zvarrit qëllimisht procesin e formimit të institucioneve, duke mos treguar vullnet politik për bashkëpunim me partitë tjera. “Që prej ditës kur e ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, s’ka pasur asnjë përpjekje serioze për të ndërtuar shumicë. Ai nuk lobon për ekipin e vet, por për Nenad Rashiqin – për të siguruar numra nga të tjerët. Kjo tregon mungesë serioziteti,” shtoi Brahimaj. Ai nënvizoi se AAK-ja nuk kërkon poste e as përfshirje në qeverisje, por mbetet e gatshme të mbështesë një shumicë të re opozitare që do t’i jepte fund paqartësisë aktuale. “Ne kemi deklaruar qartë – jemi të gatshëm të japim votën për një qeveri të opozitës, vetëm që vendi të dalë nga kriza politike,” përfundoi ai.

Kontrolloni gjithashtu

Sot pritet të përmbyllet rinumërimit të vendvotimeve dhe vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime të ardhura jashtë vendit

Arbër Jashari: Manipulimi i votave të hetohet deri te urdhërdhënësit, jo vetëm te numëruesit

Pas mospërputhjeve të mëdha të zbuluara nga rinumërimi i votave në disa komuna, avokati Arbër …