Sylë Ukshini: Rasti Del Ponte – Beograd dhe ndikimi në drejtësinë ndërkombëtare

Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj mund të konsiderohen viktima tipike të “lojës së balancës” që Del Ponte e aplikoi për të ruajtur kredibilitetin ndërkombëtar të Tribunalit dhe për të nxitur bashkëpunimin e Serbisë. Ata u gjykuan jo për shkak të provave të forta juridike, por për të përmbushur një funksion politik dhe simbolik në arkitekturën e drejtësisë ndërkombëtare: të dëshmohej se ICTY “nuk ishte kundër serbëve, por kundër të gjithëve”

Një lexim krahasues i veprave të Nevenka Tromp (Prosecuting Slobodan Milosheviq: The Unfinished Trial, 2016) dhe Carole Hodge (The Balkans on Trial: Justice vs. Realpolitik, 2019) ofron një analizë të thelluar mbi një nga episodet më të debatueshme të drejtësisë ndërkombëtare pas luftërave në ish-Jugosllavi: kompromisin e majit 2003 ndërmjet Carla Del Pontes dhe Beogradit. Ky zhvillim interpretohet nga të dyja autoret si një moment kyç, që ndikoi në mënyrë të ndjeshme në perceptimin e pavarësisë institucionale, transparencës dhe konsistencës juridike të Tribunalit të Hagës (ICTY).

Sipas Trompit, kompromisi nuk përbënte një marrëveshje formale, por një pakt të heshtur politik, që e zhvendosi Tribunalin nga një proces rreptësisht juridik drejt një negociate diplomatike me autoritetet serbe. Zbatimi i Rregullit 54 bis, që lejonte vendosjen e masave mbrojtëse mbi dokumente shtetërore, i mundësoi Beogradit të kufizonte qasjen në materialet kyç të Këshillit Suprem të Mbrojtjes (SDC), duke reduktuar transparencën gjyqësore dhe duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në ndjekjet e ardhshme për krime lufte.

Tromp e përshkruan këtë zhvillim si një kthesë paradigmatike në funksionimin e Tribunalit të Hagës:

“Negociatat jashtë sallës së gjyqit zëvendësuan vetë procesin gjyqësor, duke e kthyer ndjekjen ligjore të përgjegjësisë në një kompromis politik që mbrojti interesat shtetërore të Serbisë.” (Tromp 2016, 178)
“Gatishmëria e Tribunalit për të negociuar rreth deklasifikimit të dokumenteve ushtarake kyç dobësoi autoritetin e tij dhe e bëri të paqartë vijën ndarëse midis ligjit dhe diplomacisë”. (Tromp 2016, 182).

Kronologjia e zhvillimeve dhe natyra e kompromisit

Sipas dokumenteve dhe analizave të Nevenka Tromp, dinamika ndërmjet Prokurorisë së Tribunalit të Hagës dhe autoriteteve serbe gjatë vitit 2003 përfaqëson një periudhë kyç, ku drejtësia ndërkombëtare kaloi nga veprimi juridik në negociatë politike. Ngjarjet mund të lexohen si një proces gradual të institucionalizimit të kompromisit.

Më 17 shkurt 2003, Carla Del Ponte njoftoi ministrin e Jashtëm serb, Goran Svilanović, se aktakuzat ndaj disa pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishin në përgatitje. Paralelisht, ajo pranoi lirimin e përkohshëm të Milan Milutinović-it, ish-presidentit të Serbisë, si shenjë bashkëpunimi nga Beogradi. Ky gjest, që në pamje të parë mund të interpretohej si hap teknik procedural, në fakt krijoi terrenin për një marrëdhënie të re politike mes Tribunalit dhe Serbisë.

Më 2 prill 2003, Svilanović artikuloi qartë “vijat e kuqe” të Beogradit: dokumentet që implikonin zinxhirin komandues të ushtrisë dhe shtetit serb nuk do të dorëzoheshin në asnjë rrethanë. Kjo shënoi momentin kur bashkëpunimi me Tribunalin u kushtëzua nga ruajtja e sekreteve shtetërore dhe nga mbrojtja e figurave të larta politike e ushtarake.

Në maj 2003, Del Ponte u dërgoi një letër zyrtare autoriteteve serbe, ku pranonte që pjesë të caktuara të dosjeve të Këshillit Suprem të Mbrojtjes (SDC) të mbroheshin me masa të posaçme, në këmbim të dorëzimit të tyre për përdorim të kufizuar gjyqësor. Me këtë veprim, drejtësia ndërkombëtare pranoi faktikisht logjikën e kompromisit: sigurimin e provave të pjesshme në vend të transparencës së plotë.

Ky zhvillim nuk ishte thjesht një akt teknik, por një moment kthese në raportin midis Tribunalit dhe shtetit serb. Ai shënoi kalimin nga një proces juridik të pavarur në një marrëdhënie të ndërmjetësuar politikisht, ku bashkëpunimi minimal u vendos mbi parimin e përgjegjësisë penale dhe zbardhjes të së vërtetës. Tromp e përshkruan këtë si fillimin e një “simetrie të rreme” në drejtësinë ndërkombëtare — një kompromis që ruajti interesat shtetërore të Serbisë në kurriz të integritetit të Tribunalit dhe të viktimave të krimeve të luftës.

Dy qasje komplementare: Tromp dhe Hodge

Nevenka Tromp e interpreton kompromisin e majit 2003 si një moment kritik të dobësimit të integritetit institucional të Tribunalit, pasi ai shënoi fillimin e një qasjeje të ndërmjetme midis ligjit dhe diplomacisë. Për të, Rregulli 54 bis u shndërrua në instrument të politizimit të drejtësisë, duke u përdorur për të mbrojtur interesat shtetërore të Serbisë.

Ndërkaq, Carole Hodge e sheh këtë kompromis si pjesë të një strategjie më të gjerë të “balancimit penal”, përmes së cilës prokuroria ndërkombëtare kërkonte të ruante një ekuilibër etnik në ndjekjet penale. Ajo argumenton se kjo strategji rezultoi në ngritjen e aktakuzave të dobëta ndaj figurave të UÇK-së, si Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj, për të krijuar perceptimin e paanshmërisë së Tribunalit.

Hodge thekson:

“Ky rast nuk duhej të kishte shkuar kurrë në Hagë, sepse provat ishin të pamjaftueshme dhe dëshmitarët të pabesueshëm. Krahasuar me krimet e forcave serbe, akuzat ndaj Limajt ishin të vogla dhe zakonisht i përkisnin juridiksionit kombëtar.” (Hodge 2019, 211–214)

Po ashtu, ajo shton se:

“Rasti Haradinaj përfaqësonte kulmin e strategjisë së balancimit të Del Pontes. Ai u akuzua për të ruajtur iluzionin e paanshmërisë, jo sepse kishte prova të mjaftueshme.” (Hodge 2019, 215–217)

Dy prokurorë britanikë, Sir Geoffrey Nice dhe Andrew Cayley, refuzuan të merrnin përsipër aktakuzën duke e konsideruar të pambështetur me prova, por ajo megjithatë u ngrit nën presion politik. Këto raste, sipas Hodge, krijuan një “iluzion të paanësisë” që dëmtoi kredibilitetin e Tribunalit dhe e paraqiti drejtësinë ndërkombëtare si instrument të Realpolitikës.

Efektet dhe kostot e kompromisit

Në planin juridik, kompromisi i majit 2003 prodhoi pasoja të ndjeshme mbi integritetin e procesit të drejtësisë ndërkombëtare. Zbatimi i Rregullit 54 bis, që i lejonte Serbisë të vendoste masa mbrojtëse mbi dokumentet shtetërore, kufizoi transparencën e provave dhe pamundësoi ndërtimin e zinxhirëve të plotë të përgjegjësisë komanduese. Si rrjedhojë, shumë nga dokumentet kyç të Këshillit Suprem të Mbrojtjes (SDC) – që mund të ndriçonin lidhjet midis vendimmarrjes politike në Beograd dhe krimeve të kryera në terren – mbetën të padisponueshme për trupën  gjykuese. Ky veprim dobësoi standardet e provueshmërisë dhe krijoi një precedent të rrezikshëm, sipas të cilit bashkëpunimi politik me shtetet mund të zëvendësonte kërkesat themelore të drejtësisë penale ndërkombëtare.

Në planin politik, kompromisi e transformoi Tribunalin nga një institucion i pavarur juridik në një aktor të ndërmjetëm midis drejtësisë dhe diplomacisë. Strategjia e ashtuquajtur e “balancës etnike”, që synonte ruajtjen e një ekuilibri simbolik në ndjekjet penale, prodhoi pasoja të shumëfishta. Nga njëra anë, ajo shërbeu për të bindur Beogradin se drejtësia ndërkombëtare nuk ishte selektive; nga ana tjetër, krijoi perceptimin e një simetrie artificiale midis agresorit dhe viktimës. Kjo qasje rezultoi në ngritjen e aktakuzave të dobëta dhe të motivuara politikisht ndaj figurave të UÇK-së, ndërkohë që shumë krime të dokumentuara të forcave serbe mbetën të paadresuara. Në këtë mënyrë, balanca e pretenduar shërbeu jo si garanci e paanshmërisë, por si mjet për të zbutur tensionet politike me Serbinë dhe për të ruajtur kredibilitetin e përkohshëm të Tribunalit.

Në planin institucional, kompromisi e dëmtoi rëndë besueshmërinë e Tribunalit si organ i pavarur juridik. Gatishmëria për të negociuar mbi transparencën e provave krijoi një perceptim të fortë se drejtësia ndërkombëtare ishte e gatshme të sakrifikonte parimet procedurale për interesa politike. Kjo zbehje e autoritetit institucional ndikoi drejtpërdrejt në mënyrën si u perceptua ICTY në opinionin publik ndërkombëtar dhe rajonal — jo më si simbol i drejtësisë globale, por si instrument i Real-politikës ndërkombëtare. Në pasojë, shumë nga vendimet e tij filluan të interpretoheshin më shumë në terma të ekuilibrave diplomatikë sesa të drejtësisë penale.

Në tërësi, kompromisi Del Ponte–Beograd krijoi një model të ri të drejtësisë së negociuar, ku parimet juridike u nënshtruan ndaj interesave politike të momentit. Ky model, i lindur në Tribunalin e Hagës, më vonë do të shfaqej në forma të tjera të drejtësisë tranzicionale në Ballkan, duke përfshirë edhe krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës – një institucion që trashëgon dilemat dhe tensionet midis drejtësisë dhe diplomacisë, të filluara që në vitin 2003.

Narrativa e mohimit dhe instrumentalizimi politik nga Serbia

Siç vërejnë Tromp, Hodge dhe Geoffrey Nice, Serbia ka përdorur drejtësinë ndërkombëtare në mënyrë selektive, duke pranuar autoritetin e saj vetëm kur kjo u ka shërbyer interesave politike. Akuzimi i Kosovës për krime ka qenë pjesë e një strategjie shtetërore për barazimin moral, që synon të zbehë legjitimitetin e luftës çlirimtare të UÇK-së dhe të mbajë të hapur çështjen e statusit ndërkombëtar të Kosovës.

Që nga vitet 1990, Serbia ka ndërtuar një narrativë të qëndrueshme mohimi, duke i paraqitur krimet e forcave të saj si “aksione mbrojtëse” dhe duke refuzuar çdo formë përgjegjësie institucionale për to. Një ndër format më të sofistikuara të këtij mohimi ishte fshehja e dokumenteve sekrete të Këshillit Suprem të Mbrojtjes (Supreme Defence Council – SDC), e realizuar me miratimin e prokurores Carla Del Ponte. Ky kompromis, i arritur në vitin 2003, pati pasoja të drejtpërdrejta në drejtësinë ndërkombëtare, sidomos në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) të vitit 2007 në çështjen Bosnia and Herzegovina v. Serbia and Montenegro.

Tromp thekson se këto materiale u dorëzuan në dy versione:

një version i plotë, i cili u mbajt sekret dhe nuk iu dorëzua mbrojtjes;

një version i redaktuar, i cili u pranua për përdorim të kufizuar nga Tribunali (ICTY).

Ky veprim, sipas saj, dobësoi strukturën provuese të Prokurorisë dhe krijoi precedent që drejtësia ndërkombëtare mund të negociohej në bazë të interesave shtetërore.
Tromp shkruan se: “Gatishmëria e Tribunalit për të negociuar mbi deklasifikimin e dokumenteve kyç ushtarake e dobësoi autoritetin e tij dhe e zbehu vijën ndarëse midis ligjit dhe diplomacisë” (Tromp, 2016, f. 182).

Tromp argumenton se kjo fshehje dokumentesh ndikoi drejtpërdrejt në rezultatin e çështjes Bosnia v. Serbia në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (2007).
Për shkak se ICJ përdori si burim kryesor dokumentet e publikuara nga ICTY, mungesa e versioneve të plota të SDC-së bëri që:

të mos provohej zinxhiri i komandës midis ushtrisë jugosllave (VJ) dhe njësive serbe në Bosnjë;

të mos mund të argumentohej plotësisht përfshirja shtetërore e Serbisë në planifikimin dhe zbatimin e gjenocidit të Srebrenicës.

Si rezultat, Gjykata nuk e shpalli Serbinë përgjegjëse për gjenocid, por vetëm për “mosparandalim të gjenocidit”. Tromp e përshkruan këtë si një “dështim i drejtësisë ndërkombëtare”, ku kompromisi i Del Pontes shpëtoi shtetin serb nga përgjegjësia penale ndërkombëtare.

Në vijim, Serbia ndoqi strategjinë e ashtuquajtur “moral equivalence”, duke barazuar krimet e saj në Bosnjë dhe Kosovë me pretendime për krime të UÇK-së. Sipas dëshmive të Tribunalit të Hagës, kjo logjikë u përdor edhe në procesin ndaj Milosheviqit, ku ai përpiqej të paraqiste Serbinë si viktimë të “separatizmit dhe terrorizmit shqiptar”. Pranimi i fajësisë do të kishte pasoja të rënda politike dhe morale për elitën shtetërore serbe, prandaj mohimi i krimeve mbetet një element përbërës i identitetit politik dhe diplomatik të Serbisë.

***

Në këtë kuptim Marrëveshja Del Ponte–Beograd përfaqëson një nga rastet më të qarta të ndërthurjes midis ligjit dhe politikës në drejtësinë ndërkombëtare të pasluftës në Ballkan. Serbia përfitoi nga kufizimet procedurale për të ruajtur kontrollin mbi dokumentet e Këshillit Suprem të Mbrojtjes dhe për të shmangur ekspozimin e provave që implikonin strukturat shtetërore në krime lufte. Nga ana tjetër, Prokuroria ndërkombëtare synoi të ruante një imazh të paanshmërisë përmes krijimit të një ekuilibri penal artificial, që në praktikë u përkthye në akuzimin e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Edhe pse ky kompromis mundësoi një bashkëpunim të përkohshëm mes Tribunalit dhe autoriteteve serbe, ai pati pasoja afatgjata mbi legjitimitetin, transparencën dhe pavarësinë institucionale të ICTY-së, duke ushqyer perceptimin e drejtësisë selektive në Ballkan. Në këtë kontekst, Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj mund të konsiderohen si viktima tipike të strategjisë së “balancës” që Carla Del Ponte aplikoi për të ruajtur kredibilitetin ndërkombëtar të Tribunalit dhe për të nxitur bashkëpunimin e Serbisë me të. Ata u gjykuan jo mbi bazën e provave të qëndrueshme juridike, por për të përmbushur një funksion simbolik në arkitekturën e drejtësisë ndërkombëtare – për të dëshmuar se ICTY “nuk ishte kundër serbëve, por kundër të gjithëve”.

Në një plan më të gjerë, ky episod ndihmon të kuptohet origjina konceptuale e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të ngritura mbi logjikën e ngjashme të ndërthurjes midis politikës dhe drejtësisë ndërkombëtare. Ky zhvillim ka zgjatur debatin mbi raportin ndërmjet sovranitetit shtetëror, ndërhyrjes ndërkombëtare dhe drejtësisë tranzicionale në Evropën Juglindore, duke e vendosur Kosovën në qendër të një paradigme të re të drejtësisë së pasluftës – as plotësisht kombëtare, as plotësisht ndërkombëtare, por të ndërmjetme dhe të kontestuar në legjitimitet.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …