Dr. Skënder Demaliaj

Dr. Skënder Demaliaj: DITA E BESËS SË MADHE

28 gushti i vitit 1943 do të mbahet mend në kujtesën e malësorëve tropojanë si Dita e Besës për luftë kundër pushtuesit të huaj, si dita e bashkimit pa dallim bindjeje politike, krahine e besimi, si dita e betimit për Flamurin, si dita e vëllazërimit, si dita kur mbi gjithçka ishte çështja kombëtare. Është kjo arsyeja që kjo datë historike ka hyrë në ndërgjegjen e çdo tropojani, është kjo arsyeja që është përkujtuar në vite si festë e madhe, është kjo arsyeja që rrugë e shkolla kanë mbajtur emrin e nderuar “Besëlidhja e Malësisë”.

28 gushti është dita kur masivisht populli i Malësisë së Gjakovës bashkohet me partizanët në luftë kundër fashistëve italianë.

Prova e parë e suksesshme ishte çlirimi i Gjakovës. Mbi 1000 malësorë, me çetën “Bajram Curri” në ballë, në fillim të shtatorit sulmuan garnizonet italiane në Çabrat dhe i morën ato. 24 djem, nga më të spikaturit, në lulen e rinisë u vranë dhe u plagosën, por pesëfishin e paguan pushtuesit fashistë. U armatos djalëria tropojanë e gjakovare nga depot italiane. U armatos për të qenë e gatshme për të përballuar pushtuesin e ri gjerman, i cili ishte më i madh në numër, më i armatosur dhe më i egër. U armatos duke luftuar dhëmb për dhëmb me pushtuesin. U armatosën të gjithë pa përjashtim, nga shtatë në shtatëdhjetë, sepse atdheu është i të gjithëve dhe duhej çliruar po nga të gjithë. Sulmi mbi Gjakovën ishte sulmi i parë mbi një qytet nga forcat partizane të Tropojës e të Kosovës.

28 gushti bashkoi ndjenjat e malësorëve në një emërues të përbashkët: luftë pa kompromis deri në çlirimin e plotë të vendit kundër pushtuesit.

U gjunjëzuan para sovranit popull, më 28 gusht edhe ata që pak ditë më parë i kishin kërkuar, nëpërmjet nënprefektit të Tropojës, qeverisë kuislinge 3000 franga si shpërblim “për të garantuar mbajtjen e qetësisë edhe me derdhje gjaku” (Nënkupto, për të përjetësuar pushtimin fashist të vendit). Këtë moment kënga popullore e ka fokusuar qartë dhe me nota epike: “Kryet përtokë e ul paria/ ngjeshi armët gjithë Malësia”.

Në Kuvend u demaskuan bashkëpunëtorët e fashistëve, të cilët me “argumentet” e tyre: “Italia na bashkoi me Kosovën”, “s’mund të luftojmë me Italinë, është dërzhave e madhe” synonin të sabotonin Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Atyre iu tha hapur, shkoqur drejt në sy para popullit: “Ju kemi thirrur për t’ju thënë: Villni makaronat e Duçes, braktisni shpërblimet, rrogat, gradat dhe ofiqet qe keni marrë nga Italia fashiste! Largohuni nga rruga e tradhtisë sa më parë (nesër do të jetë vonë) dhe bashkohuni sa më shpejt e sinqerisht me ne!” Nacionalistët e ndershëm reflektuan pozitivisht, kurse ata që kishin ngjyer gishtin në sahanin e tradhtisë, vetëm sa për sy e faqe e dhanë fjalën.

Me ardhjen e pushtuesit të ri gjerman do t’u prinin kolonave ushtarake gjermane për të asgjësuar luftën e partizanëve… Një funksionar i lartë i qeverisë kuislinge lëshonte thirrjen: “Kumtoni parisë se vetëm mbajtja e rregullit është shpëtimi i vendit, u kujtoj besën që na keni dhënë, për të cilën keni detyrë me vdekë e jo me u thye”. Ishin momente hutimi, disekuilibri, frike, paniku para uraganit popullor. Ishin përpjekjet e fundit për të penguar luftën e tij (për të ndarë njerëzit, për të veçuar e izoluar partizanët). Vargjet e këngës popullore: “Dhe u derdhën shtigjeve të maleve/ Gjithë malësorët pas komisarëve” – janë tepër domethënëse.

Sa neveritëse, antishkencore e antikombëtare tingëllojnë sot akuzat e shpifjet e disa politikanëve dhe pseudo historianëve se “ishin partizanët me komunistët në krye që provokuan luftë civile”.

Në Kuvendin e burrave, buzë Valbonës, në livadhin plot lule (lule që u thanë në këto 35 vjet), në ditën me “temperaturë” të lartë u shmang gjakderdhja, u lidh besa, u forcua lufta.

Kuvendin e përgatitën, e organizuan dhe e drejtuan përfaqësues nga Bytyçi, Gashi, Krasniqja dhe Nikaj-Mërturi.

Ishin njerëz me autoritet, luftëtarë të sprovuar, me bindje të ndryshme, por që bashkëpunuan pa hile, seriozisht dhe mbi bazën e besës tradicionale. A nuk është ky mesazh i qartë për ditët e sotme?! Shqiptarët duhet të merren vesh me njëri-tjetrin, të dëgjojnë e të duan njëri-tjetrin, të punojnë bashkërisht, të shmangin bashkërisht rreziqet, të gëzojnë bashkërisht. Në Kuvend ushtoi fuqishëm zëri i Shaban Haxhisë, i Fahri Ramadanit (nga Shkodra) e i shumë të tjerëve. Në të gjitha trevat shqiptare luftohej për një qëllim. Fjalët e tyre të mençura, të thjeshta e të sinqerta, mprehtësia, guximi, vendosmëria, njohja e mirë e situatës brenda dhe jashtë vendit, bëri të mundur të realizohej qëllimi për të cilin ishte organizuar kjo mbledhje. Shqipërisë edhe Malësisë së Gjakovës nuk i kanë munguar kurrë burrat e mençur e atdhetarë. Do të vijë dita që pseudo demokratët, ngatërrestarët, hileqarët, përçarësit e kombit, karrieristët, mashtruesit, hipokritët, kuislingët e bashkëpunëtorët e fashizmit të fshihen nga jeta politike e vendit duke ikur me turp, ashtu siç i largoi në atë kohë prova e madhe, lufta.

Në Kuvend pati debate, diskutime dhe fitoi ajo që i shërbente popullit, interesave kombëtare. Ndonjëri u largua i pakënaqur, i pezmatuar pse nuk gjeti mbështetje mendimi apo propozimi i tij, por shpejt u pendua. Në Kuvend nuk pati të humbur. Të gjithë dolën të fituar. Kur fiton populli nuk ka përse shqetësohet apo mërzitet ndonjë subjekt politik apo politikan. Duhet edhe ai ta kuptojë se është i fituar. A nuk është ky një mesazh për të gjitha forcat politike shqiptare për të respektuar e për të pranuar ndershmërisht, sinqerisht, pa paragjykime verdiktin e popullit?

Në Tropojë si në gjithë Shqipërinë, në vitet 1992-1997 u prishën pllakat përkujtimore, u shkatërruan lapidarët, u dogjën muzetë. Një popull që nuk vlerëson me objektivitet historinë e tij, nuk nxjerr mësime prej saj e nuk nderon luftëtarët e tij, është pa të ardhme. Të mos harrojmë fjalët e Luigj Gurakuqit: “Një popull që nderon burrat e vet, një popull që pavdekëson kujtimin e tyre, jo vetëm ndër faqet e historisë, por edhe mbi rrasa e monumente, ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndjesi të holla”.

Tropoja, e vrarë dhe e plagosur pas viti 1997, pajtohet dhe kthehet në identitet kur të gjykohen e ndëshkohen ata që e futën në vëllavrasje. Kur të vlerësohet nga të gjitha forcat politike Lufta e Lavdishme Nacionalçlirimtare e të festohet nga të gjithë Festa e Besëlidhjes tek ura e Kolgecajve, si simbol i unitetit e i bashkimit.

Kur të vlerësohen bijtë e saj që e udhëhoqën me guxim e vendosmëri këtë luftë. Ata duhet të jenë krenaria e Tropojës, qytetarë nderi të Bajram Currit. Kur të vlerësohen bijtë e bijat e saj, që e udhëhoqën Tropojën në transformime të mëdha ekonomike e sociale, ndërtuan qytetin, Hidrocentralin e Fierzës, shkolla, spitale, krijuan plantacione me pemë frutore shumëfishuan sipërfaqen e tokës së ujitur, etj.

Puna, djersa, sakrificat, gjaku i popullit të Tropojës nuk duhet të shkojë hise humbur.

Tropoja pajtohet, jo me fjalë të mëdha, me pabesi e mashtrime, por me vepra të mëdha e fisnike. Tropoja kthehet në identitet duke respektuar traditat më të mira të saj dhe të trevave të tjera të Shqipërisë, duke respektuar ligjin dhe institucionet demokratike. Duke pasur në krye burra të mençur, trima, të drejtë, të ndershëm, atdhetarë, të sakrificës si në ditët heroike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Tropoja dhe Shqipëria kanë nevojë për Marathonomakë…

Kontrolloni gjithashtu

Fatmir Graiqevci

Fatmir Grejqevci: Nga „Vëllezërit Karamazov“ te Durkheimi dhe thirrjet për pushkatimin e Ramush Haradinajt (!)

Dukuritë negative që po vazhdojnë të lëshojnë rrënjë, papengueshëm, në shoqërinë tonë, nuk kanë se …