Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: SHTETI TË KUJDESET PËR JETËN E RAMUSHIT DHE DAUT HARADINAJT

Gjashtë vjet e gjysmë më parë, më 27 shkurt 2020, në një pritë u vra Qerim Kelmendi – Dema, apo Shpirtmadhi. U vra njëri prej atyre njerëzve që i kishin dhënë vendit jetë, luftë, sakrificë dhe liri. Para tij u vranë njerëz të tjerë që kishin qenë protagonistë të luftës çlirimtare dhe të jetës politike e shoqërore të Kosovës. Pas Qerimit nuk kemi vetëm çështjen e një vrasjeje të pazbardhur, kemi edhe raste të tjera, raportime për plane atentatesh ndaj tyre sikur është rasti I informacionit të vitit 2022 për planin e dyshuar të atentatit, sipas raportimeve, në shënjestër përmendeshin Ismet Haxha, Xhavit Haliti dhe Albin Kurti. Për këtë arsye, rasti nuk mund të klasifikohet thjesht si kërcënim ndaj një personi dosido; bëhet fjalë për një tablo më të gjerë të kërcënimeve ndaj figurave politike dhe ish-strukturave të luftës.

Ajo që shqetëson sot nuk është vetëm fakti i vrasjeve. Është fakti se një pjesë e tyre kanë mbetur pa një përgjigje të besueshme shtetërore: kush i vrau, kush i urdhëroi, kush i organizoi dhe, mbi të gjitha, kujt i shërbeu heshtja pas tyre?

Në një shtet që e konsideron veten të çliruar dhe sovran, vrasja e njerëzve që kanë qenë pjesë e historisë së çlirimit nuk mund të trajtohet si një dosje e zakonshme kriminale që humbet nëpër arkiva. Çdo vrasje e tillë është edhe një provë për shtetin. Dhe kur ajo mbetet e pazbardhur, prova nuk është kaluar.

Rasti i Qerim Kelmendit është pikërisht një prej këtyre provave.

Nuk mund të pretendohet se kemi ndërtuar institucione të fuqishme të sigurisë nëse shteti nuk arrin të japë një përgjigje për vrasje të tilla. Nuk është fjala vetëm për drejtësinë që i detyrohet viktimës dhe familjes së saj. Është fjala për mesazhin që i jepet shoqërisë: a janë të mbrojtur ata që kanë qenë në ballë të luftës dhe të ndërtimit të shtetit, apo mund të vriten dhe historia e tyre të mbyllet bashkë me dosjen?

Nga vrasjet e pazbardhura te kërcënimet e sotme

Pikërisht për këtë arsye, institucionet tona të sigurisë duhet t’i marrin shumë seriozisht kërcënimet publike ndaj Ramush dhe Daut Haradinajt.

Nuk po them se kërcënimet e sotme janë pjesë e një skeme të organizuar. Këtë nuk mund ta thotë askush pa prova. Por, po them diçka shumë më të thjeshtë dhe shumë më të rëndësishme: në rrethanat e Kosovës, kërcënimet publike ndaj njerëzve të tillë nuk mund të trajtohen si frustrime çasti, si shpërthime të rrjeteve sociale apo si fjalë që harrohen të nesërmen.

Institucionet duhet të pyesin kush i bën këto kërcënime, pse i bën, a janë të izoluara, a kanë ndonjë burim të përbashkët, a ekziston ndonjë nxitje e organizuar dhe nëse dikush po përpiqet të krijojë një klimë ku dhuna ndaj figurave të caktuara të bëhet e mendueshme, e pranueshme apo edhe e pritshme.

Kjo është detyrë e shtetit.

Sepse krimi nuk fillon domosdoshmërisht me të shtënën. Në raste të caktuara, para aktit kriminal mund të krijohet një klimë: denigrim, dehumanizim, kërcënim, përsëritje e akuzave, shndërrim i kundërshtarit politik në armik dhe, më pas, normalizim i idesë se ai është një objekt i lejueshëm i urrejtjes.

Prandaj, edhe klima publike duhet të merret seriozisht.

Rasti i Qerim Kelmendit duhet të na ketë mësuar diçka

Në periudhën para vrasjes së Qerim Kelmendit u krijua një klimë e rëndë publike rreth emrit të tij dhe vëllaut të tij Ibrahim Kelmendit. U fol, u akuzua dhe u hodhën pretendime të shumta. Një pjesë e kësaj zhurme mbeti në opinion, ndërsa vrasja ndodhi.

Sot, pyetja nuk është nëse çdo fjalë e thënë para asaj vrasjeje ishte pjesë e një plani. Këtë nuk e dimë.

Pyetja është: A u hetua ndonjëherë seriozisht nëse klima e krijuar para vrasjes kishte lidhje me autorët, nxitësit apo organizatorët e krimit?

Nëse jo, atëherë kemi lënë pa hetuar një pjesë të rëndësishme të vetë krimit.

Edhe roli i mediave dhe i personave që prodhuan dhe e mbajtën në skenë atë klimë meriton të shqyrtohet, nëse ekzistojnë fakte që e justifikojnë një gjë të tillë. Këtu nuk mjaftojnë as akuzat politike dhe as pëshpëritjet. Duhet hetim.

Nëse dikush e ka nxitur një intervistë, një fushatë publike apo një valë akuzash pikërisht në një periudhë të caktuar dhe kjo ka pasur lidhje me zhvillimet që pasuan, shteti duhet ta zbulojë. Nëse nuk ka pasur lidhje, edhe kjo duhet të bëhet e qartë. Shteti nuk mund të ndërtohet mbi “thuhet”, ai duhet të ndërtohet mbi prova.

A PO PËRSËRITET NJË MODEL?

Këtu qëndron shqetësimi im.

Sot kemi kërcënime publike ndaj Haradinajve (Ramushit dhe Dautit. Kemi një klimë politike gjithnjë e më të ashpër. Kemi një gjuhë që, sidomos në rrjetet sociale, po kalon nga kundërshtimi politik në denigrim personal dhe, në raste të caktuara, në kërcënime të drejtpërdrejta.

Dhe kemi rastet: Xhylani, Kllokoqi dhe Llugiqi, ato nuk duhet të trajtohen vetëm një nga një, si incidente të shkëputura, pa u parë edhe në raport me njëri-tjetrin. Ndoshta nuk kanë asnjë lidhje. Kanë lidhjeapo jo, janë pjesë e një plani apo jo këtë duhet ta zbulojë shteti.

Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse një hetim serioz nuk duhet të nisë nga përfundimi se kemi një skemë të koordinuar. Duhet të nisë nga pyetja nëse ekziston një e tillë. Moslënia e gjurmëve nuk është provë e një skeme. Por as mungesa e gjurmëve nuk duhet të përdoret si arsye për të mos kërkuar gjurmët.

Politika nuk duhet të bëhet luftë kundër historisë së vendit

POLITIKA NUK DUHET TË BËHETË ARENË LUFTE KUNDËR HISTORISË SË VENDIT

Është e natyrshme që partitë politike të përplasen. Është e natyrshme edhe që figurat politike të kritikohen ashpër. Por ekziston një vijë që nuk duhet kaluar.

Kur përplasjet politike zbrItur te militantët dhe po përkthehen në slogane të tipit “Ramush–Radojçiqi”, problemi nuk është më vetëm debati politik është edhe e çara në shoëri nëpër të cilën mund të vijnë Duart e orëve të liga. Një etiketim i tillë mund të bëhet instrument i një procesi më të gjerë denigrimi, sidomos kur përsëritet vazhdimisht dhe shndërrohet në gjuhë të zakonshme të turmës.

Kritika politike është e ligjshme vetëm kur akuza provohet, kërcënimi hetohet dhe dhuna parandalohet. Kosova nuk mund të ndërtojë shtet duke e kthyer luftën politike në luftë kundër historisë së sajdhe teren për goditje.

Shteti duhet të jetë më i fortë se politika

Më shqetëson veçanërisht fakti se, në shumë raste, institucionet e sigurisë duken sikur presin që një kërcënim të shndërrohet në krim përpara se të reagojnë seriozisht. Pikërisht kjo ndodhi me Qerim Kelmendin, ndaj kjo nuk duhet të ndodhë me Haradinajt.

Që institucionet të jenë parandaluese: duhet të analizojnë modelet, lidhjet, burimet, financimet, komunikimet dhe motivet. Duhet të shohin nëse një kërcënim është i izoluar apo pjesë e një klime më të gjerë. Duhet të kuptojnë se kush e nxit, kush e amplifikon dhe kujt mund t’i shërbejë.

Në këtë kuptim, tri rastet e kërcënimeve ndaj Haradinajve duhen parë me profesionalizëm, pa paragjykim politik dhe pa përfundime të paracaktuara. Nëse janë tri shpërthime të veçuara, le të provohet se janë të tilla. Nëse pas tyre qëndron një organizim, ai duhet të zbulohet. Nëse dikush po përpiqet të krijojë klimën për një veprim më të rëndë, shteti duhet ta ndalojë përpara se të ndodhë.

Kjo është siguria.

Heronjtë e gjallë nuk janë pronë e një partie

Nuk duhet harruar një gjë themelore: Ramush dhe Daut Haradinaj nuk janë vetëm figura të një partie politike. Në këtë rast të Aleancës. Mund të pajtohesh ose të mos pajtohesh me ta. Mund të kritikosh çdo vendim të tyre politik. Mund të mendosh se kanë gabuar dhe duhet të largohen nga politika. Por jeta e tyre nuk është çështje partie. Është çështje e shtetit.

Njerëzit që kanë qenë pjesë e luftës për çlirimin e vendit nuk mund të mbrohen vetëm kur janë në pushtet dhe të harrohen kur janë në opozitë. Siguria e tyre duhet të jetë një detyrim institucional, pavarësisht se kush qeveris. Sepse, shteti që mbron vetëm njerëzit e vet quhet shtet I kapur pse jo dhe kriminal.

Moszbardhja e një vrasjeje është paralajmërim

Ndoshta këtu duhet të kthehemi edhe një herë te Qerim Kelmendi. Moszbardhja e vrasjes së tij nuk është vetëm një dosje e pambyllur. Është një paralajmërim.

Nëse dikush mund të vrasë një njeri që ka qenë pjesë e historisë së çlirimit të Kosovës dhe shteti nuk arrin të tregojë kush e vrau, kush e urdhëroi dhe pse, atëherë mesazhi që mbetet është i rrezikshëm: heronjtë janë të cenueshëm dhe shteti mund të mbetet pa përgjigje. Kjo duhet të ndryshojë.

Nuk po kërkojmë që shteti të shpikë fajtorë për të kënaqur opinionin. Po kërkojmë të kundërtën. Po kërkojmë që shteti të mos ketë frikë nga e vërteta. Të hetojë pa marrë parasysh emrin e viktimës, emrin e të dyshuarit, partinë, pushtetin apo interesin politik.

PËR FUND

Nuk e kisha menduar ndonjëherë se mendimi për kërcënimet ndaj Ramush dhe Daut Haradinajt do të më çonte te një analogji kaq e rëndë me klimën që i parapriu vrasjes së Qerim Kelmendit. Nuk dua të besoj se historia mund të përsëritet. Por pikërisht sepse nuk dua të përsëritet, mendoj se institucionet duhet ta marrin seriozisht çdo kërcënim.

Nuk duhet të presim një vrasje tjetër për të kuptuar se një kërcënim ishte serioz. Nuk duhet të presim një viktimë tjetër për të pyetur se kush e krijoi klimën. Dhe nuk duhet të presim një tjetër Qerim Kelmend për të kuptuar se sa e kushtueshme është heshtja e shtetit.

Unë nuk dyshoj domosdoshmërisht në kapacitetet e shtetit. Dyshoj në vullnetin e tij për t’i përdorur ato gjithmonë me të njëjtën forcë, pavarësisht se kush është viktima, kush është i dyshuari dhe kujt mund t’i prishë hetimi hesapet politike. Prandaj, sot, para se të jetë vonë, shteti duhet të kujdeset për jetën e Ramushit dhe Daut Haradinajt. Jo se ata janë të paprekshëm nga kritika, por se janë qytetarë të këtij shteti.

Një shtet që nuk arrin t’i mbrojë njerëzit e tij nga kërcënimi, e aq më pak të zbardhë vrasjen e tyre kur ajo ndodh, nuk është vetëm mbrojtës I dobët I qytetarit, por ai e cenon vetë kuptimin e lirisë për të cilën është ndërtuar.

Sot në mungesë të shtetit funksional Ramushi nuk është vetëm e shkuara e lavdishme, ai është balanca jonë Pentagon-Gjeopolitikë.

Kontrolloni gjithashtu

Bunkeri i Radios Kosova e Lirë

RKL: Bunkeri i Radios Kosova e Lirë nuk është pronë private e askujt

Bunkeri i Pallanikut, nga i cili Radio Kosova e Lirë transmetoi gjatë luftës, nuk është …