Duke u nisur nga shfaqja e shmangjes (devijancës) së sotme të vetëdijes njerëzore e praktikisht, të shoqërisë, drejt dukurisë së vartësisë së saj nga teknologjia kibernetike, vendosa të trajtoj disa ide e mendime të miat rreth temës së këtij shkrimi, me frymë sa filozofiko-politike, aq edhe shoqërore.
Kjo dukuri, me hapat gjigand të zhvillimit të teknologjisë kibernetike*(Shkenca që studion ligjet ose veçoritë e përgjithshme të drejtimit në organizmat e gjallë e të makinave si edhe metodat e mun-dësitë teknike për të lehtësuar punën e njeriut, duke zëvendësuar disa nga veprimet e tij mendore e praktike me anë të aparateve e të pajisjeve të ndërlikuara automatike. Shekulli i kibernetikës. Zhvillimi i kibernetikës. -F.GJ.S.SH.) fatkeqësisht është kthyer në një pandemi globale për qenien njerëzore, është kthyer, gati-gati në një bombë të kurdisur për shpërthim, por që s’dihet nga masa e madhe e nje-rëzimit, koha e shpërthimit të saj shfarosës, të njerëzimit.
Pra, siç po duket fare hapur sot, dukuria ka dalë jashtë kontrollit, falë manisë për pasurim të paimagjinuar të manjakëve të zotërimit anëve të errëta e çjerëzore të efekteve që mund të prodhojë “arma” teknologji kibernetike e pakontrolluar, e pakomanduar nga arsyeja e shëndoshë njerëzore, brenda limiteve ku ajo teknologji, të mund të përdoret nga njeriu, që të mund t’i shërbejë njerëzimit e, të komandohet nga arsyeja e shëndoshë e njeriut, për të mirën njerëzore.
Sot, po përdoret gjithnjë e më shumë një term, i cili njihej nga njeriu shqiptar, që në bankat e shkollës si “algoritëm matematikor”, por që tani, kësaj kohës kur interneti ka marrë përdorim masiv dhe teknologjia përdoruese dhe funksionuese nga ai, është shtrirë pothuajëse tek çdo njeri në Globin Tokësor, ky termi “mistik” po quhet “algoritëm” e, unë po i them edhe “çudibërës”.
Cili është kuptimi semantik i termit “algoritëm-i”?
Termi “algoritëm” (në trajtën e shquar-algoritmi) në thelb nënkup-ton një përmbledhje udhëzimesh hap pas hapi për zgjidhjen e një problemi ose për kryerjen e një detyre specifi-ke.
Në rrafshin gjuhësor dhe shkencor, kuptimi semantik i këtij
termi ndahet në disa shtresa semantike kryesore:
Së pari, në shtresë, etimologjike (prejardhja)
Fjala e ka origjinën nga latinizimi i emrit të matematikanit të madh persian të shekullit të IX, Muhammad ibn Musa al-Khwarizmi. Libri i tij mbi rregullat e aritmetikës, prezantoi në Perëndim, sistemin e numërimit hindu-arab dhe, mënyrën e kryerjes së llogaritjeve hap pas hapi. Emri i tij ndryshoi me kalimin e kohës në algorismus, duke dhënë fjalën që përdorim sot – algoritëm* (nga interneti).
Së dyti, le tëvërejmë veçoritë e termit, në shtresën semantike, se si funksionon.
Për t’u quajtur i tillë në mënyrë të mirëfilltë, një algoritëm duhet të përmbushë disa kushte semantike logjike, si:
Të jetë i përcaktuar mirë. (pa paqartësi): Çdo hap duhet të jetë i qartë dhe të ketë vetëm një interpretim.
Të ketë hyrje dhe dalje, d.m.th., merr disa të dhëna fillestare dhe prodhon një rezultat specifik.
Të jetë i fundmë, që do të thotë se duhet të ketë një numër të kufizuar hapash dhe të përfundojë gjithmonë (nuk mund të va-zhdojë në pafundësi).
Sot, në epokën digjitale, fjala ka marrë një peshë të madhe sociale, pasi algoritmet e inteligjencës artificiale dhe të rrjeteve sociale përcaktojnë atë që ne shohim, lexojmë dhe dëgjojmë çdo ditë në internet.
Vetëdija njerëzore, në këto kohëra të pushtuara nga “logjika” e internetit, po sprovohet gjithnjë e më shumë.
Pse po ndodh një dukuri e tillë sprovuese e saj nga “algoritmi”?
Mendoj se kjo vartësi sprovuese e logjikës njerëzore po pëson shmangien e vet, jonormale, sepse, njeriu, mekanikën, teknologjinë kibernetike, e ka kthyer në “mit”.
Atëherë, natyrshëm, shtroj pyetjen: A po e sprovon (sfidon) sot “al-goritmi” vetëdijen njerëzore?
Po! Algoritmi po e sprovon sot në mënyrë ekzistenciale vetëdijen njerëzore, duke u shndërruar nga një instrument teknik në një strukturë autoritare që po riformaton proceset tona njohëse dhe vendimmarrëse.
Në gjithë këtë kohë zhvillimi marramendës të teknologjisë kibernetike, ka ndodhur edhe një dukuri tjetër, ajo e zhvendosjes së qendrës së gravitetit shpirtëror.
Në rrugëtimin e gjatë të evolucionit njerëzor, vetëdija ka qënë gjithmonë kështjella e fundit e paprekshme e qenies njerëzore, vatra ku farkëtohej e farkëtohet mendimi kritik, ku lindte dhe lind dyshimi filozofik dhe, ku merrte e merr jetë arti i mirëfilltë.
Megjithatë, epoka e sotme digjitale po na përball me një thyerje të thellë ekzistenciale.
Algoritmi, i cili lindi semantikisht si një përmbledhje e thjeshtë udhëzimesh matematike, hap pas hapi, sot ka pësuar një mutacion ontologjik*(Diçka që i përket vetë qenies, thelbit ose strukturës së brendshme të një gjëje, dhe jo thjesht marrëdhënieve të saj të jashtme apo mënyrës se si ne e njohim atë..- shpjeg. sipas inter.)
Ai nuk po kufizohet më tek llogaritja e të dhënave, por po ndërhyn drejtpërdrejt në mënyrën sesi ne zgjedhim, ndjejmë, gjykojmë dhe perceptojmë botën.
Pyetja nuk është më, nëse teknologjia po na ndihmon, por, nëse po e zëvendëson gradualisht vetëdijen tonë shpirtërore.
Mjeti efikas njohës për të thjeshtuar botën, por edhe si një burim i shpeshtë i gabimeve logjike, njihet edhe me termin dikotomia, si sisteme klasifikimi (p.sh. gjallesë / jogjallesë) dhe në statistikë përmes variablave efikase të njohjes së botës dikotomike (p.sh. po / jo) për të strukturuar të dhënat në mënyrë të qartë, pra,sistemi njohës, arsytues mes logjikës mekanike (tek-nologjisë) dhe vetëdijes ndjesore.
Në rrafshin e filozofisë së mendjes, dallimi mes algoritmit dhe vetëdijes njerëzore qëndron tek mungesa e asaj që në shkencë quhet qualia* – (shpeg. nga int.: – përjetimi subjektiv i realitetit.)
Një algoritëm i inteligjencës artificiale mund të analizojë strukturën e një poezie, mund të kombinojë miliona neolo-gjizma apo, të skanojë me saktësi metrikën e një vargu, por ai nuk mund të ndjejë as dhimbjen e një gjenocidi, as mallin e mërgimit dhe, as peshën e “kreshtënajës së urtësisë”.
Tragjedia moderne qëndron te fakti se njeriu i sotëm, i lënë nën mëshirën e rrjeteve sociale dhe platformave digjitale, po pranon vullnetarisht që, ky kod mekanik, të bëhet udhërrëfyesi i tij moral.
Përmes të ashtuquajturave “algoritme të rekomandimit”, njerëzimit po i ofrohet një realitet i parapërgatitur.
Njeriu nuk po e kërkon më të vërtetën përmes përpjekjes intelektuale; asaj kërkese dhe detyrimi, po ia zë vendin informacio-ni i filtruar që ushqen vetëm paragjykimet tona.
Ky është një atentat ndaj vullnetit të lirë dhe një sprovë e hapur ndaj vetëdijes që tenton ta kthejë njeriun nga një qenie krijuese, në një konsumator pasiv.
Në të gjithë këtë rrafshnajë jetësore gjykuese subjektive (njerëzo-re), po ndodh ai i ashtuquajturi “skanim social”: “industrializimi i vëmendjes dhe, amnezia e shpirtit” (!!!)
Nga pikëpamja shoqërore, algoritmi po funksionon si një fabrikë gjigante e “industrializimit” të vëmendjes njerëzore.
Ai ushqehet nga impulset tona më primitive – nga frika, zemërimi, dhe dëshira për konfirmim të shpejtë. Duke krijuar ato që sociologjia moderne i quan “dhomat e jehonës”, d.m.th. (thellësitë e nënvetëdijes – subkoshiencës) algoritmet po fragmentojnë shoqë-rinë në parcela të vogla urrejtjeje dhe ndarjesh.
Kjo dukuri ka një ngjyrim të frikshëm politik: ajo e bën ma-sën jashtëzakonisht të manipulueshme.
Kur vetëdija njerëzore privohet nga dyshimi dhe nuancat, ajo kthehet në një terren të përshtatshëm për instalimin e dogmave të reja, apo stereotipeve të reja. Nëse juntat dhe diktaturat çnjerëzore, shtypëse të njeriut e të shoqërisë, përdornin forcën fizike për të shtypur mendimin e lirë, sot autokracitë algoritmike përdorin shpërndarjen e kalkuluar të informacionit për të për-gjumur vetëdijen, duke e çuar shoqërinë drejt një amnezie kronike shpirtërore, pra shpirtvrasjeje.
Rendjet, (diskursi) kërkimet letrare, por edhe ato në rraf-she të tjera komunikuese njerëzore, paraqiten si “kudhra” përballë “kodit binar”- si një përpjekje ekzistenciale për të ruajtur forcën e fjalës së gjallë dhe pasurinë e pastërtinë e gju-hës tonë amtare, ballë prodhimit të dy “realiteteve” njëjtas për të njëjtin objekt, apo dukuri, një realitet logjik dhe një “rea-litet” të prodhuar nga teknologjia kibernetike.
Për ne që besojmë tek forca e fjalës së gjallë, tek pastërtia e pasuria e gjuhës shqipes dhe, tek porositë që lihen trashëgimi nëpër libra, ky shndërrim i botës në një matricë (në një struk-turë, mjedis, apo rrjetë rregullatore, brenda së cilës diçka merr formë, zhvillohet ose kontrollohet – shpjeg. inter.) algoritmike përbën një rrezik estetik.
Letërsia dhe arti i mirëfilltë lindin nga thyerjet e mëdha, nga vuajtja që kërkon dritë, nga ajo kudhër e jetës ku poeti far-këton ardhmërinë. Këtë “kudhër” asnjë kod binar i përbërë nga zero dhe njësha nuk mund ta riprodhojë.
Sprova (sfida) e ditëve të sotme është pikërisht ruajtja e këtij zëri organik njerëzor. Kur algoritmi pretendon të shkruajë ese, të krijojë art apo të japë mendime filozofike, ai nuk po krijon vlerë, por po prodhon një simulant të shpirtit.
Rreziku nuk është se, makinat po bëhen njerëzore, por se njerëzit, duke u varur verbërisht prej tyre, po mekanizohen dhe po humbasin aftësinë për të reflektuar në thellësi logjike.
Si përfundim, pas gjithë kësaj lufte për ruajtjen e vetëdijes njerëzore, ballë algoritmit, ulërima e heshtjes në epokën di-gjitale është më se tronditëse e, po aq edhe alarmuese.
Në këtë trajtesë me frymë filozofiko-sociale u përpoqa që të tregoj telegrafisht se,beteja e vërtetë e këtij shekullit të ri-XXI, nuk po zhvillohet vetëm në terrenet gjeopolitike, por edhe brenda hapësirës së vetëdijes sonë. Algoritmi po e sprovon sot njeriun duke i ofruar komoditet në këmbim të lirisë së tij me-ndore.
Përballë kësaj makinerie të padukshme të kontrollit njohës,
inteligjenca, mendimi kritik dhe letërsia e angazhuar s’mund të heshtin. Heshtja e të mirëve po ulërin edhe në këtë epokë të zhurmës digjitale. Ne kemi detyrimin t’i rikthehemi “kreshtënajës së urtësive” tona të lashta njerëzore, duke refuzuar atë që, ekzistencën tonë përpiqet që ta reduktojët në një nu-mër apo statistikë të një kodi kompjuterik. Vetëdija duhet të mbetet sovrane, sepse vetëm ajo di ta kthejë jetën në art dhe në liri.
Tiranë, më 02 tetor 2026.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
