Dialogu dhe tejkalimi i dallimeve midis partive shqiptare për interesa kombëtare do të ishte vlerë politike, qytetare dhe demokratike. Republika e Kosovës dhe stabiliteti i saj është çështje shqiptare, interes jetik i kombit shqiptar në rajon e më gjerë.
Kryeministri i sotëm, – Albin Kurti i djeshëm, – erdhi në pushtet me gaz, me tym e flakë. Përmes tymit e flakës u largua sonte nga Kuvendi i Republikës!
Dënimi i disa prej drejtuesve të Luftës Çlirimtare dhe të Republikës së Kosovës nuk mund të kalonte pa efekte politike dhe pa efekte emocionale. Mllefi dhe pakënaqësia që shkaktoi dënimi i tyre po shndërrohen në tensione dhe përplasje ndërshqiptare! Tensionimi dhe polarizimi i skajshëm mund të ishin tejkaluar po të kishte patur pak vullnet Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe partia e tij. Ky vullnet nuk ekzistoi ose nuk u shpreh deri sot!
Votimi për ndryshimin ose amandamentimin e ligjit për dhomat e specializuara të Kosovës nga LVV – ja u kushtëzua me votimin ose zgjedhjen e Kryetarit të Republikës!! Kjo lojë, sa hileqare po aq e ulët, thelloi mosbesimin midis PDK – së dhe LVV-së. Jashtë Kuvendit të Republikës ishin mbledhur mijëra qytetarë që kërkonin votimin e ligjit edhe në lexim të dytë, gjë që u refuzua nga LVV-ja (Kryetari i saj)!
Refuzimi i LVV – së që të votohet ligji rriti tensionin dhe përshkallëzoi revoltën e qytetarëve. Kryeministri, më shumë se kurrë shpalosi papërgjegjshmërinë e tij, duke u hequr si i papërgjegjësi për krijimin e dhomave të specializuara! Të gjithë e dinë se si u votua dhe kush e votoi ligjin për dhomat e specializuara…
Por, sot, çështja është si të ndryshohet ky ligj dhe si të kemi sa më pak efekte negative dhe dëme për imazhin e Republikës së Kosovës dhe pozitës së saj. Për këtë kërkohej bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe dialogu midis forcave politike parlamentare në Prishtinë, por edhe midis pushtetit dhe Organizatave e Shoqatave të dala nga Lëvizja dhe Lufta jonë Çlirimtare. I një rëndësie të dorës së parë ishte dhe është në çdo kohë bashkëpunimi dhe bashkërendimi me Shtetin tonë Kombëtar, me Tiranën zyrtare… Këto masa dhe këto nisma i takonin kryesisht Kryeministrit dhe partisë së tij, LVV-së.
E kemi parë gjatë gjithë këtyre ditëve se Kryeministri manifestoi dhe dëshmoi se është i papërgjegjshëm. Sonte ia vuri kapakun! Një politikan – qeveritar që refuzon dialogun dhe bashkëpunimin midis shqiptarëve dhe me Tiranën nuk meriton respektin dhe votën e shqiptarëve. Një politikan dhe qeveritar i tillë duhet të largohet nga skena politike dhe institucionale – shtetërore…
LDK – ja e mbetur dëshmoi para popullit shqiptar dhe para opinionit ndërkombëtar se ka mbetur ajo që ishte…
PDK – ja e sotme është në udhëkryq, pa kauzë! “Mbrojtja e UÇK-së” nuk është kauzë as e PDK – së dhe as e dikujt tjetër. UÇK – ja ishte krijuar nga Lëvizja Popullore e Kosovës për t’i dal zot Kosovës dhe viseve të saj, ishte krijuar për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë. UÇK – ja nuk kishte kërkuar që ta nbronte dikush! Me Luftën e saj Çlirimtare dhe me përkrahjen e Shtetit tonë Kombëtar dhe të mbarë kombit, Ajo kishte fituar edhe përkrahjen e SHBA – së e të NATO – s. Me Luftën e saj Çlirimtare dhe me përkrahjen që kishte fituar, UÇK – ja e çliroi Kosovën (pa vise). Pas çlirimit UÇK – ja u shpërbë (u demilitarizua). Pra, ka 27 vite që UÇK – ja nuk ekziston si formacion ushtarak a politik. Prandaj, them se UÇK-ja nuk ka nevojë për mbrojtjen e askujt, nuk kishte as kur ishte. Shqiptarët pa dallim, partitë politike dhe institucionet kanë detyrim kombëtar, politik, moral e kushtetues ta mbrojnë FITOREN historike të UÇK-së, – Çlirimin e Kosovës, – dhe ta çojnë në vend POROSINË e UÇK-së dhe të Dëshmorëve të Atdheut për zgjidhjen e plotë të çështjes shqiptare, ribashkimin e kombit dhe të Atdheut, – Shqipërisë…
Kjo situatë e tensionuar mund të jetë “profitabile” për partitë politike, sidomos për LVV-në, e cila po duket se është e interesuar për zgjedhje të reja, por nuk është interes i popullit shqiptar..
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
