Xhevat Bislimi

Xhevat Bislimi: KU GABUAM (SIPAS MEJE)?

Vendimi i Lëvizjes Popullore të Kosovës për Luftë të Armatosur Çlirimtare ishte historik për fatin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe për kombin shqiptar. Krijimi i një force të armatosur,-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, – nga Lëvizja Popullore e Kosovës ishte vendim i një rëndësie të veçantë historike për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë. Me Luftën Çlirimtare të UÇK-së dhe të kombit shqiptar, veçanërisht me mbështetjen e gjithanshme që kjo Luftë mori nga Shteti ynë Kombëtar, u çlirua një pjesë e tokave të pushtuara të Shqipërisë (Kosova pa viset e saj, Kosova në kufijtë e imponuar krahinorë). Kjo ishte dhe është FITORE HISTORIKE, më e madhja pas krijimit të Shtetit tonë Kombëtar në një të tretën e Shqipërisë. Një fitore e këtillë, krejt në fund të shek. XX, s’kishte si mos t’i dehte fitimtarët… DEHJA nga FITORJA e madhe s’ka si të mos prodhojë edhe efekte (pasoja) të padëshirueshme për vet të dehurit, por edhe për shoqërinë – vendin.
GABIM, që na kushtoi shumë, ishte bindja e krijuar te klasa e re politike dhe prej tyre te publiku se fitorja dhe fitimtarët janë të paprekshëm, në një kohë kur në Kosovë ishte një multi prani ndërkombëtare dhe në kohën kur Kosovën më së paku e kontrollonin shqiptarët…!
GABIM ishte edhe mënyra se si u sollëm me “drejtësinë” e UNMIK – EULEX – sit që kishte filluar “gjuetinë e shtrigave” dhe po arrestonte e dënonte luftëtarë e eprorë të UÇK – së me akuza të sajuara dhe qesharake! Nuk ishin pak ata që u arrestuan dhe u dënuan me shumë vite burg nga kjo “drejtësi”, që bashkëpunonte ngushtë me “drejtësinë” e Serbisë shoviniste! Për të gjitha këto arrestime e dënime kishte vetëm një reagim – refren nga partia ku isha edhe unë një nga themeluesit dhe drejtuesit e saj: “ASKUSH MBI LIGJIN”! Kjo logjika “askush mbi ligjin” e trimëroi shumë “drejtësinë” unmikiane dhe më vonë euleksiane, e cila po e rriste edhe oreksin e Serbisë shoviniste për të bërë diçka më shumë për dënimin e luftëtarëve dhe eprorëve, përfaqësuesve e drejtuesve të Luftës Antipushtuese – Çlirimtare të UÇK-së. Kjo më shumë ishte krijimi i një Gjykate të specializuar (dhomat e specializuara)! Krijimit të saj, natyrshëm i ishte shtruar rruga nga (anti)drejtësia unmikiane, nga libri i Karla Del Pontes, nga raporti i Dik Martit dhe rezoluta e parlamentit të Këshillit të Evropës… Majën ia kishin zënë BE – ja, me SHBA – në dhe Kanadën, me krijimin e Task Forcës për Hetime Speciale (2011 – 2014) me një kryeprokuror amerikan (Viliamson), i cili në raportin e tij (shtator 2014) propozonte krijimin e një gjykate! Puna është se një gjykatë e krijuar nga OKB-ja (edhe po të krijohejë) ose nga ndonjë instancë tjetër ndërkombëtare do të ishte e papranueshme për popullin shqiptar, e pabesueshme dhe pa efektin që dëshironin disa qarqe e vende të huaja, sidomos Serbia, të cilën po kërkonin ta “zbusnin”, ta kënaqnin e ta pajtonin, me dëshirë që ta shkëpusnin nga Rusia, Kina…
Krijimi i Gjykatës së specializuar (dhomave të specializuara!) nga Republika e Kosovës (Kuvendi i saj!!) do të ishte FITORE e madhe e Serbisë shoviniste dhe e aleatëve të saj… Por, këtë fitore nuk do të mund ta arrinte Serbia armiqësore me aleatët e saj, as me Evropën. Kjo fitore mund të vinte dhe erdhi me “miqtë tanë të përjetshëm”, – aleaten tonë strategjike, – SHBA – në. Drejtuesit e asaj kohe besuan… Vazhdimin e tregimit e dini!
GABIMI “strategjik”, që erdhi nga dehja që na dha Fitorja e Madhe, – çlirimi i Kosovës (qoftë edhe pa viset e saja), – ishte opinioni, që me kohë u bë bindje dhe po vazhdon ta dominojë mendjen e varfër – euforike: “Luftën e bënë dhe e fituan vetëm 2 % e shqiptarëve të Kosovës!!?” Këtë përqindje ndonjëri, që është pak më dorëlëshuar, e çon deri në 3 %!! Konstatim, bindje dhe opinion publik injorantësh, tmerrësisht i dëmshëm dhe fatal!! Ky ishte GABIMI dhe DËMI më i madh që iu bë legjitimitetit të Luftës Çlirimtare të UÇK-së!! Nuk do të kishte mënyrë më të mirë se ky OPINION publik për ta paraqitur Luftën tonë Çlirimtare si vullnet të një 2 – 3 % të popullit të Kosovës!!? 2 – 3% këtë luftë e kishte ideuar, organizuar, strukturuar dhe drejtuar me konspiracion të thellë në emër të popullit dhe në përputhje me vullnetin e tij, sepse në kushte të një pushtimi të egër nuk mund të bëhej ndryshe… Luftën Çlirimtare të UÇK-së, si shprehje dhe vullnet të koncentruar të një populli të pushtuar për liri, pavarësi e bashkim kombëtar, kjo kategori shqiptarësh (kryesisht luftëtarë e eprorë të UÇK – së) po e prezantonin dhe propagandonin si një luftë kundër dëshirës dhe vullnetit të popullit shqiptar!!? Duket që këta njerëz, duke e kufizuar Luftën e UÇK-së si luftë të një 2 – 3 % të popullit të Kosovës mendonin se po ia rrisnin peshën dhe vlerën vetvetes!!? Harronin ose nuk e kuptonin këta njerëz se po e cenonin legjitimitetin e Luftës së UÇK-së, duke e paraqitur dhe propaganduar si luftë të një 2 – 3 %!! Edhe vet Kryeheroi dhe Kryeprofeti i kombit tonë, GJERGJ KASTRIOTI, kur erdhi në Krujë, u kishte thënë shqiptarëve (popullit të Tij arbëror): LIRINË NUK UA SOLLA UNË. ATË E GJETA MIDIS JUSH! Për ta mbyllur do të thoja që Lufta Çlirimtare e UÇK – së, po të mos ishte shprehje, dëshirë, vullnet dhe nevojë jetike e popullit të pushtuar shqiptar (në Kosovë dhe në viset e saj) dhe po të mos e kishte përkrahjen e këtij populli, të Shtetit tonë Kombëtar, të mbarë kombit në Iliri dhe të shqiptarëve pa dallim në botë, nuk do ta fitonte përkrahjen e SHBA – së – NATO – s e të PERËNDIMIT dhe kurrë nuk do të FITOHEJË! Përkrahja mbarëkombëtare i dha legjitimitetin që të dehurit nga fitorja, qoftë edhe pa vetëdije, po donin t’ia hiqnin…!!
GABIM tjetër, jo pa pasoja, ishte organizimi dhe prezantimi i partive politike, pas LUFTËS, si “krah lufte”!! Themeluese, përfaqësuese dhe krah politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte LËVIZJA POPULLORE E KOSOVËS, e cila, me mençuri dhe me pjekuri e maturi politike dhe kombëtare, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk e krijoi dhe nuk e mbajti për vete, por ia dha popullit të pushtuar shqiptar, ia dha kombit shqiptar dhe shqiptarëve kudo në botë… E tillë do të duhej të mbetej edhe pas Luftës, sidomos pas shpërbërjes së saj. E tillë, VLERË HISTORIKE – KOMBËTARE DHE PASURI E VLERË KOMBËTARE EDHE PËR BREZAT PAS NESH (sa të ketë komb shqiptar), ishte, është dhe do të jetë. Partitë politike nuk e kanë as vlerën, as peshën dhe as dimensionin të jenë vlera e pasuri kombëtare me afat të gjatë… Partitë politike krijohen dhe përpiqen e “luftojnë” për pushtet, privilegje e pasuri. Sot janë, nesër nuk janë dhe harrohen e fshihen nga kujtesa si bryma para diellit. Ndërsa UÇK – ja, produkti me peshë historike i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, mbetet përgjithmonë në kujtesën e kombit shqiptar…
GABIM ishte edhe mendimi dhe besimi se me largimin e Serbisë nga Kosova e kufijve të imponuar krahinorë ishin larguar ose heshtur – shuar edhe forcat kolaboracioniste dhe celulat – rrjeti i shërbimeve sekrete serbe në Kosovën shqiptare…
GABIM ishte edhe nxitimi për të biseduar me Serbinë para se ajo ta njihte të drejtën e Kosovës për shkëputje dhe pavsrësi prej saj… Kjo pati për pasojë krijimin e komunave “serbe” në Kosovë dhe trajtimin e pakicës serbe si të barabartë me shumicën absolute shqiptare, fusnotën dhe koncesione tjera, jo të domosdoshme…
GABIM ishte dhe është edhe mbajtja e UÇK – së në rrugë e sheshe dhe thirrjet: UÇK! UÇK! në vend të thirrjeve, kërkesave, organizimeve dhe angazhimeve për ruajtjen, zhvillimin dhe fuqizimin e mëtejmë të FITORES HISTORIKE të UÇK-së e të kombit shqiptar, LIRINË e Kosovës dhe përmirësimin e pozitës së popullit shqiptar në Maqedoninë tonë… Koha që USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS të jetë pjesë integrale e të gjitha teksteve që përdoren në shkollat dhe universitetet tona për frymëzimin, edukimin dhe formimin kombëtar, njerëzor e intelektual të nxënësve dhe studentëve tanë, sepse në këtë rrafsh me interes kombëtar jemi të vonuar! Koha që Lufta Çlirimtare e UÇK-së dhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare, me të gjitha vlerat e saj atdhetare, çlirimtare, liridashëse, njerëzore, emancipuese, kombëtare, kulturore, letrare e demokratike dhe përparimtare të jetë pjesë e formimit të mendësisë, sjelljes, arsyetimit, kulturës dhe jetës së përditëshme politike – institucionale, ndërpartiake e ndërreligjioze, qytetare dhe njerëzore e shqiptarit kudo që të jetë dhe çfarëdo pozite e pune që të ketë. Koha që përpjekjet dhe Lufta jonë Çlirimtare të kuptohet, të shpjegohet e të jetohet me MENDJE të kthjellët e jo me eufori – dehje dhe emocione që nxiten nga zhvillime dhe ngjarje politike ditore, edhe kur nuk na pëlqejnë…
GABIM, jo i vogël, që dënimi i disa prej përfaqësuesve dhe drejtuesve të UÇK-së të “promovohet”, paraqitet e propagandohet në rrjete sociale – media dhe në rrugë e sheshe si “DËNIM I USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS dhe i Luftës sonë Çlirimtare! E kuptoj, edhe e di, që kishte dhe ka qarqe dhe shtete që me shumë kënaqësi dhe pa hezitim do ta kishin dënuar UÇK-në dhe Luftën tonë Çlirimtare… Por, sot nuk kanë si ta dënojnë, sepse UÇK – ja si formacion nuk ekziston më, që nga viti 1999. Kur ishte nuk patën fuqi ta dënonin sepse, Ajo kishte fituar simpatinë dhe përkrahjen e një kombi të tërë. Sot, edhe po të duan, nuk e dënojnë dot, sepse, ajo është bër pjesë e pandashme – organike e mendjes dhe e shpirtit të çdo shqiptari…
GABIM është edhe kur po thuhet se “janë gëzuar shqiptarët” që u dënuan Jakupi, Hashimi, Rexhepi e Kadriu… Gabim, sepse nuk duhet ngatërruar bashkëpunëtorët e djeshëm e të sotëm të Serbisë me shqiptarët. Nuk ka shqiptar që i gëzohet dënimit të tyre…
Sepse DËNIMI i Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit, i Rexhep Selimit dhe i Kadri Veselit ka dhe do të ketë efekte të dëmshme për imazhin (pamjen) e Kosovës e të kombit shqiptar dhe për pozitën politike e ndërkombëtare të Kosovës dhe të marrëdhënieve të saj me botën. Dënimi i tyre me të drejtë ka shkaktuar shpërthim të paparë emocional, revoltë, indinjatë dhe mjaft zhgënjim. GABOJNË ata individë që thonë se “u dënuan disa individë”, siç e kishte “kurdisur” edhe Gjykata e specializuar këtë dënim të tyre! Ata nuk ishin individë! Ata nuk mund të ndahen – zhvishen nga funksionet që kishin gjatë Luftës, në Konferencën e Rambujes dhe pas Luftës, deri sa u arrestuan. Në këtë kuptim, partitë politike dhe institucionet shtetërore do të duhej të ishin në nivelin e detyrave dhe përgjegjësive që kanë dhe, të bashkuar t’u dalin përpara efekteve – pasojave që mund të ketë dënimi i tyre nga kjo Gjykatë e specializuar, “në emër të popullit të Kosovës(!!).” Zbutja e këtyre pasojave, krahas angazhimit të sinqertë e të gjithanshëm për lirimin e tyre, do të ishte e suksesshme duke u këshilluar dhe koordinuar me institucionet e shtetit tonë kombëtar, me krerët e tij. Më rezulton (qofsha i gabuar) se edhe protesta tre-katër muajshe e një grupi “qytetarësh” në Tiranë dhe goditjet e “specializuara e të koordinuara” që po i jepen shtetit tonë kombëtar nuk janë spontane, pikërisht në prag të dënimit të KATËRSHES dhe pas dënimit të tyre… Nuk më rezulton pa HILE edhe loja me zgjedhjet dhe me institucionet në Republikën e Kosovës Shqiptare…
Prandaj, është GABIM të shkërmoqemi e të shpenzojmë gjithë energjinë kombëtare në SINKRON me projektet dhe skenarët e huaj… Më shumë se kurrë na duhet mendja! Më pak se kurrë na duhet emocioni – euforia!
P. S.
GABIM I MADH, por që nuk e bëra pjesë të këtij shkrimi me karakter aktual, ishte edhe heqja dorë, “vullnetarisht” nga e Drejta Themelore – Jetike e kombit shqiptar për t’u BASHKUAR NË NJË SHTET – NJË SHQIPËRI. Asnjë shqiptar, asnjë organizatë – parti dhe as një institucion nuk e kishte, nuk e ka dhe nuk do ta ketë këtë mandat!

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: GJYKATA SPECIALE TË ZHBËHET

Krijimi i kësaj gjykate ishte mashtrim i imponuar. Mashtrimi ishte nga armiqtë, imponimi nga aleatët! …