Wesley Clark: Fitorja në Kosovë mposhti gjenocidin, e detyruan Millosheviçin të dorëzohet dhe t’i largojë trupat nga aty

Wesley Clark kritikon ashpër vendimin e Hagës: “Thaçi është viktimë, kjo është gabim”

Ish-komandanti suprem i NATO-s për Evropën, gjenerali amerikan në pension Wesley Clark, ka shprehur zhgënjimin e tij të thellë me vendimin ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke e cilësuar veçanërisht të padrejtë trajtimin e ish-presidentit Hashim Thaçi. Në një intervistë për Klan News, Clark tha se nuk pajtohet me rezultatin e procesit gjyqësor dhe vuri në pikëpyetje përgjegjësinë që i është atribuar Thaçit për veprimet e kryera gjatë dhe pas luftës. “Jam i zhgënjyer me rezultatin dhe jam i zhgënjyer që Thaçi është mbajtur në paraburgim për pesë vjet”, deklaroi Clark. Sipas tij, gjatë luftës Thaçi nuk kishte kontroll operacional mbi zhvillimet në terren. Clark tha se gjatë konfliktit kishte takuar dy herë Thaçin dhe se drejtimin ushtarak të UÇK-së e kishte Agim Çeku. “Thaçi nuk kontrollonte përditë se çfarë ndodhte në luftime. Asnjëherë nuk më janë treguar prova për atë që mund të kishte bërë Thaçi”, tha ai. Clark kritikoi edhe logjikën mbi të cilën, sipas tij, është ndërtuar një pjesë e procesit gjyqësor, duke argumentuar se përgjegjësia individuale për një vrasje nuk mund të përcaktohet vetëm mbi bazën e pozitës politike apo lidhjes me një organizatë. Ai e cilësoi vendimin si “ofendues” dhe tha se, në përvojën e tij, proceset për krimet e luftës duhet të mbështeten në prova konkrete dhe përgjegjësi të individualizuar. Clark u shpreh gjithashtu se Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, e cila trajtoi krimet e luftës në rajon, sipas tij, kishte një qasje më të bazuar në prova sesa procesi aktual ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai kërkoi që Thaçi dhe të tjerët të kthehen sa më shpejt në Kosovë. “Le ta rikthejmë Hashim Thaçin dhe të tjerët në Kosovë dhe të kthehen në jetën e tyre. Të ecim përpara. Hashim Thaçi ka kaluar pesë vjet në paraburgim. Mjaft me kaq”, tha Clark. I pyetur nëse do të ishte i gatshëm të dëshmonte në procedurën e Apelit në favor të ish-krerëve të UÇK-së, Clark tha se do ta pranonte një ftesë të tillë. “Do ta vlerësoja shumë nëse do të më ftonin për të shpjeguar se çfarë ndodhi”, u shpreh ai.

Kontrolloni gjithashtu

Berisha pas largimit të PDK-së nga Komisioni për AKI: “Ngërçi zgjidhet vetëm me komunikim”

Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bekë Berisha, ka thënë …