Me nderime të larta shtetërore u varros polici Altin Kryeziu

Me nderime të larta shtetërore, në fshatin Bubavec të Malishevës është varrosur polici i Kosovës, Altin Kryeziu, i cili humbi jetën në krye të detyrës, pas plagëve të marra në një aksident komunikacioni.

Altin Kryeziu, pjesëtar i Stacionit Policor në Malishevë, u përcoll për në banesën e fundit nga familjarët, kolegët, zyrtarë të institucioneve dhe mijëra qytetarë, të cilët morën pjesë në ceremoninë mortore për të nderuar jetën dhe veprën e tij.

Në ceremoninë e varrimit morën pjesë kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, deputetë, zyrtarë policorë, familjarë, miq dhe qytetarë të shumtë.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, gjatë fjalës së tij shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e të riut që zgjodhi t’i shërbente vendit. “Sot, Bubaveci, vendlindja e Altinit, po përcjell për në amshim një bir të vetin, Malisheva përcjell një polic të saj, ndërsa Kosova humbi një pjesëtar të ri të institucionit që kujdeset çdo ditë për rendin dhe sigurinë tonë”, tha Kastrati.

Kastrati theksoi se Altini zgjodhi një rrugë të ndershme dhe e veshi me krenari uniformën e Policisë së Kosovës. “Altini, ndonëse iku i ri, pas vete ka lënë nderin e shërbimit ndaj vendit”, u shpreh kryetari i Malishevës, duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Kryeziu, miqve, kolegëve dhe Policisë së Kosovës.

Fjalën rasti kanë mbajtur edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Policisë së Kosovës.

Në emër të familjes, Metije Kryeziu falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në ceremoninë e varrimit, si dhe për mbështetjen e dhënë familjes gjatë ditëve të vështira, kur Altini po trajtohej pas plagëve të marra në aksident.

Altin Kryeziu u nda nga jeta pas një jave përpjekjesh për t’i mbijetuar plagëve të rënda të marra në aksidentin e ndodhur në krye të detyrës.

Ai u përcoll sot për në banesën e fundit në vendlindjen e tij, Bubavec, mes nderimeve të larta dhe dhimbjes së familjes, kolegëve dhe gjithë Malishevës.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Smajl Latifi viziton në Çifllak, kompaninë PeriVita

Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi me bashkëpunëtor ka vizituar të hënën në …