Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami, ka reaguar lidhur me grevën e punëtorëve teknikë të shkollave, duke e kritikuar moszbatimin e pagës minimale për punëtorët e sektorit privat. Ajo ka shkruar se punëtorët teknikë të shkollave, të punësuar nga kompani private të kontraktuara nga komunat, vazhdojnë të paguhen me 390 euro në muaj, ndonëse paga minimale prej 500 eurosh bruto ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2026. “Qeveria ka ndarë rreth 130 milionë euro për pagën e 13-të, për sektorin publik,(përmes rishikimit të buxhetit) ndërkohë punëtorët që mbajnë të pastra shkollat e fëmijëve tanë nuk marrin as pagën minimale. Qeveria duhet të sigurojë zbatimin e vendimeve të veta, komunat duhet të marrin përgjegjësi për kontratat e tyre, ndërsa kompanitë private duhet t’i respektojnë të drejtat e punëtorëve. Paga minimale nuk është privilegj as opsion, është detyrim ligjor dhe duhet të zbatohet nga të gjithë” ka shkruar deputetja, Hykmete Bajrami.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
