Kryetari Ekrem Kastrati bëri homazhe në 28-vjetorin e rënies së komandantit Ismet Jashari – Kumanova

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, Nënkryetari Vesel Krasniqi me bashkëpunëtorë, kanë bërë homazhe në nderim të dëshmorit të kombit, komandantit Ismet Jashari – Kumanova, në 28-vjetorin e rënies së tij heroike.

Në këtë përvjetor të rëndësishëm, Kryetari i Komunës së Malishevës, së bashku me bashkëpunëtorë dhe përfaqësues të institucioneve komunale dhe shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, nderuan me homazhe dhe vendosën lule pranë lapidarit të dëshmorit, duke përkujtuar jetën, veprën dhe sakrificën e tij për lirinë e Kosovës dhe gjithë dëshmorëve të kombit.

Me këtë rast, Kryetari i Komunës Ekrem Kastrati, theksoi se liria e një kombi nuk fitohet lehtë, por ndërtohet dhe fitohet përmes sakrificës, guximit dhe përkushtimit të bijve dhe bijave më të devotshme të tij.

Kurse Fatmir Limaj, komandant Çeliku në fjalën e tij theksoi.“Kur flasim se si fitohet liria e një kombi, përgjigjja më e fuqishme është vetë jeta dhe vepra e dëshmorëve tanë. Ismet Jashari Kumanova është një prej atyre burrave që e dëshmuan me jetën e tyre se liria kërkon sakrificë. Ai dhe shumë dëshmorë të tjerë dhanë më të shtrenjtën jetën e tyre që ne sot të jetojmë të lirë dhe të ndërtojmë të ardhmen e vendit tonë”, u shpreh Limaj.

Ai në vazhdim tha se përkujtimi i dëshmorëve nuk është vetëm detyrë institucionale, por edhe obligim moral e kombëtar, në mënyrë që sakrifica e tyre të mos harrohet dhe brezat e rinj të njohin historinë dhe çmimin e lirisë.

“Ne sot bëjmë homazhe jo vetëm për ta kujtuar një figurë të shquar të luftës për liri, por për të shprehur mirënjohjen tonë të përhershme për të gjithë dëshmorët që ranë për Kosovën. Ismet Jashari – Kumanova mbetet simbol i trimërisë, i vendosmërisë dhe i dashurisë për atdheun. Vepra e tij dhe e të gjithë dëshmorëve tanë do të mbetet pjesë e kujtesës sonë kombëtare”, theksoi ai.

Ai foli edhe për kreret e UÇK-së, të cilët pritën ta fitojnë edhe betejën e fundit për Kosovën dhe kombin shqiptarë, pasi lufta e UÇK-së ishte luftë çlirimtare.

Në këtë përvjetor, folën edhe Shukri Buja e Kastriot Berisha.

Komuna e Malishevës, me rastin e 28-vjetorit të rënies së komandant Ismet Jasharit – Kumanovës, shpreh respektin dhe mirënjohjen më të thellë për të dhe për të gjithë dëshmorët e kombit, të cilët sakrifikuan jetën për lirinë dhe të ardhmen e Kosovës.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!

Lavdi komandant Ismet Jashari – Kumanova!

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Smajl Latifi viziton në Çifllak, kompaninë PeriVita

Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi me bashkëpunëtor ka vizituar të hënën në …