Shoqata e Intelektualëve të Pavarur të Deçanit shpreh shqetësimin dhe kundërshtimin e saj të thellë ndaj deklaratës së ministrit Nenad Rashiq, i cili ka pohuar publikisht se kryeministri Albin Kurti, për hatër të tij, ka bartur pronat e dy ndërmarrjeve publike në Deçan në emër të Manastirit të Deçanit.
Nëse kjo deklaratë është e vërtetë, atëherë kemi të bëjmë me një veprim të papranueshëm politik, i cili bie ndesh me qëndrimet dhe përpjekjet shumëvjeçare të qytetarëve dhe institucioneve të komunës së Deçanit për mbrojtjen e pronës shoqërore dhe të interesit publik.
Dihet se rreth 24 hektarë tokë, që dikur ishin pronë e ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”, u falën fillimisht nga regjimi i Slobodan Millosheviçit në vitin 1997. Më pas kjo çështje u pasua me veprime të administratës së UNMIK-ut në vitin 2009, si dhe me procese të gjata gjyqësore.
Në vitin 2012, Kolegji i Specializuar i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës e konsideroi të ligjshme marrëveshjen e arritur ndërmjet përfaqësuesve të Manastirit të Deçanit dhe përfaqësuesve të UNMIK-ut, ndërsa në vitin 2016 këtë vendim e konfirmoi edhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.
Megjithatë, këto vendime nuk u pranuan nga qytetarët e Deçanit. Subjektet politike dhe jopolitike të komunës reaguan fuqishëm dhe organizuan protesta qytetare në mbrojtje të pronave të ndërmarrjeve shoqërore. Në këto protesta kishte marrë pjesë edhe vetë Albin Kurti në kohën kur ishte në opozitë, duke kundërshtuar hapur këtë vendim.
Për kundërshtimin e këtij vendimi ishte themeluar edhe Këshilli Kundërshtues, ku ishin të përfaqësuara të gjitha subjektet politike dhe jopolitike të komunës së Deçanit, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Koordinimin e këtij këshilli e kishim marrë ne si përfaqësues të shoqërisë civile, me qëllim të mbrojtjes së pronës shoqërore dhe të interesit të qytetarëve të Deçanit.
Megjithatë, zhvillimet e vitit 2024 krijuan një situatë krejtësisht të kundërt me qëndrimet që ishin mbrojtur për vite me radhë. Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, nënshkroi notën verbale për zbatimin e vendimit, ndërsa një ditë më pas kryeministri Albin Kurti urdhëroi Agjencinë Kadastrale të Kosovës që të realizojë bartjen e këtyre pronave në emër të Manastirit të Deçanit.
Deklarata e ministrit Rashiq se një veprim i tillë është bërë “për hatër të tij” e bën këtë çështje edhe më shqetësuese dhe ngre dilema serioze për opinionin publik.
Shoqata e Intelektualëve të Pavarur të Deçanit vlerëson se çështja e pronave të ndërmarrjeve shoqërore në Deçan është një çështje shumë e ndjeshme për qytetarët e kësaj komune dhe nuk mund të trajtohet si favor politik ndaj askujt.
Qytetarët e Deçanit për vite me radhë kanë reaguar, kanë protestuar dhe kanë kërkuar mbrojtjen e pronës shoqërore, duke e konsideruar të padrejtë bartjen e këtyre pronave. Prandaj është e papranueshme që sot kjo çështje të relativizohet përmes deklaratave politike që lënë të kuptohet se vendime të tilla mund të merren për “hatër” të individëve.
Shoqata e Intelektualëve të Pavarur të Deçanit kërkon nga institucionet e Republikës së Kosovës përgjegjësi dhe transparencë të plotë për këtë proces dhe rithekson se interesat e qytetarëve të Deçanit nuk mund të anashkalohen dhe as të sakrifikohen për kalkulime politike apo presione të çfarëdo natyre.
Autori është drejtor i Shoqatës së Intelektualëve të Pavarur në Deçan
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
