Adem Lushaj: Të njoha e kurrë nuk të takova!

Adem Lushaj: Të njoha e kurrë nuk të takova!

Emrin e Ahmet Qeriqit e kisha dëgjuar prej kohësh, por bacën Ahmet kurrë nuk pata fatin ta takoj. Në shkrimet dhe analizat e tij, në fund të tekstit, gjithmonë shënohej emri i fshatit të tij – Kroimiri. Gjatë luftës, me ankth prisnim lajmet nga Radio Kosova e Lirë; pas luftës, ajo vazhdoi misionin e saj përmes portalit që mbante të njëjtin emër –www.radiokosovaelire.com.
Adresën e këtij portali e mora pa e ditur se kush qëndronte pas tij. Vendosa të dërgoja shkrime, të cilat gjetën përkrahje dhe u botuan rregullisht. Kështu, vit pas viti, u bëra pjesë e një platforme që, përveç informimit, prezantonte heronjtë dhe dëshmorët, familjet e tyre, si dhe figurat kombëtare të çdo komune, krahine e hapësire shqiptare.
Më vonë mësova se kush ishte redaktori dhe kush qëndronte fuqishëm pas këtij rrjeti të botimit dhe të nderimit kombëtar. Ishte Ahmet Qeriqi, nga Kroimiri i Komunës së Lipjanit. Baca Ahmet botonte çdo lajm dhe çdo shkrim që i dërgoja, pa u ndalur në përkatësi politike, por duke vlerësuar autorin, qëllimin dhe ndershmërinë e fjalës. Atëherë e kuptova se pas Radios Kosova e Lirë qëndronte një burrë me vlera të thella kombëtare dhe me një burrëri të rrallë.
Miqësia ime me bacën Ahmet nuk u ndërtua mbi takime, kafe apo shtrëngime duarsh. Ajo u ndërtua mbi fjalën e shkruar, mbi besimin dhe mbi respektin e ndërsjellë. Nuk u pamë kurrë ballë për ballë, por u njohëm më mirë se shumë njerëz që takohen çdo ditë. Ai më njohu përmes shkrimeve të mia; unë e njoha përmes drejtësisë së tij redaktuese, përmes heshtjes së mençur dhe guximit për ta botuar të vërtetën. Respekti ynë lindi pa zhurmë dhe u rrit pa interes. Ishte një miqësi e rrallë, e ndërtuar në distancë, por e fortë në përmbajtje.
Kur disa hezitonin të bënin recension për librin “Manastiri i Deçanit dhe Pronat Shoqërore” (jo pse nuk dinin, por për arsye që dihen…), baca Ahmet, edhe pse ishte në ditët e fundit të jetës, edhe pse nuk mund të fliste, me gishtërinjtë e tij dhe me memorien e kthjellët, më dha mesazhin e fundit: se nuk do të vonohej shumë, sepse ende nuk ishte dorëzuar. Recensionimi ndodhi, libri mori vlerësim të veçantë.
Bacën Ahmet nuk e takova kurrë, por është gjithmonë i pranishëm në mendjen time dhe në punën time. Edhe sot, shkrimet dërgohen në emër të tij dhe, me respekt të veçantë, botohen nga fëmijët e bacës Ahmet, Arbana dhe Zamiri.
Ahmet Qeriqi ishte dhe mbetet burrë kombëtar. Emri i tij duhet të qëndrojë në kujtesën institucionale, në arkivat e historisë dhe në ndërgjegjen e çdo shqiptari që e çmon lirinë, të vërtetën dhe sakrificën.
Lavdi jetës dhe veprës së tij.
Ai nuk u dorëzua kurrë, as fjala e tij nuk do të heshtë kurrë.
***
RECENSION
Libri i studiuesit, Adem Lushaj, “Manastiri i Deçanit dhe Pronat Shoqërore” është vepër e arrirë, shumë dimensionale. Adem Lushaj, është emër i njohur i hulumtuesit, studiuesit të përkushtuar, analistit të zellshëm dhe autor i disa veprave publicistike, dokumentare e shkencore.
Është edhe autor i shumë publikimeve, veprimtar, bashkëpunëtor në shumë medie e portale. Mbi të gjitha, shkrimet e tij janë të sajuara nga pena e publicistit me përvojë, të thurura e të sistemuara me një imagjinatë kreative, që le mbresa, me një diskurs të pasur narrativ, me motivacion dhe qëndrim realist e të paanshëm të problemeve, që merr në shqyrtim.
“Manastiri i Deçanit dhe Pronat Shoqërore” në radhë të parë është një vepër me vlera dokumentare, shkencore, ku me gjuhën e fakteve, të dhënave, argumenteve historike të kohës së kaluar dhe të aktualitetit politik, është trajtuar njëra ndër temat kyçe, që e ka rënduar dhe po e rëndon Shtetin e Kosovës, jo vetëm në raport me Serbinë, e cila nuk heq dot dorë nga politika ekspansioniste e hegjemoniste, duke përdorur çdo mjet e metodë e sidomos fenë, që është edhe diga e nacional-shovinizmit serb, jo vetëm në raport me Kosovën.
Se sa aktuale është dhe po mbetet kjo temë e trajtuar në këtë libër mjafton të sjellim në kujtesë konstatimin e raportueses së Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, e cila duke folur në Manastirin e Graçanicës, ka deklaruar se të gjitha objektet fetare si dhe trashëgimia kulturore janë pronë e Kishës Ortodokse Serbe, duke e përjashtuar Kosovën krejtësisht nga kjo e drejtë, në radhë të parë historike, pastaj edhe politike e shtetërore.
 Kisha Ortodokse Serbe është ADN-ja politike ku janë mbështetur dhe mbështetën nacionalistët serbë, sepse ajo ka edhe përkrahjen e shumë shteteve të Evropës e botës. Mjafton të sjellim në kujtesë. Në vitin 2008, bazuar në Planin e Ahtisarit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin mbi Zonat e veçanta, ku rreth 800 hektarë në afërsi të manastirit, mbesin në mëshirën e vendimeve të Kishës Ortodokse dhe politikës serbe të Beogradit.
Autori i këtij libri, përmes një metodologjie të përparuar shkencore, profesionale, iu ka qasur lëndës me përgjegjësi e profesionalizëm, duke e mbarë shtruar atë në sinkroni e diakroni, në vertikalen e saj të errët e gjithnjë të dhunshme, si dhe në horizontalen e shtrirjes në ndikimin strategjik e politik, duke e ilustruar me fakte e dëshmi relevante, të cilat i ka përfshirë në librin e tij, duke sistemuar pjesët e veçanta në një tërësi organike, të pajisur me shumë të dhëna nga të gjitha segmentet dhe pikëpamjet.
Libri i fillon me një historik të shkurtër të Manastirit të Deçanit, për të vazhduar pastaj me të gjitha ngjarjet, ndodhitë, zhvillimet e ndryshme, politike, të brendshme e të jashtme, ligjet që Kosova kishte nxjerrë për pronat dhe eksterritorialitetin e Kishës Ortodokse Serbe, në bazë të Pakos së Ahtisarit, dhe tërë problematikën që e ka mbartur dhe po e mbart ky Manastir, veçmas në komunën e Deçanit, të cilën po e dëmton ekonomikisht, por edhe po shkakton probleme në Kosovë, përgjithësisht.
Autori sjellë fakte e dëshmi të shumta për krejt atë që ka filluar të vihet në qendër të vëmendjes së këtij Manastiri, pothuajse pa asnjë besimtar, jo vetëm pas luftës por edhe në vitet e regjimit kriminal të Millosheviçit, e më herët, sepse në Deçan dhe fshatrat përreth popullata serbe, është krejt minore dhe nuk ka qenë asnjëherë e pranishme në numër sikur në Graçanicë, apo në ndonjë manastir tjetër ortodoks, serb.
Pavarësisht nga kjo, që në vendosjen e administratës së UNMIK-ut në Kosovë, në verë të vitit 1999, filluan dhe u riaktualizuan ankesat e njohura ndër shekujt të Kishën Ortodokse Serbe, e cila jo vetëm këtë Manastir por krejt Kosovën e konsideron “tokë të shenjtë serbe”, edhe pse dihet historikisht dhe botërisht fakti se këtë Manastir e disa të tjerë, i kanë ruajtur shqiptarët, (në rastin konkret mjeshtërit shqiptarë të ndërtimit e gdhendjes së gurit, si arkitekti i Mesjetës, Mikel Tivarasi, Mark Nikë Gega, Gjin Aleksi e të tjerë e kanë ndërtuar këtë Manastir). Shqiptarët e kanë ruajtur nga rrënimi e harresa, madje edhe shqiptarët islamë, duke e konsideruar me të drejtë si faltore të paraardhësve të tyre të krishterë, lindorë e perëndimorë. Këtë fakt nuk e mohon as vetë Manastiri.
“Manastiri i Deçanit dhe Pronat Shoqërore” është një pasqyrë e gjithanshme e ngjarjeve dhe ndodhive që kanë pasur dhe kanë për objekt këtë Manastir si nga politika e diplomacia vendore e ndërkombëtare, ashtu edhe nga komuna e Deçanit, mediet, gazetarët, analistët, udhëpërshkruesit, historianët e studiuesit e ndryshëm.
Në këtë libër me shumë vlerë, autori ka përzgjedhur e ka sistemuar një lëndë shumë të begatshme dokumentare, ndoshta më të begatshëm të kohës sonë për një problem të caktuar. Autori në këtë vepër, të cilën e ka sistemuar metodologjikisht me një kronologji unike, ka prezantuar informata, analiza, vështrime, artikuj gazetash, intervista me qytetarë dhe autoritete komunale, por edhe qeveritarë, historianë e gjeografë që e njohim problematikën dhe tërë një gamë analizash, të cilat sjellin fakte e dëshmi reale, për krejt çka ka ndodhur dhe po ndodh me këtë Manastir, ku në radhë të parë i ka shtrirë duart politika, veçanërisht ajo e Beogradit, por edhe mbështetës të saj jo të pakët, por jo besimtarët, të cilët kurrë dhe askush nuk i ka penguar, madje as gjatë luftës, kur ka mundur të hidhet në erë nga UÇK-ja, por kjo nuk është lejuar nga krerët e saj, pasi lufta nuk ishte fetare, edhe pse serbët kishin bombarduar e rrënuar qindra xhami në Kosovë. Madje edhe me qëllim që shqiptarët t’i rrënonin kishat ortodokse, për t’ i dhënë luftës një karakter tjetër.
Libri është i pasur edhe me shumë ilustrime, grafikone, dokumente, faqe gazetash, proces-verbale gjyqësore, foto personalitetesh me rëndësi, skica, vizatime, foto të protestave, të cilat e motivojnë vëmendjen e lexuesit dhe librit ia shtojnë vlerën dokumentare.
Pavarësisht se lënda në këtë vepër është heterogjene në shumësinë e shkrimeve të llojllojshme të saj, ajo është përmbledhur si duhet rreth temës bazë dhe është homogjenizuar si tërësi organike shkrimore, e cila shquhet në radhë të parë për këndet e shumta të vështrimit dhe qasjes së problemeve që ka trajtuar autori, Adem Lushaj.
Kjo vepër e begaton jo vetëm fondin krijues të autorit, por edhe publicistikën shqiptare përgjithësisht, pasi autori ka arritur të na japë një vepër të arrirë, dokumentare shkencore, e cila gjithësi se i përballon kohës. Ajo do t’ iu shërbejë edhe brezave në të ardhmen, për të parë se ku kemi qenë ne dikur, e ku do të jenë ata, që do të na pasojnë.
Ahmet Qeriqi, Kroimir

Kontrolloni gjithashtu

Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: HAMBARI LDK DHE PËRMBYTJA VETËVENDOSËSE E ZGJEDHJEVE NË KOSOVË

Zgjedhjet e fundit në Kosovë prodhuan një tablo politike që nuk duhet të lexohet thjeshtë …