Adil FETAHU: Dr.Berna Turkdogan Uysal: GJENOCIDI ÇAM (Redaktor Bujar M.Hoxha, përkth. nga turqishtja Rubin Hoxha botoi ‘Alsar’,Tiranë 2024)

Adil FETAHU: Dr.Berna Turkdogan Uysal: GJENOCIDI ÇAM (Redaktor Bujar M.Hoxha, përkth. nga turqishtja Rubin Hoxha botoi ‘Alsar’,Tiranë 2024)

Është ky një libër-studim i  një studjueseje të huaj për gjenocidin e shtetit grek mbi Çamët dhe Çamërinë.

Autorja-studjuesja turke Dr.Berna Turkdogan Uysal,  këtë libër-studim e ka  botuar, në gjuhën turke, në vitin 2013, ndërsa Shtëpia Botuese ‘’Alsar’’ e Tiranës, e botoi në gjuhën shqipe në vitin 2024, me rastin e 80-vjetorit të gjenocidit grek mbi Çamët  dhe Çamërinë. Libri përmban tekstin në gjuhën shqipe dhe atë në gjuhën turke.Tekstit  të librit i prinë një sqarim i botimit shqip, për arsyet e këtij botimi, e që lidhet me 80-vjetorin e gjenocidit grek në Çamëri.

Pas fjalës së botuesit shqip, vjen Parathënia e autores (prill 2013), ku përmend gjenocidin që kryen në Çamëri forcat greke të prira na gjenerali  famëkeq Napoleon Zerva, në qershor të vitit 1944, e që në kujtim të asaj ngjarje të tmerrshme, 27 qershori është caktuar si Dita e Gjenocidit Çam. Po aty, në Parathënie, autorja jep shifra të Çamëve të shpërngulur në Shqipëri, dhe shifra që Çamëve që sot jetojnë në Shqipëri e në Greqi.  Për hartimin e këtij libri-studimi, autorja thotë se ka shfrytëzuar materiale nga Arkivat Osmane dhe Arkivat e Republikës së Turqisë, materiale të Shoqatës ‘’Vëllazëria Turko-Shqiptare’’, si dhe dokumente e fotografi të mbledhura gjatë vizitës së saj në Shqipëri, në vitin 2010.

Në kapitullin e parë (fq.18-27), bënë fjalë për situatën e myslimanëve të Çamërisë, në kohën e administratës së Perandorisë Osmane dhe marrëdhëniet e tyre me Lëvizjen e Partisë për Bashkim dhe Përparim. Në kapitullin e dytë (fq.29-52), ka trajtuar marrëdhëniet e zhvilluara midis popullsisë (myslimane) të Çamërisë me Republikën e  Turqisë dhe ndihmën që u ka dhënë Mustafa Qemali-Ataturku, duke i vendosur në territorin e Turqisë, por edhe qëndrimi i tij kundër represionit që ushtronte shteti grek mbi Çamët myslimanë, dhe qasja e Turqisë në Konferencën Ballkanike kur bëhej fjalë për të drejtat e minoriteteve.

Në Hyrje të studimit, autorja konstaton se syrgjynimi  (shpërngulja) apo shkëputja e njerëzve nga trojet, pronat, kultura dhe jetesa e tyre, përbënë një turp për njerëzimin, dhe në këtë kontekst merr shembuj të shpërnguljeve gjenocidale që kanë bërë shtetet e ndryshme: Anglia, Australia, Danimarka, Franca,  dhe të tjerat gjatë historisë, ku përmend edhe spastrimin etnik të 1,5 milion Turqëve nga Bullgaria në periudhën 1960-1990, gjenocidin në Ruandë e në Srebrenicë, në kohën më të re.

Duke shpjeguar gjenezën e Shqiptarëve në përgjithësi, që janë pasardhës të Pellazgëve dhe Ilirëve, autorja thotë se Toskët janë Epirotë dhe janë nga Pellazgët, kurse Gegët janë pasardhës të Ilirëve. Fjala (emërtimi) ‘Arnaut’ është një formë e turqizuar e fisit toskë  të Arvanitëve, dhe  emërtimi ‘Arnautlluk’ në Perandorinë Osmane është përdorur për viset ku banojnë Shqiptarët si shumicë.

’Shqiptarët e Çamërisë gjatë periudhës Osmane’’, është titulli i kapitullit të parë të këtij libri-studimi. Shpjegon se kur ushtria osmane shkeli në Shqipëri, aty gjeti përballë princër të fuqishëm të principatave, siç ishin: Balshajt, Topijajt, Dukagjinët, Zakariajt, Muzakajt, Zenerbishtët, Arianitët dhe Kastriotët. Studimin e saj autorja e vazhdon me zhvillimet e mëvonshme të luftës së Shqiptarëve për të ruajtur gjuhën, kulturën, traditën,  besimin, për të kundërshtuar taksat e vëna nga administrata Osmane etj; ‘’Lidhja e Prizrenit e vitit 1878 u formua për të penguar pushtimin e territoreve shqiptare nga fuqitë e hueja dhe nuk kishte për qëllim krijimin e shtetit Shqiptar të pavarur… Por, rreziku i shfaqur pas Luftës osmano-ruse 1877-1878, që trojet shqiptare t’u jepeshin shteteve tjera, shënoi fillimin e nacionalizmit politik tek shqiptarët. Dëshirën për pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane e nxitën shtetet e huaja, veçanërisht Italia dhe Austria. Pas Luftës Ballkanike, edhe Shqipëria pati filluar të ngrinte pretendimet për Maqedoninë. Ata që ishin në krye të lëvizjes deklaronin: ‘’pse të ndahet Maqedonia vetëm mes grekëve e bullgarëve? Ne jemi më të vjetër se ata. Jemi pasardhës të drejtpërdrejt të pellazgëve, të cilët dikur zotëronin tërë Gadishullin. Grekët dhe maqedonët ishin thjeshtë degë të tyre. Akili dhe Aleksandri i Madh nuk ishin grekë, por pellazgë, dmth.shqiptarë. Sa u përket sllavëve, edhe serbët edhe bullgarët gjithmonë kanë qenë skllevër të shqiptarëve. Pse t’ua lë tjerëve fushat e bukura të Maqedonisë populli trim e i madh shqiptar?’’ (fq.20-22).

Por, Lufta Ballkanike i ndau shqiptarët, u pushtua  nga ushtritë e shteteve ballkanike edhe Shqipëria që kishte shpallur pavarësinë (28 nëntor 1912). Në Konferencën e Londrës askush nuk ishte që ta përfaqësonte Shqipërinë.

Nga burime  tjera mësohet se pas Lufës së Dytë Ballkanike, më 10 gusht 1913 në Bukuresh u lidh Traktati midis palëve luftuese: Bullgari-Rumuni-Serbi-Mali Zi dhe Greqi, me ç’rast Bullgarisë  si humbëse e luftës, iu  muar dhe ngushtua territori, ndërsa shtetet fituese të luftës u zgjeruan: Serbia që mori Maqedoninë, Kosovën dhe një pjesë të Sanxhakut të Novi Pazarit, e zgjeroi territorin e shtetit të vet nga 48.000 km katrore, në 87.700 km dhe fitoi 1,5 milion banorë, kurse Greqia që mori Maqedoninë e Jugut, Selanikun, Kavallen,  Çamërinë dhe bregdetin e Egjeut, Kështjellën e Janinës dhe Ishullin Kreta (14.12.1913), zgjeroi territorin e shtetit nga 64.780 km katrore, në 108.600 km, dhe nga 2,7 milionë banorë që kishte deri atëherë, u bë me 4,4 milionë banorë.

Në kapitullin 2 (fq.29-52), trajton pozitën e shqiptarëve të Çamërisë gjatë periudhës ë Republikës së Turqisë. Vëmendje të posaçme i kushton procesit të shpërnguljes së çamëve dhe deportimit të tyre në Turqi, në bazë  të Marrëveshjes së Llozanës të lidhur midis Turqisë e Greqisë. Autorja argumenton se deportimi i çamëve myslimanë u bë në kundërshtim me Marrëveshjen e Athinës të vitit 1913 dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare për minoritetet. Qeveria shqiptare ndërhyri  disa herë te Lidhja e Kombeve për të  mos lejuar shpërnguljen e shqiptarëve, por ‘’pavarësisht ndërhyrjes së Lidhjes së Kombeve, autoritetet greke vazhduan t’i detyronin shqiptarët të mërgonin. Pjesa më e madhe e shqiptarëve çamë të dërguar në Turqi, u vendosën në Izmir dhe rrethinë (fq.30). Për mosshpërnguljen e çamëve ka ndërhyrë edhe qeveria turke. Më 14 shtator 1924, është nxjerrë një dekret me nënshkrimin e Gazi Mustafa Qemali (Ataturk,v.j.), ku thuhet se Marrëveshja nuk përfshinë shpërnguljen e çamëve, prandaj banorët e Çamërisë që janë shqiptarë – nuk duhen shpërngulur’’ (fq.31).

Përmendet rasti i 65 familjeve, me 240 persona shqiptarë të ardhur në Turqi nga fshatrat Rampalla dhe Rraça të Follorinës, të cilët ishin vendosur në kazanë e Ezinesë, të Çanakalasë. Përfaqësuesit e kazasë kishin bërë kërkesë që këtyre shqiptarëve t’iu lejohet të kthehen ku të duan, pasi këta janë të huaj ndaj gjuhës dhe traditave të Turqisë dhe nuk kanë gjetur mundësi për jetesë prej ditës që kanë ardhur. ‘’Më 6 maj 1925 është shpallur dekreti që i lejonte të kthehen ku të duan jashtë vendit ata 240 persona’’(fq.31), por autorja nuk sqaron se ku janë kthyer, ndërsa dihet se Greqia nuk pranonte kthimin e shqiptarëve të deportuar.

Brenda këtij kapitulli, autorja trajton edhe shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia, në periudhën 1926 – 1938, si rezultat i persekutimit të pushtetit të Jugosllavisë mbi shqiptarët.’’Turqia u doli zot të ardhurve, duke i pranuar si nënshtetas të Turqisë. Me Dekretin 9297/1167 datë 15.05.1933, Ministria e Brendshme vendosi që të pranoheshin si nënshtetas të Turqisë ‘’turqit’’ të mërguar nga Jugosllavia, Bullgaria, Rumania, Greqia dhe Shqipëria

Në vazhdim të këtij kapitulli, autorja  bënë digresion nga trajtimi i çështjes së shkëmbimit të popullsive dhe trajton procesin e themelimit të Kishës Ortodokse Autoqefale në Shqipëri, dhe kundërshtimin e Mustafa Qemalit (Ataturkut) kundër mbetjes së Patrikanës së KO greke në Stamboll. Në një intervistë të tij dhënë gazetës  franceze‘ ’Le Journal’’, të datës 25 dhjetor 1922, Ataturk thotë: ‘’Sa u përket pakicave, e morëm parasysh shkëmbimin. Edhe përfaqësuesit e shteteve tjera na e mbështetën pikëpamjen. Për Patrikanën Greke, si një vatër provokimi e tradhtie, që hedh farëra ndasie e konflikti në vend dhe që sjell fatkeqësi edhe për mirëqenien dhe paqen e shtetasve tanë të krishterë, nuk mund ta lëmë më në trojet tona. Ç’arsye mund të paraqitet për të na detyruar që ta ruajmë në vendin tonë një institucion të rrezikshëm si ky? Ç’detyrim ka Turqia që t’i caktojë një vend në territorin e saj Patrikanës Greke? A nuk e ka vendin në Greqi kjo vatër agjitacioni’’?.

Në kapitullin kryesor dhe më voluminoz, nga i cili është nxjerrë edhe titulli i librit ‘’Gjenocidi çam’’ (fq. 53 – 74), përshkruhen detajet e gjenocidit grek kundër çamëve. Fillimisht autorja shpjegon përkufizimin e nocionit të pakicave kombëtare, kundër pjesës tjetër të shumicës së popullsisë së një shteti, dhe konstaton se me Marrëveshjen Ndërkombëtare për Zhdukjen e çdo lloj Racizmi  të Asamblesë së Përgjithshme të KB (21 dhjetor 1965), e cila ka hyrë në fuqi më 4 janar 1969,- shtetet palë pranonin respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, pa dallim race, gjinie, gjuhe dhe feje, dhe barazinë e të gjithëve para ligjit.

Në vazhdim autorja shpjegon se ku shtrihet Çamëria dhe banorët e saj, çamët, janë pjesë e ilirëve autoktonë në Ballkan, të cilët kanë jetuar prej vitit 2600-1900 p.e.r. Kultura e tyre e ka pasur periudhën e artë në shekullin 12, nën sundimin e Molosëve. Nga ky fis rrjedh edhe Aleksandri i Madh dhe një tjetër hero – Pirro. Në periudhën bizantine në Çamëri u vendosen disa fise të reja, si gotët, ostrogotët, saraqinët dhe normanët. Çamëria hyri nën sundimin osman në vitin 1440. Në periudhën mes viteve 1611 – 1803,  kur edhe u krijua Vilajeti i Janinës, çamët luftonin në komandën osmane. Armiqësia e shtetit grek ndaj çamëve i ka rrënjët historike në periudhën 1854-1872, kur çamët u bënë qëndresë të suksesshme sulmeve greke. Por, më 23 shkurt 1913, Çamërinë e mori nën kontroll Greqia, sipas vendimit të fuqive të mëdha, kur Konferenca e Londrës ia dha Kosovën dhe Maqedoninë qendrore Serbisë, ndërsa Çamërinë ia dha Greqisë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, përveç pushtimeve nga Italia dhe Gjermania, Greqia përjetoi edhe një luftë civile, kur dy rryma të kundërta luftuan për pushtet. EDES-i që përbënte krahun antikomunist, i prirë nga gjenerali Zerva, i cili bashkëpunoi me gjermanët dhe pastaj u mbështet  edhe nga anglezët, kishte ndërmarrë spastrimin etnik kundër elementit jogrek dhe në qershor të vitit 1944 bëri  masakër të madhe (gjenocid), duke kryer spastrimin etnik të Çamërisë. Përgatitjet për këtë masakër ishin bërë më herët. Në kohën e pushtimit italian, ishin mobilizuar të gjithë meshkujt mbi 14 vjeç dhe ishin dërguar në kampet e përqendrimit në ishujt Lesos, Hios dhe Korint. Gjatë luftës kundër Italisë, shqiptarët i mobilizuan si ushtarë, por në vend të armëve u dha kazma e lopata, të shërbenin si ‘’trupa të infrastrukturës’’.

Për shkak të diskriminimit, shtypjes, persekutimit dhe deportimit që patën vuajtur shqiptarët nga regjimi diktatorial i Metaksas para Luftës së Dytë Botërore, në kohën e pushtimit italian shqiptarët kishin një qëndrim  të paanshëm: as ‘’jo-antiitalian’’, as ‘’pro-italian’’. Ky qëndrim u mor si pretekst  dhe justifikim që çamët të persekutohen e dëbohen nga vatrat dhe  nga pronat e tyre e të kërkojnë shpëtimin në Shqipëri rreth 35000 shqiptarë muslimanë, çamë. Autorja jep shifrën prej 3242 civilëve, gra, fëmijë, burra, pleq, të vrarë e masakruar në Paramithi, Igumenicë, Margëlliç, Pargë, si dhe shifra për plaçkitjet, shkatërrimet dhe grabitjet e pasurive. Për të ruajtur identitetin e shtetit njëkombësh, Greqia shtypi me dhunë dhe asimiloi edhe shqiptarët ortodoksë që mbetën të jetojnë në Greqi, të cilëve ua ndaloi përdorimin e gjuhës amtare. Ata sot nuk janë në gjendje ta ruajnë gjuhën, kulturën as identitetin shqiptar. Për të ndryshuar strukturën etnike të Çamërisë, në pronat e konfiskuara të çamëve të dëbuar u vendosën grekë, vëllehë dhe  romë, ndërroi emërtimin e toponimeve dhe çdo shenjë shqiptare.

Pas një digresioni që bënë autorja në studimin e saj, duke kaluar nga çështja e gjenocidit çam, në çështjen e kontestit midis Greqisë dhe Maqedonisë (fq.62-67), del përsëri te gjendja aktuale e çamëve dhe e popullsisë shqiptare në Greqi (fq.68-74). Bënë një pasqyrim të popullsisë shqiptare në Greqi, duke përmendur se në shekullin 19, popullsia e Athinës 24% ishin shqiptarë (arvanitë,v.j.), të cilët iu nënshtruan procesit të asimilimit dhe helenizimit përmes arsimit dhe institucioneve fetare, kurse pjesa më e madhe (80%) e shqiptarëve që jetonin në Çamëri (Thesproti) ishin muslimanë. Mendohet se nga popullsia muslimane e Çamërisë, rreth 85000 janë vendosur në Anadolli, si pasojë e presionit dhe represionit të shtetit grek dhe e marrëveshjes mbi shkëmbimin e popullsisë midis Turqisë e Greqisë, kurse pas Luftës së Dytë Botërore 35.000 shqiptarë muslimanë të Çamërisë janë vendosur në Shqipëri (fq.68).

Kthimi i çamëve në Greqi dhe rikthimi i pronave të tyre është një çështje që është trajtuar e diskutuar  dhe ka bërë jehonë në forume të ndryshme ndërkombëtare, thotë autorja, dhe përmend disa raste të trajtimit të kësaj çështje në terrenin ndërkombëtar. Problemi i Çamërisë është ngritë në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve dhe Popujve të Papërfaqësuar në Hagë, në janar të vitit 1995. Në përfundimet e asaj mbledhje janë marrë vendime për kthimin e çamëve në trojet e tyre; rinjohjen e nënshtetësisë, rikthimin e të drejtave të tyre si shtetas të Greqisë; rikthimin e pronave; njohjen e të drejtave të cilat burojnë nga dokumentet ndërkombëtare; qeveria greke të pranojë realitetet historike të problemit të Çamërisë dhe të hedhë hapa serioze për zgjidhje.

Çështja çame u diskutua edhe në një seancë të veçantë të  Kongresit dhe Senatit Amerikan (20.08.2002). Në atë diskutim, shpjegimet e përfaqësuesit grek nuk u konsideruan të kënaqshme nga anëtarët e Kongresit.

Deputetja e Parlamentit Europian, Ema Bonino, bashkë me gjashtë deputetë tjerë të atij Parlamenti, kishte nënshkruar  një kërkesë që çështja çame të shtrohet në PE dhe të kërkohet nga qeveria greke të veprojë në përputhje me protokollet e të drejtave njerëzore dhe t’i respektojë të drejtat e popullit çam.

Akademia Ushtarake Mbretërore e Sandursit në Angli dhe Qendra për Studimin e Konflikteve, kanë botuar një libër me tiull: ‘’Problemi Çam’’.

Duke pasqyruar një vështrim të hollësishëm të drejtave që gëzon minoriteti grek në Shqipëri,  autorja konstaton se parimi ndërkombëtar i reciprocitetit  midis shteteve, ka mbetur vetëm në letër, pasi çamët nuk i kanë arritur të drejtat e tyre, por kanë mbetur viktima të gjenocidit dhe dëbimit, si rezultat i ideologjisë zyrtare greke.

***

Ndonëse është një libër-studim i vogël në krahasim me problemin e madh të Çamëve dhe Çamërisë dhe  në raportet shtetërore e ndërkombëtare lidhur me këtë problem, megjithatë autorja meriton  falënderim  dhe respekt, që është marrë me këtë çështje dhe duke e botuar librin në gjuhën turke, ia ka prezantuar popullit dhe shtetit të vet këtë problem. Nga fusnotat  referente dhe literatura e shfrytëzuar, shihet se të dhënat kryesore për shtjellimin e problemit i ka marrë nga burime shqiptare, por edhe nga burime tjera: arkiva të shumta, libra dhe artikuj, gazeta, interneti, gjë që e ka pasqyruar në  pesë faqe ’Bibliografi’’. Në libër janë dhënë edhe 7 harta, 17 foto  pamjesh të ndryshme dhe një faksimile. Kështu, literaturës së shumtë mbi problemin e Çamëve dhe të Çamërisë, i është shtuar edhe një vepër e mirë e një autoreje të huaj.

Në mbititullin e librit voluminoz (634 faqe) të bashkautorëve Robert Elsie – Destan Bajtullahu: ‘ÇAMËRIA – një histori dokumentare’, qëndron i stampuar mendimi i historianit të njohur, Noel Malkom, që thotë: ‘’Fati i shqiptarëve çamë është një nga sekretet më të errëta të historisë moderne europiane’’. Nga ato sekrete të errëta, libri i Dr.Berna Turkdogan Uysal, ‘’Gjenocidi çam’’, nxjerr në dritë shumë aspekte të fatit të çamëve. Shkaqet, shkaktari, motivet dhe pasojat e atij gjenocidi dihen. Mbetet në moralin e drejtësisë ndërkombëtare që ta ndreçë padrejtësinë të cilën e ka bërë vet duke i dhënë Çamërinë shtetit grek.

Shtëpia Botuese ‘’Alsar’’ në Tiranë, ka bërë një punë të mirë që librin e autores turke e ka përkthyer e botuar në shqip dhe tekstin e librit e ka dhënë në shqip dhe turqisht.

Të shtojmë këtu, se autorja e librit nuk jeton më, ngase ka ndërruar jetë (2013), pak kohë pasi i është botuar libri në turqisht.

Kontrolloni gjithashtu

Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha: LIBRI SI MONUMENT PËR YLFETEN HUMOLLI

Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha: LIBRI SI MONUMENT PËR YLFETEN HUMOLLI

 (Ramë Oraca, Ylfetja- Ag Lirie (Libër-homazh kushtuar heroinës së kombit Ylfete Humollit), Prishtinë, 2025) Diku …