Adil Fetahu

ADIL FETAHU: KUSHTETUTA E PARË E SHTETIT SHQIPTAR E VITIT 1914 I

“Kushtetutat të paktën pjesërisht duhet të burojnë

nga e kaluara specifike dhe kultura e një kombi  (Hegel)

E shkeli pavarësinë e shpallur më 28 nëntor 1912, por garantonte tërësinë e territorit, njohjen ndërkombëtare, zhvillim dhe stabilitet të brendshëm

Si erdhi deri te Kushtetuta?

Në Kuvendin e Vlorës, të mbajtur më 28 nëntor 1912, shqiptarët e kishin shpallur pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane  dhe kishin formuar qeverinë e përkohshme, me në krye  Ismail Qemalin. Por, ajo qeveri nuk kishte kontroll dhe pushtet as në  një të katërtën e territorit të Shqipërisë, ku ekzistonin edhe disa qeveri tjera lokale, derisa shumica e territorit ishte i pushtuar nga ushtri të shteteve fqinje: Serbisë, Malit të Zi, Greqisë.

Dy javë pas shpalljes së paravarësisë në Vlorë, gjashtë Fuqitë e Mëdha të Europës: Anglia, Franca, Austrohungaria, Gjermania, Italia dhe Rusia, në Konferencën e Ambasadorëve të tyre, mbajtur në Londër më 17 dhjetor 1912, kishin vendosur që Shqipëria të mos jetë e pavarur, por të jetë një provincë autonome nën sovranitetin e Perandorisë Osmane.

Duke parë shkatërrimin e Perandorisë Osmane që po i shkaktonin luftërat ballkanike, e duke ditur se ajo Perandori nuk do të jetë më në gjendje të sundojë as të mbrojë Shqipërinë, Austrohungaria dhe Italia, për interesa të tyre, i kishin paraqitur Konferencës së Londrës një projekt të ri për pavarësinë e plotë të Shqipërisë.

Pas një luftë të ashpër diplomatike në baza të interesave të ndryshme dhe të kundërta të  vetë Fuqive të Mëdha, Konferenca e Ambasadorëve në mbledhjen e saj të njëzetekatërt, mbajtur më 29 korri 1913, kishte vendosur sa vijon:

Shqipëria formohet si një principatë autonome sovrane dhe trashëgimuese sipas rendit të paralindjes, nën  garancinë e të 6 Fuqive. Princi do të caktohet nga të 6 Fuqitë.

Çdo lidhje suzereniteti midis Turqisë dhe Shqipërisë përjashtohet.

Shqipëria shpallet asnjanëse; asnjanjësia e saj garantohet nga të 6 Fuqitë;.

Kontrolli i administratës civile dhe i financave të Shqipërisë i besohet një Komisioni Ndërkombëtar të përbërë nga delegatët e të 6 Fuqive dhe nga një delegat i Shqipërisë.

Kompetencat e këtij Komisioni do të zgjasin 10 vjet dhe mund të përtërihen në rast nevoje.

Ky Komisioon do të ngarkohet të përpunojë një projekt të organizimit të hollësishëm të të gjitha degëve të administratës së Shqipërisë.  Ai do t’u paraqes Fuqive, brënda një afati prej gjashtëmuajsh, një raport për rezultatet e punimeve të tij, si dhe konkluzionet e tij në lidhje me organizimin e administratës dhe të financave të vendit.

Princi do të emërohet brënda një afati prej gjashtë muajsh e shumta. Deri sa të emërohet princi dhe të formohet një qeveri kombëtare përfundimtare, funksionimi i autoriteteve vendase ekzistuese, si dhe i xhandarmerisë do të jetë nën kontrollin e Komisionit Ndërkombëtar.

Qetësia dhe rendi publik do të sigurohen nga një xhandarmëri e organizuar ndërkombëtarisht. Ky organizim do t’u besohet oficerëve të huej, që do të kenë në duart e tyre komandën eprore dhe  efektive të xhandarmërisë.

Këta oficerë do të zgjidhen nga radhët e ushtrisë suedeze.

Misioni i oficerëve instruktruktorë të huej nuk duhet të cënojë as uniformitetin e shërbimit, as marrjen në punë të oficerëve, nënoficerëve dhe xhandarëve vendas.

Rrogat e këtyre oficerëve  do të mund të sigurohen nga burimet e vendit, me garancinë e Fuqive.

(Joseph Swire: “SHQIPËRIA, ngritja e një mbretërie”).

Komsioni u formua më 15 tetor 1913, të cilin e përbënin:  Harry Harling Lamb (Angli), Leon Alphonse-Thadee Krajevski (Francë), Aristotele Petroviq (Austrohungari), Julius Vinckel (Gjermani), Alesandro Leoni (Itali), Aleksandr Mihajllloviq Petrjaev (Rusi) dhe Myfit bej Libohova (Shqipëri). Përfaqësuesit e Austrohungarisë, Italisë dhe Shqipërisë, më vonë u zëvendësuan me persona  tjerë: August Kral, Carllo Gallli dhe Mehdi bej Frashëri. Selia e Komisionit ishte në Vlorë.

Ismail Qemali më 22 janar 1914, dha dorëheqje nga kreu i qeverisë së përkohshme të Vlorës dhe qeverisjen ia dorëzoi Komisionit.

Në ndërkohë u emërua edhe princi për fronin e Shqipërisë, gjermani Wilhelm Wied, i cili arriti në Shqipëri më 7 mars 1914, dhe u vendos në Durrës, të cilin e shpalli kryeqytet të Shqipërisë.

Komisioni i Kontrollit Ndërkombëtar, më 10 prill 1914, shpalli Statutin Organik të Shqipërisë, me të cilin ishte përcaktuar forma e shtetit (monarki trashëguese); territori; popullsia; struktura, zgjedhja, mandati dhe kompetenca e organeve  të shtetit shqiptar (princit, legjislativitit, ekzekutivit, gjyqësorit); liritë dhe të drejtat e qytetarëve; marrëdhëniet ndërkombëtare, etj,tj. Materja juridike që rregullonte Statuti organik ishte kryekput materje e karakterit kushtetetues, prandaj pavarësisht se mbante emrin Statut, unë këtu e quajta – kushtetutë, dhe kjo është kushtetuta e parë,  akti më i lartë juridik , me të cilin fillon historia e kushtetutshmërisë së shtetit shqiptar, sado që askush nuk e përmend si të tillë.

Nuk është rast i veçantë që kjo kushtetutë quhet statut. Është term i njohur në drejtësinë botërore,  sidomos në të drejtën anglosaksone, që ligjet e shkruara  quhen “Statute law”, për dallim nga Common law, që është e drejta zakonore, e pa shkruar, por e zbatuar në bazë të aktgjykimeve të gjykatave. Këtë kushtetutë nuk e kishte miratuar ndonjë organ legjitim i shqiptarëve, por ishte “dhuratë” e Fuqive të Mëdha, të cilat gjithmonë kanë vendosur për fatin e shteteve të vogla, sipas ineteresave të tyre të mëdha.

Përmbajtja e Kushtetutës (Statutit Organik)

Dyqintegjashtëmbëdhjetë  dispozita (nene/pika) të kushtetutës në fjalë ishin sistemuar në 17 kapituj. Ato nuk ishin ndarë as emërtuar si “nene”, por ishin radhitur nën numra rendor, me radhë të pashkëputur prej 1 deri në 216, secila nën kapitullin e caktuar:

1.Shqipëria dhe territori i saj (pikat:1-6)

2.Sovrani (7-21)

  1. Popullsia (22-39)
  2. Legjislacioni (40-71)

5.Organet e Qeverisë (72-94)

  1. Administrata Lokale (95-140)
  2. Financat (141-143)

8.Punët Botore (publike, 144-148)

  1. Forcat e armatosura (149-158)

10.Drejtësia (159-169)

11.Kultet (besimet, 170-177)

  1. Arsimi Publik (178-182)
  2. Prona Tokësore (183-194)
  3. Bujqësia, Tregtia,Industria (195-208)

15.Posta, Telegrafi, Telefoni (209-210)

  1. Marrëdhëniet e Jashtme (211-212)

17 Konfliktet Administrative(213-216).

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi E hënë 19 prill, 1999

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi (E hënë 19 prill, 1999)

Sot moti ka filluar të përmirësohet. Qysh në orën 9.00 të mëngjesit janë lëshuar në …