Brickos

Enver Hoxha

Adil Fetahu: Nga Ditari i Enver Hoxhës: 18 dhjetor 1971, “Turbullirat në Kroaci dhe në Kosovë”

“Në Kroaci, si pasojë e tradhtisë titiste kundër marksizëm-leninizmit dhe socializmit në Jugosllavi, si pasojë e vendosjes  së kapitalizmit në këtë Federatë, në format dhe në stadin më anarshist dhe më kaotik, në Kroacinë e ustashëve të rinj, ka javë, për të mos u ngjitur më lart, që po zhvillohen greva të studentëve, greva politike, që u kthyen dhe vazhdojnë në demonstrata dhe në përleshje me policinë e armatosur me shkopinj, me gaz lotsjellës dhe me armë të tjera që  i vë në veprim klika e Titos. Kanë filluar arresimet në masë. Titoja ka kohë që kërcënon hapur, po pa adresë. Ai kërkoi më në fund, që të ashtuquajturit e pabindur të japin dorëheqjen vetë nga postet udhëheqëse. Më në fund e me bisht udhëheqësit kroatë si Tripallo, Konçar e ndonjë duzinë të tjerë dhanë dorëheqjen dhe u “vetakuzuan” si gjoja qorra, që lanë nacionalistët kroatë të organizoheshin, të rrezikonin partinë e famshme të Titos dhe poaq të famshmin vetadministrim.

Asgjë nuk rregulloi kjo, veçse acaroi më shumë atë që është acaruar në palcë. Sistemi i vendosur në Jugosllavi dhe ideologjia e këtij sistemi, struktura dhe superstruktura e Jugosllavisë aktuale nuk sjellin pjellë dhe nuk do të pjellë edhe paskëtaj veçse situata të tilla  akoma më të egra të theksuara me një shovinizëm të shfrenuar e të shumëllojtë, qoftë kroat, qoftë serb.

Titoja, ”si magjistari i përrallës që lëshoi ligështinë”, tash po përpiqet të mbyllë djallin në shishe. Por më kot, kjo është gjë që s’bëhet, vetë ai është djalli më i madh që duhet futur në shishe, pse ai dhe tradhtia e tij krijuan një gjendje të atillë që terreni pjell vazhdimisht tradhtarë dhe në këto situata e më këto masa, edhe pse dhanë dorëheqjen Rankoviqi ose Tripalloja, s’del gjë. Kjo i përngjet fjalës: “Ngordhi një dhi në Velabisht, mbeti Berati pa dhallë”. Dha dorëheqje Tripalloja dhe mbeti shovinizmi kroat pa kokë e pa krahë!

Shovinizmi lulëzon kudo në Jugosllavi, po acarohen kontradiktat në mes serbëve dhe kroatëve. Titoja përpiqet të luajë rolin e centristit, të ndërmjetësit, të moderatorit të një borgjezie të re, pak a shumë të stabilizuar në kurrizin e dy rrymave ekstremiste, që ballafqohen haptazi dhe në ilegalitet për të marrë fuqinë pas vdekjes së tij. Kjo borgjezi në fuqi, me Titon në krye, që orvatet të bëjë një politikë oportuniste të balancës, mbështetet, siç duket, në ushtrinë dhe në udhën aktuale dhe tash, sa nuk është vonë për të, duke u fshehur nën parulla marksiste, nën forma pune të kohës së luftës, duke grumbulluar për paradë rreth vetes veteranë, do t’i likuidojë politikisht dhe fizikisht ato grupime kërcënuese. Do t’ia arrijë qëllimit? Është e zorshme. Borgjezia titiste është e mbarsur me shovinizmin serbomadh dhe kroatomadh ustash. Imperializmi amerikan dhe revizionizmi sovjetik janë brenda kudo sot, do të jenë edhe nesër; ata lëvizin fijet e “miqësisë” dhe të kërcënimeve si te Titoja, si te kroatët, si te serbët, si te malazezët, edhe te maqedonasit.

Vetëm te populli shqiptar i Kosovës ata nuk kanë kredi dhe unë besoj se as që i frikësojnë dot Kosovarët, të cilët kanë qenë dhe po bëhën çdo ditë e më shumë të ndërgjegjshëm për rreziqet që i presin.

Titistët turbullirave kroate u vunë etiketën “ustasho-fashiste”. Ky titull i vë më poshtë e më rëndë nga “informbyroistët” e Rankoviqit me kompani. Kur goditën kroatët, delegcioni sovjetik me në krye agjentë të Bajbakovit bredhin nëpër Serbi e Mal të Zi për të dhënë kredi etj, për të aktizivuar tendencat proserbe. Titoja në këtë situateë të turbullt nga Skupshtina federale, si nga “Olimpi”, flet për politikën e famshme të tij të jashtme, për pjekjet me Brezhnjevët, Niksonët, shahët e Persisë e të tjerë.  Ai do të japë brenda dhe jashtë përshtypjen se “asgjë nuk ngjet në Jugosllavi, se çdo gjë ecën normalisht, se në Zagreb janë disa studentë që turbullojnë qetësinë”. Asnjeri nuk i ha gënjeshtrat e Titos, të gjithë e njohin këtë mashtrues të madh profesionist.

Në këtë situatë serbomëdhenjtë fërkojnë duart dhe ata që janë në fuqi, që gjoja përkrahin rrymën e Titos, gëzohen, forcojnë pozitat, vënë mirë në dukje me këtë rast rrymën “e rrezikshme” shoviniste kroate për të fshehur rrezikshmërinë e rrymës së tyre serbe, kurse të tjerë serbomëdhenj më pak të zgjuar dhe më “impulsivë e dinamikë” me këtë rast përpiqen të marrin “revanshin” kundër shqiptarëve në Kosovë. Studentët serbo-malazezë në Universitetin e Prishtinës, të nxitur dhe në unitet me pedagogët serbë, u futën në garë me studentët kroatë për të rivendosur të drejtën e “paritetit” dhe jo të “shumicës” në zgjedhjet e Universitetit (të Prishtinës, v.j.) dhe këndej të kalonin në gjithë jetën e Kosovës. Kjo donte të thoshte që serbo-malazezët të rifillonin sundimin si në kohën e Dushan Mugoshës, i cili pikërisht tani, në revistën serbomadhe “NIN” ka filluar të shkruajë “kujtimet e tij” kundër nesh.

Çështja krote, natyrisht, nuk është një çështje e thjeshtë kroate, ajo ka karakteristikat e shovinizmit kroat, por, pa folur për Serbinë, ku qëndron çibani më i rrezikshëm i këtij shovinizmi të tërbuar pansllav dhe antishqiptar. Në Maqedoni, sido që akoma nuk pipëtinë gjë, për arsye të dobësisë së vet shovinizmit maqedonas, në krahasim me dy të parët, filluan prapë akuzat kundër Cërvenkovskit,  “i lidhur me ustashët kroatë”. Akuzat bëhen nga grupi i Kolishevskit, sigurisht proseb dhe tash i lënë në hije, si gjithë të tjerët: Tempo, Mugosha, Rankoviqi, që shkruajnë kujtimet.

Deri tash po bëhën sulme kundër shqiptarve në Kosovë dhe për gjënë më të vogël ata akuzohen për “shovinizmin shqiptar”. Këto sulme, ç’është e vërteta, dy vjetët e fundit janë më të frenuara, për arsye të politikës oportuniste të Titos, por nuk është e thënë se do të vazhdojë një situatë e tillë. Që të vazhdojë kjo situatë duhet që shqiptarët e Kosovës të vazhdojnë të forcojnë me kurajo e pa ngurrim pozitat e tyre brenda të drejtave që u jep kushtetuta. Duhet që për këtë gjë ata të forcojnë unitetin në mes tyre dhe udhëheqësve shqiptarë të Kosovës t’u imponohet nga masat nevoja e domosdoshme e këtij uniteti.

Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës aktualisht po i rezistojnë më mirë presionit serb, por kurdoherë janë të varur në buzëqeshjen dhe në humorin e Titos, të cilit sot i duhet ndihma e shqiptarëve, nesër i sakrifikon këta në altarin e serbit. Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës duhet të kuptojnë mirë një gjë, që forcën ata e kanë vetëm në popull dhe jo në “famën personale”. Popullin e ka frikë Titoja dhe jo personin me titull e me nishane. Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës duhet të jenë të kujdesshëm që të mos bien në provokacionet e serbëve, por të mbrojnë të drejtat e tyre dhe këto t’i mbrojnë tok me masat, të mos lejohen armiqtë të akuzojnë masat për “shovinizëm” kur ato janë në rrugë të drejtë dhe këta të mos e heqin vetën si “prudentë të zgjuar”, kur tërhiqen nga frika dhe lënë popullin në baltë të akuzohet dhe të merren masa kundër tij. Një udhëheqës i tillë nuk është i popullit, po i regjimit titist, ai sot është, nësër hidhet në baltë nga serbët si një leckë pa vlerë.

Intelektualët dhe rinia në Kosovë luajnë dhe do të luajnë një rol të madh në mbajtjen gjallë të patriotizmit të kulluar shqiptar.  Prandaj këtu duhet të përqëndrohen aktualisht përpjekjet që kjo forcë e gjallë jetike të mos degjenerojë  por të bëhet aleate dhe ndihmëse e një klase punëtore kosovare, që po ngrihet dhe po kalitet në luftë me titizmin revizionist dhe shovinizmin serbomadh”.

(Nga libri: Kosova është Shqipëri, Shënime nga ditari, “Neraida” Tiranë, 1999,fq. 274-278)

* * *

Ky shkrim lidhet me kohën e ndryshimeve të Kushtetutës së Jugosllavisë, të cilat filluan në vitin 1967 dhe u mbyllën në vitin 1972, e me miratimin e Kushtetutës së RSFJ-së 1974. Në atë periudhë sidomos në vitin 1968-1971, nën pretekstin e reformave ekonomike dhe politike, vlonin nacionalshovinizmat në mesin e popujve të Jugosllavisë, secili për të forcuar pozitat e repulikave të tyre në kushtetutën e re. Gjeneratat më të hershme e mbajnë mend një nga lëvizjet më të mëdha në Jugosllavi, e quajtur “Pranverën Kroate”, apo sipas terminologjisë sovjetike “Maspok”. Pranvera kroate ishte një lëvizje kulturore-politike, nacionale dhe nacionaliste kombëtare kroate, e cila shprehej kundër unitarizmit të shtetit jugosllav dhe dominimit serb në atë Jugosllavi, ashtu që në programin e saj  kërkonte një decentralizim politik dhe ekonomik, reforma ekonomike, politike dhe kulturore dhe pozitë më të pavarur në suaza të shtetit dhe të kushtetutës së Jugosllavisë. Këto kërkesa u inicuan brendapërbrenda udhëheqësisë politike, respektivisht Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Kroacisë, të udhëhequr nga Savka Dapçeviq-Kuçar dhe Mika Tripallo, ndërsa në mesin e protagonistëve tjerë të asaj lëvizje, bënin pjesë edhe politikanë, profesorë e studentë të Universitetit të Zagrebit: Pero Pirker, Ivan Shibl, Dragutin Haramija, VlladoGotovac, Marko Veselica, Drzhen Budisha, Ivan Zvonimir Çiçak, etj.  Por, fitilin e këtyre kërkesave e kishte ndezur më heret “Matica Hrvatska” (Amëza Kroate).  Matica ishte një organizatë kulturore-letrare, e themeluar qysh në vitin 1842, me emrin “Matica Ilirska” (Amëza Ilire; mbiemrin “Ilire” e zëvendësoi me atë “Kroate” në vtin 1874).  Në kohën për të cilën bëhet fjalë (1971), Matica tubonte rreth vetes më se 30 mijë anëtarë nga elitat kulturore, letrare, shkencore, arsimore, brenda dhe jashtë Kroacisë, dhe kishte për synim nxitjen dhe rilindjen e ndjenjës kombëtare  kroate. Fitili i kësaj lëvizje u ndez me  Deklaratën për emrin dhe pozitën e gjuhës letrare kroate, botuar në një javore kroate (Hrvatski tjednik, 1967), deklaratë kjo që nga prizmi i nacional-shovinizmit serb u cilësua si nacionaliste dhe e rrezikshme. Politika e asaj lëvizje u gjykua nga KQ i LKJ-së, mbajtur në Karagjorgjevë, në mbledhjen e mbajtur më 29 nëntor 1971. Në mbledhjen Byrosë Ekzekutive të  LKJ-së, poashtu në Karagjorgjevë, më 8.12. 1971, Tito kishte shprehur mllefin e tij kundër udhëheqjes partiake kroate. Janë të shënuara fajlët e tij nga ato mbledhje, kur kishte thënë: “Te ne ka demokraci të tepruar”; “Gjykatësit të mos mbahën për ligjet, si të dehurit për gardhi”; “Më parë Sava (lumi Sava,v.j.) do të rrjedh përpjetë, se sa që Kroacia do të bëhet shtet”, etj.

Tito me demagogjinë e tij, gjithmonë “çmonte” mendimin e klasës punëtore. Nga një telegram që kishte ardhur (“si postë e porositur”) nga punëtorët e Hekuranës së Sisakut, ishte kërkuar dorëheqja e udhëheqjes partiake të Kroacisë, dhe Titoja kërkoi nga Savka, Tripallo dhe Pirker të jepnin dorëheqje, pasi këtë po e kërkon klasa punëtore. Komplet udhëheqja kroate e LK , me në krye Savka Dapçeviq-Kuçar e Miko Tipallon, dhanë dorëheqje, por të nesërmën shpërthyen protestat dhe demonstratat e studentëve në Zagreb, ndaj të cilëve u përdor dhuna policore. Në krye të Partisë në Kroaci u zgjodhën Millka Pllaninc, kreytare dhe Josip Vërhovec, sekretar.  Veçse, pasojat e “Pranverës Kroate” u ndien edhe më vonë, dhe i kanë përcjellur deri në pavarësimin e Kroacisë.  Më se 2000 veta, ndër të cilët ishin shumë intelektualë,  u arrestuan e gjykuan me burgim në kohëzgjatje të ndryshme, ndër të cilët më të njohurit ishin: Drazhen Budisha, Ante Paraxhik, Lerka Mintas Hodak, Ivan Zvonimir Çiçak, Marko Vesellica, Franjo Tuxhman, Vllado Gotovac, Goran Dodig, Ferdo Bushiq, Shime Gjodan, Vllatko Pavletiq, e shumë të tjerë. U shkarkuan nga detyra ose u burgosën shumë oficerë të lartë kroatë, si Vllado Mutak, Ivan Rukavina, Shime Ivas, Janko Bobetko. U mbyll dhe shpërbë “Matica Hrvatska”, pas 130 vjetëve të ekzistimit të saj, shumë kuadro udhëheqëse dhe anëtarë të saj u burgosën, pasuria e Maticës iu bart Akademisë së Shencave dhe Arteve të Jugosllavisë në Zagreb. Represioni ndaj akterëve të shumtë të Pranverës Kroate ishte i karakterit dhe intensitetit të ndryshëm. Disa nga udhëheqësit partiakë nuk u shkarkuan, por dhanë dorëheqje, dhe nuk u burgosën as nuk mbetën “në rrugë”, pa punë. Shumë sish që u ndërruan nga pozitat, u pensionuan, sidomos ata të niveleve lokale. Represionin më të madh e përjetuan udhëheqësit e studentëve, intelektualët e Maticës dhe udhëheqësit e organizatave dhe institucioneve të kulturës, informacionit, etj.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …