Adil Fetahu

Adil Fetahu: REFERENDUMI SERB – FARSË DHE PROVOKIM

Referendumi i shumëpritur dhe shumëpërfolur i shtetit të Serbisë, për ndryshimin e Kushtetutës aktuale të atij shteti (të vitit 2006, pas ndarjes së Malit të Zi), u krye në stilin “U dridh mali, polli një mi”!

Referendumin e shpalli Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë më 30 nëntor 2021, ndërsa u mbajt më 16 janar 2022. Në Vendimin mbi shpalljen e referendumit (pika 2), ishte përcaktuar se në referendum qytetarët duhet të deklarohen se “a janë për miratimin e Aktit mbi ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”. Në pyetjen që përmbante fletëvotimi, qytetarët duhet ta rrethonin njënën nga përgjigjet e tyre: “Po”, ose “Jo”.

Qytetarët as që e kanë ditur se çka përmbanë Akti mbi ndryshimin e Kushtetutës, as çka (cilat dispozita) po ndryshohen. Vërtetë, ai akt është publikuar në “Sluzbeni glasnik RS” (Gazetën Zyrtare të RS), por gazetën zyrtare e lexojnë vetëm një numër i vogël i njerëzve, të cilëve iu nevojitet në detyrat e tyre të përditëshme, e jo populli.

Akti për ndryshimin e Kushtetutës ka të bëjë ekskluzivisht me zgjedhjen e gjykatësve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë të Serbisë, dhe nuk e ndryshon asnjë pjesë as dispozitë  tjetër të Kushtetutës.

Referendumi ishte vetëm një farsë, për ta mashtruar popullin e vet dhe opinionin ndërkombëtar për gjoja ndryshime pozitive në sistemin e drejtësisë së Serbisë, se po e harmonizon me standardet e Bashkimit Europian dhe po krijon gjyqësi të pavarur.  Po teorikisht, me Kushtetutë, edhe deri më tash pushteti gjyqësor  ka qenë i pavarur  (“sudska vlast je nezavisna”, neni 4 par.4.), mirëpo në praktikë nuk ka qenë, dhe as nuk do të jetë i pavarur nga politika dhe pushtetet e tjera.

Objektivisht, referendumi është i dështuar, pasiqë në votim kanë marrë pjesë jo më shumë se 28% e qytetarëve të regjistruar me të drejtë vote, edhepse cenzusi i pjesëmarrjes së votuesve nuk është i caktuar as kusht për suksesin e referendumit, pasiqë për të qenë i suksesshëm kërkohet  përgjigjja “Po” e shumicës së atyre që votojnë.

Kushtetuta e Republikës së Serbisë është dashur të ndryshohet në Preambulë dhe në dispozitat në të cilat Kosovën e mbanë në mënyrë fiktive si pjesë të Serbisë, dmth. të ndryshohet duke iu përshtatur realitetit objektiv teorik dhe faktik, sepse Kosova është shtet i pavarur prej Serbisë qysh nga kapitullimi i Serbisë në luftën e vitit 1999, të vërtetuar me dy akte të niveleve të ndryshme ndërkombëtare: me Marrëveshjen e NATO-s (Kumanovë, 9 qershor) dhe me Rezolutën e KS të KB 1244 (10 qershor 1999).

Referendumi ishte vetëm farsë dhe provokim

Serbia as nuk e ka  qëllim anëtarësimin në BE, me të cilën zhvillon bisedime dhe gjoja harmonizon aktet  për përmbushjen e kushteteve, as me këto ndryshime nuk arrinë të krijon sistem gjyqësor të pavarur. Referendumi ishte vetëm farsë, dhe ishte një provokim kundër Kosovës. Të mësuar me votimet në zgjedhjet e mëparshme serbe, tentoi ta provokojë qeverinë e re (Kurti 2) të Kosovës, duke organizuar votimin për referendum edhe në shtetin e pavarur të Kosovës. Por, këtë herë i hasi sharra në gozhdë, sepse Qeveria Kurti me vendosmëri dhe mençuri e pengoi tentimin djallëzor serb. Madje, ia konfiskoi materialin e përgatitur e të dërguar në Kosovë për votim në referendum. Qeveria e Kosovës ua mundësoi serbëve të Kosovës, të cilët kanë (edhe) shtetësi serbe, dmth. dyshtetësinë (nëse ndonjë prej tyre ka shtetësi të Kosovës!), se mund të votojnë për refrendumin e Serbisë përmes postës ose përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, e jo  që shteti i Serbisë të organizojë  vendvotime dhe votime në shtetin e Kosovës. Pse Serbia nuk organizoi votimin e referendumit në shtetet fjera fqinje, ku ka më shumë serbë: Në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, Mal të Zi, Rumani, por deshi të organizojë në Kosovë? E “no pasaran” tha Kurti, edhepse disa nga ata që lejuan 13-14 vjet “të kalojë mini për mustake” iu bashkuan Listës srpska dhe nuk votuan Rezolutën e Kosovës për moslejimin e mbajtjes së referendumit serb në Kosovë!

Me këtë rast, ranë në provim edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, edhe ambassadorët e Quintit edhe OSBE, të cilët kërkuan nga Kurti të lejojë refrendumin serb në Kosovë, që është non-sens për kuptimin integritetit në shtetet e tyre.

Serbisë, por edhe përfaqësuesve ndërkombëtarë duhet t’u bëhet me dije, me kohë, se nuk do t’I lejohet më kurrë të organizojë as mbajë kurrëfarë votimesh në Kosovë. Serbëve të Kosovës do t’iu lejohet dhe mundësohet votimi përmes postës dhe përmes përfaqësisë diplomatike, por jo përmes mënyrës provokuese të përzierjes në politikën e brendshme të shtetit të Kosovës. Kështu do të jetë edhe në zgjedhjet për kryetarin e Serbisë, më 3 prill, dhe në çfarëdo zgjedhjesh tjera.

A do ta lejonte Serbia që Kosova ose Shqipëria të organizojnë referendum apo zgjedhje në Luginën e Preshevës?!

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Fahredin Hoti: TË MOS HARROJMË KURRË!

(25 vite nga tragjedia dhe gjenocidi serb në Krushë të Madhe)    Në përkujtim dhe …