Adil Fetahu: Të pranohet stazhi i punës për periudhën 1990-1999

“Paqja universiale dhe e përhershme mund të arrihet   vetëm nëse     është e bazuar në drejtësinë sociale”  (Kushtetuta e ONP)


 


Tranzicioni që ka ndodhur në vendet socialiste-komuniste, ndër të cilat bënte pjesë edhe Kosova, më së tepërmi i ka goditur punëtorët dhe pensionistët, por edhe femrat punëtore, të cilëve ua ka mbyllur vendet e punës, ua ka reduktuar të drejtat ekonomike e sociale, madje edhe ato që i kishin fituar me mund, me punë të ndershme e me kontribute të paguara për sigurim shëndetësor, pensional dhe invalidor. Kështu, tranzicioni e rriti papunësinë dhe varfërinë, reduktoi të drejtat ekonomike e sociale dhe  keqësoi statusin dhe pozitën e punëtorëve, të  pensionistëve dhe femrave të punësuara. Nuk është asgjë më e mirë as pozita e të rinjëve, të cilët edhe po të kryejnë çfarëdo niveli të shkollimit, nuk mund të gjejnë punë për vete, as të bëjnë kushte për të krijuar e mbajtur familje. Çfarëdo analize e pozitës ekonomike e sociale të punëtorëve dhe pensionistëve, do të jep rezultate dëshpruese sa u përket të drejtave të tyre.  Reforma ekonomike jo se ka stagnuar ekonominë, por gjendjen e ka keqësuar e kthyer prapa për disa vjet. Privatizimi katastrofal, praktikisht e shkatërroi ekonominë, veçmas industrinë prodhuese. Tash standardin jetësor po na e llogarisin me indikatorë tjerë: se në sa për qind shfrytëzohet teknika informative,  kompjuterizmi dhe interneti në familje, në ndërmarrje dhe në institucione. Po interneti, e-maili, facebooku apo çfarëdo rrjeti tjetër i teknikës informative, nuk prodhon të mira materiale as nuk zhvillon ekonominë (ndoshta ndikon pak në zhvillimin e tregtisë, por jo edhe në prodhimin e të mirave materiale).


 


Punëtorët dhe pensionistët – pa status, e me të drejta të reduktuara


 


Punëtorët të cilët janë të angazhuar në ndonjë punë, nuk e kanë më statusin e punëtorit të përhershëm, as të marrëdhënies së punës si marrëdhënie shoqërore-juridike. Statusi i tyre i tashëm e vërteton atë tezën marksiste, se në kapitalizëm punëtori është mëditës, i cili ia shet kapitalistit fuqinë e vet punuese si mall, ndërsa kapitalisti duke e eksploatuar punëtorin, e shfrytëzon vlerën e shtuar të punës së punëtorit. Lere se nuk ka siguri për kohëzgjatjen e marrëdhënies së punës, por as stazhi i punës nuk i vlenë gjë!


Stazhi i punës është periudha kohore të cilën punëtori e kalon në marrëdhënie pune efektive, dhe për të cilën (periudhë) janë paguar kontributet e sigurimit social, respektivisht të sigurimit pensional dhe invalidor.  Ekziston dallimi midis stazhit të punës efektive, dhe stazhit pensional. Stazhi pensional ka kuptim më të gjerë, dhe përfshinë edhe periudhën kohore kur punëtori nuk ka qenë i angazhuar në punë aktive, dmth. kur punëtori/punëtorja nuk ka punuar, mirëpo  ka qenë në marrëdhënie pune dhe ka paguar kontributet për sigurimin për social, respektivisht për sigurimin pensional dhe invalidor (pushimi vjetor; pushimet tjera me pagesë; pushimi mjekësor; pushimi i lehonisë, e raste tjera të caktuara me ligj). Ka edhe disa kategori  tjera të stazhit pensional (stazhi i beneficuar, stazhi i veçantë si pjesëmarrës i luftës, etj.).


Stazhi i punës dhe stazhi pensional janë me rëndësi për punëtorin kur është në pyetje realizimi i të drejtave të caktuara, e  veçmas për fitimin e të drejtës për pension, por edhe disa të drejta tjera, si bie fjala, ditët shtesë për pushim vjetor, shtesa në të ardhura personale, paga a shpërblime të caktuara për raste të jubileve të ndryshme të gjatësisë së stazhit të punës; paga të caktuara në rast të ndërprerjes së punës si tepricë teknologjike; kohëzgjatja e paralajmërimit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, e raste tjera të caktuara me ligj, me kontratë kolektive, ose me kontratën e punës të lidhur midis punëtorit e punëdhënësit.


Mosnjohja e stazhit – absurd i llojit të vet


 


Sipas skemës pensionale të Kosovës, që është në fuqi, janë dy lloje të pensionit (pensione iu thënçin këtyre): pensioni bazë, që iu paguhet të gjithë qytetarëve të Kosovës të cilët kanë arritur moshën 65 vjeçare, dhe pensioni për kontribut-paguesit, që do të thotë edhe ata duhet ta kenë arritur moshën 65 vjeçare, por të kenë së paku 15 vjet stazh pune, prej të cilave (7 vjet e 7 muaj pune në Kosovë).  Është një numër i madh, por askush nuk e din saktësisht se sa janë, ish punëtorë të cilët në ndërkohë e kanë mbushur moshën 65 vjeçare, por nuk i kanë 15 vjet stazh pune, sepse regjimi serb i ka përjashtuar prej pune në periudhën 1990-1999.  Kjo kategori e ish-punëtorëve tash merr të ashtuquajturin pension i pleqërisë, që është sa gjysma e “pensionit” të kontributpaguesve.


Asnjë punëtori i punësuar pas 31.12.1998, në cilindo sektor a shërbim qoftë, nuk i njihet stazhi pensional për pension! Paratë-kontributet që i paguajnë Trustit të Pensioneve, nuk kanë karakterin e sigurimit social, pensional dhe invalidor, veçse janë kursime sikur çdo kursim tjetër në ndonjë bankë, me atë dallim se këto kursime janë të obligueshme sipas ligjit, ndërsa kursimet në bankë nuk janë të obligueshme. Prandaj, për pensionistët e ardhshëm nuk ka kurrëfar rëndësie gjatësia e stazhit të punës së kaluar prej fillimit të vitit 1999 e këndej,  përveç rëndësisë se sa ma gjatë të ketë punuar, natyrisht se janë grumbulluar më shumë kursime, ndonëse ato janë fare të vogla, duke marrë parasysh pagat e vogla.


Punëtorëve të cilëve po iu mungon stazhi i punës (i para 31.12.1998) për të realizuar “pensionin si kontribut-pagues”, duke mos ditur ose po mashtrohen, po lidhin kontrata fiktive të punësimit te punëdhënësit privat, po i japin paratë për kontribute që i paguhen Trustit të Pensioneve (ndoshta edhe “pak” mito punëdhënësit, për këtë “shërbim”), duke shpresuar se kështu do ta fitojnë stazhin e sigurimit pensional për periudhën kohore që iu mungon për t’i plotësuar 15 vjet stazh. Mirëpo, kur shkojnë në zyrat e pensioneve, shohin se janë mashtruar, sepse askujt nuk i pranohet stazhi i punës së bërë pas 31.12.1998.


Nuk di se çka kanë ndërmarrë Bashkimi Sindikatave të Pavarura  dhe Lidhja e Pensionistëve të Kosovës për zgjidhjen e këtij problemi, por është më se e nevojshme që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ta përgatitë një projekt-ligj e t’ia procedojë Kuvendit të Kosovës për miratim, sipas të cilit të gjithë ish-punëtorëve të cilët regjimi i Serbisë i ka përjashtuar prej pune në kohën prej vitit 1990 deri në vitin 1999, t’iu njihet stazhi për pensionin e kontributpaguesve. Miratimi i një ligji të tillë është i natyrës së ngutshme, për shkak se ata ish-punëtorë tash kanë arritur moshën e pleqërisë, dhe dita-ditës janë duke “shkuar” në botën tjetër. Natyrisht, Kuvendi i Kosovës duhet ta miratojë edhe ligjin për sigurimin pensional dhe invalidor, sikurse e kanë të gjitha shtetet demokratike dhe këto të rajonit.


 


Për punëtorët e arsimit – është përgatitur projekt-ligji


 


Për punëtorët e arsimit, të cilët kanë punuar në sistemin e pavarur të arsimit shqip në Kosovë në periudhën 1990-1999, ekziston vullneti politik dhe gatishmëria që këtyre jo vetëm t’iu njihet stazhi, por edhe t’iu paguhet një kompensim i caktuar, dhe të gëzojnë edhe disa të drejta e benefite tjera. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e ka përpiluar një projekt-ligj për kategoritë e caktuara të punëtorëve të arsimit dhe shkencës, por edhe disa shërbimeve të tjerëve, të cilëve do t’iu njihen të drejta të caktuara. Sipas atij projekt-ligji, janë caktuar katër  kategori të personave që do të përfitojnë të drejta dhe beneficione (neni 9). Në kategorinë e parë, janë radhitur: punëtorët shkencor, mësimdhënësit universitar, sekretarët-kryetarët e këshillave komunale të arsimit, kryetarët e këshillave komunale të financimit, kryetari i Këshillit Qendror të Financimit, drejtorët e enteve ndërkomunale pedagogjike, drejtori i Entit Republikan Pedagogjik, inspektorët e arsimit, këshilltarët pedagogjik, redaktorët e Entit të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore, dhe drejtorët e shkollave fillore e të mesme.  Kompensimi shtesë për këtë kategori do të jetë 50% të pagës mesatare në Republikën e Kosovës. Në kategorinë e dytë hyjnë: mësimdhënësit e shkollave të larta, të mesme e të shkollave fillore, edukatorët e institucioneve parashkollore, bashkëpunëtorët profesional në shkolla dhe punëtorët administrativ të shkollave, të organeve komunale dhe atyre republikane të arsimit. Kompensimi shtesë për këtë kategori do të jetë sa mesatarja e pagës në Republikën e Kosovës. Në kategorinë e tretë bëjnë pjesë punëtorët teknik të institucioneve arsimore. Kompensimi shtesë për këtë kategori do të jetë 80% e pagës mesatare në Republikën e Kosovës. Dhe,në kategorinë e katërt hyjnë pronarët e shtëpive-shkolla, që do të marrin kompensimin në vlerën e pagës mesatare në Republikën e Kosovës.  Kompensimi shtesë caktohet në bazë të kohëzgjatjes së punës, ose lëshimit të shtëpisë-shkollë, në shumë nga 10% të pagës mesatare për vit. Statusin e kompensimit material nuk do ta gëzojnë personat të cilët kanë pranuar të punojnë nën masat e dhunshme serbe, as pronarët e shtëpive-shkolla për periudhën kur kanë marrë qiranë. Këto kompensime shtesë do t’iu paguhen personave të kategorive të përmendura pas pensionimit ose invaliditetit të tyre. Pensioni shtesë do t’iu paguhet edhe anëtarëve të familjes së ngushtë të personave të cekur në ligj. Për kategorinë e punëtorëve të arsimit që janë bërë invalid dhe pasardhësit e tyre,  parashihen edhe të drejta e beneficione tjera, si bie fjala: përparësi në punësim në kushte të barabarta, përparësi në regjistrim në institucionet arsimore publike, bursa për shkollim të mesëm dhe universitar, vendosja në konvikte pa kompensim, përkujdesja për strehim familjar, tarifë më të lirë të energjisë elektrike, vendosja në azilin e pleqve pa pagesë, etj.


 


Se sa prej këtyre të drejtave e benefiteve të parapara me projekt-ligj  do të mbeten në ligjin që do të miratohet nga Kuvendi, nuk mund të dihet pasi që aty do debatohet gjerë e gjatë, dhe do të merret parasysh kostoja e ligjit. Por, sipas mendimit tonë,  është kjo një listë tepër e stërzgjatur e personave dhe e të drejtave të parapara me projekt-ligj, që vështirë se do të mund ta përballojë buxheti i Kosovës. Veç kësaj, do ishte padrejtësi e madhe ndaj punëtorëve tjerë, të cilët regjimi serb i ka përjashtuar prej pune, nga pozita e funksione të ndryshme, dhe ata as nuk kanë marrë kurrë-farë pagash e kompensimesh, as nuk kanë mund të punësohen pas çlirimit të Kosovës, derisa punëtorët e arsimit edhe gjatë periudhës 1992-1999, kanë  marrë paga për punën e tyre, dhe pas çlirimit janë kthyer në objektet e tyre dhe kanë vazhduar punën. Bile, pagat e tyre që i merrnin në marka gjermane, në atë kohë të inflacionit galopant,  i tejkalonin pagat që pushteti serb iu paguante arsimtarëve të vet.


 


Prandaj, konsiderojmë se përveç korrigjimit arsyeshëm të dispozitave të projektligjit për statusin e punëtorëve të arsimit, Kuvendi i Kosovës duhet në të njëjtën kohë të miratojë edhe ligjin për njohjen e stazhit dhjetëvjeçar për pension të gjithë punëtorëve të cilët regjimi okupator i Serbisë i ka përjashtuar prej pune në periudhën 1990-1999. Me këtë do ta korrigjonte një padrejtësi të madhe që u është bërë këtyre punëtorëve edhe pas çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Dëshmitari amerikan, Shon Bërns, shpjegon para trupit gjykues përmbajtjen e Komunikatës numër 63 të SH të UÇK-së

Në një dëshmi përpara trupit gjykues në Hagë, dëshmitari dhe ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes, ka …