RKL: Kosova me EULEX-Kosovo dhe Tribunal kundër UÇK-së

Brukseli zyrtar po bën përpjekje të pareshtura dhe të gjithanshme që me çdo mënyrë të mundshme  t’i varros idetë çlirimtare të popujve të shtypur e të robëruar të Evropës, sepse janë edhe gjashtë apo shtatë rajone të Kontinentit plak që kërkojnë vetëvendosje, ndërsa Evropa globaliste, integraliste po mundohet me çdo kusht ta ruajë unitetin e jashtëm deklarativ, me qëllim të ta ruajë edhe status-quonë dhe pretendimin se të gjithë popujt e Evropës dhe pakicat kombëtare po i  gëzuakan të drejtat e barabarta.


Shembulli i UÇK-së, shkëputja e Kosovës nga Serbia ka krijuar një precedent i cili tashmë ka ringjallur forcat nacionaliste kudo në Evropë, ndërsa referendumi i popullit shumicë rus  të Krimesë për t’ iu bashkuar Rusisë, po ashtu ka rikthyer të drejtën e vetëvendosjes së kombeve, të drejtën e bashkimit të pjesëve të ndara të kombeve. Me qëllim për ta ngulfatur më tej këtë të drejtë, apo edhe luftërat e mundshme çlirimtare të popujve në Kataloni, Baski, Erdel (Transilvani), Korzikë, Sicili, Sanxhak, Bosnje e Hercegovinë, Skoci, Veneti, Vojvodinë, Maqedoni, Kosovë Lindore, Greqi e gjetkë, Brukseli po bën përpjekje ta themelojë një Tribunal, ku përmes dëshmitarëve të instruktuar dhe të blerë me miliona euro ta diskreditojë luftën e UÇK-së, ta diskreditojë edhe intervenimin ushtarak të NATO-s kundër Serbisë sodomiste të Milosheviqit, por edhe vetë shpalljen e pavarësisë së Kosovës.


 


Brukseli ka arritur ta diskreditojë edhe verdiktin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila kishte konfirmuar se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk binte ndesh me të drejtën ndërkombëtare. Pikërisht sepse qarqet pro serbe në Bruksel nuk u pajtuan me këtë verdikt, ato shantazhuan dhe i detyruan politikanët e Kosovës për të rifilluar bisedimet me Serbinë, e cila nuk e ka njohur as do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Duke qenë se Brukseli kishte arritur ta instrumentalizojë një klasë politikanësh të etur për pushtet, ishte marrë vendim për rifillimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, në fillim, nga frika e revoltave të mundshme ato u paraqiten  si bisedime teknike, të cilat më vonë u bënë politike dhe në të cilat, në të gjitha segmentet ka fituar Serbia dhe në të gjitha aspektet ka humbur Kosova.


Presionin e Brukselit në këtë drejtim e ka përkrahur dhe po e përkrah edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shumica e shteteve, të cilat e kanë njohur dhe e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës.


Fajin kryesor për degjenerimin e procesit të pavarësisë e kanë të gjitha partitë politike shqiptare në Kosovë, të cilat kishin pranuar Planin e Ahtisarit, përveç Vetëvendosjes, që nuk kishte pranuar të fillonin bisedimet me Serbinë, pa e kushtëzuar atë me njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe pranimin e integritetit territorial të saj.


Dëmin që ia kanë sjellë Kosovës bisedimet në Bruksel, po shihet se është dëm i pariparueshëm, meqë Brukseli nuk po ndalon në arritjen e qëllimeve për diskreditimin e pavarësisë së Kosovës, derisa në vend  po dominon bindja se Kosovën e ka çliruar UÇK-ja dhe NATO-ja (Amerika dhe Anglia).


BE-ja, nuk duket se është aq shumë e interesuar ta pranojë Serbinë në radhët e veta, ashtu sikur pretendojnë të na bindin disa analistë dhe politikanë, por ka qëllimet e veta për t’i ruajtur politikat hegjemoniste-globaliste në tërë territorin e kontinentit.  Në këtë drejtim BE-ja ka zgjedhur UÇK-së për “qengj të flijimit”, me qëllim për t iu dhënë mësim popujve të shtypur, që të mos ngrehin kokë, sepse çdo veprimtari çlirimtare do të dënohet e do të ndëshkohet. Pikërisht me këtë qëllim antishqiptar dhe antinjerëzor BE-ja po themelon një gjykatë ndërkombëtare për të gjykuar sikur thuhet krimet e UÇK-së kundër policëve shqiptar-vrasës serbë, kundër bashkëpunëtorëve shqipfolës  të regjimit të Milosheviqit dhe kundër pretendimeve të natyrshme të shqiptarëve për t’ u bashkuar në një shtet të vetëm. Gjykata kundër UÇK-së po themelohet me qëllim që t’iu bëhet me dije shqiptarëve se BE-ja kurrë nuk do ta lejojë bashkimin e shqiptarëve në një shtet dhe çdo përpjekje në këtë drejtim do të dënohet e do të ndëshkohet.


 


Për ta arritur këtë qëllim, BE-ja ka punuar qe 15 vjet rresht dhe më në fund ka arritur ta kompozojë një klasë politike, të tipit aziatik, që përkufizohet me sindromën: “lepe-peqe” dhe mjerisht, këtë, deri tani edhe e ka arritur.


 


Kjo klasë politike, nën presion të Brukselit ka pacifikuar veteranët duke i kthyer në lypsarë, ka mënjanuar nga të gjitha institucionet meritorët e lirisë dhe pavarësisë, ka fuqizuar institucionet me ish-spiunë dhe bashkëpunëtorë të ish-regjimeve okupatore, ka rikthyer sundimin serb në veri të Kosovës, ka lënë në mëshirë të kohës shqiptarët e Kosovës Lindore, ka përforcuar bastionet e fitimeve dhe ndarjes së përfitimeve nga shkatërrimi dhe tjetërsimi i pronës së përbashkët shoqërore, ka përkrahur dhe ka  nxjerrë në sipërfaqe një klasë politikanësh të shpërfytyruar moralisht e kombëtarisht dhe ka diskredituar çdo mundësi dhe çdo përpjekje për unifikimin e faktorit shqiptar. BE-ja ka arritur që edhe në Shqipëri ta kompozojë një klasë të tillë,  nga radhët e  pozitës dhe  opozitës, që kanë po ato simpati për Evropën, e cila nuk ua cenon favoret, përfitimet dhe pushtetin pa kufi.


 


Tribunali i turpit i ngjashëm me tribunalet inkuizicionale të Evropës mesjetare


 


Turpet antinjerëzore dhe krimet e pashembullta që kanë ndodhur në Evropë, duke filluar nga kryqëzatat, inkuizicioni, e ashtuquajtura ndjekje e shtrigave, djegia në turrë të druve e mendimtarëve të lirë të renesancës, lindja e fashizmit dhe e komunizmit, janë “margaritarë” të historisë së patjetërsueshme të së kaluarës së Evropës, me të cilat nuk e di se  a krenohen të gjithë evropianët. Pretendimi për ta krijuar një Tribunal kundër UÇK-së ku do të ndiqeshin penalisht të gjithë  ata shqiptarë liridashës që kanë luftuar barbarinë, sodominë dhe krimet më monstruoze serbe  të kryera kundër shqiptarëve  në këtë pjesë të Evropës,  pas holokausteve të Gjermanisë hitleriane, nuk janë asgjë tjetër por rikthim i tribunaleve mesjetare, për nga natyra dhe përmbajtja.


 


Përpjekja për demonizimin e UÇK-së nga këto qarqe është përpjekje për devalvimin e pavarësisë së Kosovës, dhe përpjekje për baltosjen paraprake të çdo ideje për liri, barazi e drejtësi. Kjo është esenca e tërë kësaj katrahure, kjo është hakmarrja që Evropa bën kundër shqiptarëve liridashës dhe kundër intervenimit të NATO-s ( Amerikës dhe Anglisë) në Serbi, me qëllim për të parandaluar zhdukjen fizike të një populli. Është Evropa ajo që kishte lejuar të masakroheshin 200 mijë boshnjakë myslimanë. Ishin trupat paqeruajtëse evropiane ato që lejuan dhe madje organizuan grumbullimin e myslimanëve në Srebrenicë në gusht të vitit 1995 dhe u tërhoqën për të incizuar më pas krejt gjakftohtë krimet barbare serbe në vrasjen kolektive të 8000 njerëzve të pafajshëm.


Janë shumë iluzorë e mendjelehtë ata që besojnë se BE-ja dhe shtetet e Evropës, përveç Anglisë,  paskan ndihmuar në çlirimin Kosovës.


 


Tribunali kundër  sikur thuhet “krimeve” të UÇK-së nuk e ka pëlqimin e popullit liridashës, nuk e ka pëlqimin e pjesës dërrmuese të veteranëve, nuk e ka pëlqimin e familjarëve të dëshmorëve, as të invalidëve të luftës, por e ka pëlqimin e një segmenti të Qeverisë, e ka pëlqimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, përderisa kryesia e Kuvendit, apo vetë deputetët  nuk kanë kërkuar debat lidhur me themelimin e këtij tribunali. Themelimi i këtij Tribunali të Turpit e ka pëlqimin e të gjithë kolaboracionistëve të të gjitha prejardhjeve e ngjyrimeve, e ka pëlqimin e bashkëpunëtorëve të mbrojtur të UNMIK-ut dhe të EULEX-it, e ka pëlqimin e OJQ-ve mercenare dhe asaj pjese të shtypit, e cila mbijeton dhe mbulohet me fonde nga shërbimet e huaja,  duke gjurmuar deklarata të rrejshme e duke diskredituar luftën e UÇK-së sikur janë: Koha Ditore, gazeta Ekspress, Bota Sot, Jeta BIRN-i dhe disa portale, që bëjnë punën e shërbimeve sekrete serbe në Kosovë.


 


Themelimi i këtij Tribunali nuk mund të kalojë pa një protestë të fuqishme gjithë-popullore, apo ndoshta edhe pa eskalim të situatës së sigurisë në Kosovë. Ata veteranë që do ta  pranojnë heshtur këtë Tribunal, me faktin se më në fund pas 15 viteve do ta fitojnë një lëmoshë institucionale, nuk mund të flasin më në emër të të gjithë veteranëve, as në emër të mbrojtjes së vlerave të luftës. Ka ardhur koha kur nga mesi i veteranëve idealistë të riorganizohet fryma ademjashariane e rezistencës, sepse ashtu sikur ishte e drejtë dhe shenjtë lufta jonë për liri e pavarësi, ashtu është e drejtë dhe e shenjtë edhe lufta për ruajtjen e vlerave të saj  dhe integritetit moral e kombëtar të luftëtarëve të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës.


 


 


Behxhet Sh. Shala-Bajgora: Veteranët e luftës dhe veteranët e ”rezistencës“ paqësore


 


 Kuvendi i Kosovës, më në fund, ndonëse me një vonesë të madhe e miratoi Ligjin për Veteranë të Luftës, si shpagim moral dhe material për ata që luftuan , u sakrifikuan, humbën pjesët e trupit për këtë gjysmë lirie, gjysmë pavarësie dhe gjysmë sovraniteti që e kemi sot! Historia te shqiptarët nuk ka një qëndrueshmëri prandaj edhe bëhet riciklimi i saj, varësisht prej situatës politike dhe garniturave pushtetmbajtëse. Ish komunistët me mendje , bindje dhe zemër jugosllave e që Zoti i kishte krijuar si shqiptarë të cilët mendonin serbisht dhe flisnin shqip përfituan dhe po përfitojnë në të gjitha sistemet. Në kohën e Rankoviqit jetonin mirë duke dhunuar , arrestuar , gjykuar, dënuar dhe vrarë shqiptarë që mendonin dhe vepronin shqip. Ashtu kishin jetuar edhe në kohën e Titos. Ashtu jetonin në kohën e UNMIK-ut. Edhe më mirë po jetojnë në kohën e EULESH-it dhe kryeministrit Thaçi! Janë të respektuar, mbajnë poste të larta publike, janë këshilltarë për çështje politike dhe kombëtare (!!!), prokurorë, gjykatës, pronarë të mediave ( krijues të opinionit ) , pronarë të bizneseve me shifra të larta të përfitimit , të infiltruar në Policinë e Kosovës, në FSK , në AKI , në subjekte politike, Presidencë, Kuvend dhe në Qeverinë e Kosovës! Këta , në kohën kur burgjet e Jugosllavisë ishin plotë me shqiptarë që ishin dënuar për bindje politike dhe gjakim për liri, shërbenin si hetues , torturues, gjykatës , prokurorë dhe linçues publikë sepse kishin nën kontrollë të plotë mediet jugosllave dhe ato të Kosovës. Këta bënin diferencime politike dhe shkatërronin familje shqiptare duke i larguar nga puna shkaku se anëtari i tyre ishte dënuar si armik i Jugosllavisë, vëllazërim – bashkimit dhe bashkëjeteses midis kombeve dhe kombësive . Ishin të dënuar si nacionalistë, irredentistë dhe kundërrevolucionar. Diferencimin politik, varësisht nga pesha e “fajit“ e bënin komunistët e bindur jugosllavë që më vonë themeluan parti politike në Kosovë duke filluar nga LDK.


 


Programin politik të LDK’së e patën shkruar komunistët jugosllavë me ideologun e tyre Rrahman Morina, i cili pati dhënë leje që këta të organizohen politikisht, të veprojnë lirshëm, të organizojnë zgjedhje të lira në Kosovën e okupuar dhe të bëjnë propagandë si dhe linçime publike ndaj të burgosurve politik shqiptarë që kishin mbaruar burgjet e tyre në kohën kur u themeluan këto parti. Motoja kryesore e bijve dhe bijave politike, ideologjike dhe shtetërëre të Rrahman Morinës të organizuar në parti politike ishte se :” të burgosurit politikë shqiptarë për ne janë më të rrezikshëm se vet Serbia “. Dhe kishin të drejtë sepse ata nuk kishin pasur dhe nuk kishin fare problem me Serbinë! Sepse , një numër jo i vogël i tyre ishin bima e Serbisë ! Ishin të mbëltuar në fidanishtet e Beogradit, Kumrovcit dhe Nishit! Asokohe, nga Armata Popullore e Jugosllavisë ktheheshin në arkivole me qindra ushtarë shqiptarë të cilët kishin “ bërë vetvrasje “! Ishin dënuar me qindra shqiptarë në këtë armatë me burg deri në 20 vite. Në procese të montuara politike. Edhe vet jam dënuar 12 vite në Gjykatën Ushatarake të Zagrebit në vitin 1984. Hetues në këto procese kanë qenë oficerët shqiptarë të KOS’it (Kontra Obavestajna Sluzba) apo Shërbimi Kundër Zbulimit i Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë dhe ushtarë shqiptarë të shantazhuar, të frikësuar dhe të detyruar të dëshmojnë. Ishte Tahir Zemaj me shokët e tij. Njëri ndër ta ishte edhe Enver Krasniqi atëherë kolonel i KOS-it. Këta, përveç se kanë montuar procese politike kundër ushtarëve shqiptarë , pa as një dyshim kanë qenë pjesë edhe e skenareve të vrasjes së ushtarëve shqiptarë të cilët pastaj i kanë kthyer si të “ vetvrarë “. Nëse analizohet lista e ushtarëve të “ vetvrarë” shqiptarë dhe atyre të dënuar në Ushtrinë Popullore të Jugosllavisë, nuk do ta gjeni askund dikend, prindi i të cilit ka qenë funksionar , zyrtar apo në ndonjë pozitë tjetër udhëheqëse në organet shtetërore , politike , ushtarake, policore , gjyqësore , diplomatike etj. të ish Jugosllavisë. Të gjithë ishin ish të burgosur politikë, familjarë të tyre apo patriotë të dëshmuar si dhe aktivistë për çështje kombëtare! A ishte kjo e rastit ?! Ky ishte provimi i tyre ( KOS-it ) i besnikërisë ndaj një ushtrie ku Rankoviqi dikur kishte shumë ndikim.


Sa më shumë ushtarë shqiptarë të arrestuar , të dënuar dhe të “vetvrarë”, aq më lehtë dhe më shpejtë e ndërtonin karrierën e tyre. Atëbotë ka qenë e pamundur të jesh oficer i Ushtrisë jugosllave nëse nuk ke qenë përkrahës i atij regjimi që ua pinte shqiptarëve gjakun me pambuk! E lëre më oficer i KOS-it jugosllav. Është dashur t’i kalosh të gjitha sitat dhe shoshat e filtrimit e të fitosh besimit të bëhesh kolonel i KOS-it. Këtë besim e kishin fituar kolonelët Zemaj dhe Krasniqi dhe shumë të tjerë të cilët pastaj u bënë “ kuadri ushtarak “ i ( TH ) FARK-ut dhe “ Ministrisë së Mbrojtjes “ duke sabotuar luftën dhe duke zhvatur  pamëshirshëm paratë e qeverisë së Bukoshit të Fondit të 3% -it. Këto para i zhvaten  këta oficerë dhe” ushtarë” që luftonin nëpër shtetet perëndimore, me paga të majme dhe duke mos e shkrepur as edhe një plumb të vetëm në Kosovë! Këta ishin dallaveraxhinj dhe mercenarë ndërkaq ata që e kishin përnjëmend si Agim Ramadani, Sali Çeku dhe shumë të tjerë luftuan nën uniformën e UÇK-së, duke e dhënë edhe atë më të shtrenjtë që e kishin për lirinë e Kosovës . Jetën e tyre. Ata shkuan në përjetësi me uniformën e UÇK-së dhe jo me uniformë të njëfarë FARK-es ! Krahu politik në me krye Himë Govën e bënin jetën e sulltanëve me para të Fondit të 3% -it! Duke e sabotuar luftën me të gjitha mjetet e mundshme! Duke i përçarë studentën para protestave të tyre për lirimin e objekteve universitare. Duke e cilësuar UÇK-në si :” dorë të zgjatur të Serbisë “. Duke pranuar çdo gjë që i ofronin popat e Shën Exhidios me qëllim të dëmtimit të luftës së UÇK-së së lavdishme ! Duke dorëzuar mbi 5000 armë në Zonën Operative të Dukagjinit dhe duke e lënë vetëm me 12-15 ushtarë luftëtarin e hatashëm dhe trimin e madh të kësaj zone , kombëtarin, Ramush Haradinaj të cilit i bënë puç pikërisht “ Ministria e Mbrojtjes dhe FARK-u që pastaj ikën në Padesh të Shqipërisë ku koloneli dezertorm  i cili nuk u kthye asnjëherë më në Kosovë për të luftuar, Tahir Zemaj e puthte flamurin kombëtar që ia dorëzoi Ahmet Krasniqi. Duket se e ka puthur flamurin e gabuar. Flamuri i kolonelit ishte flamuri para të cilit kishte dhënë betimin si oficer i KOS –it jugosllav. Dhe të cilit i shërbeu deri në fund!


Atëherë ishte një vijë e çartë ndarëse midis atyre që luftonin për lirinë e Kosovës dhe atyre që sabotonin këtë luftë edhe me mjetet më të ndyra. Ata që e sabotonin luftën në planin ushtarak dhe politik. Luftën e sabotonin ushtarakisht “Ministria e Mbrojtjes“ me FARK-un ndërsa politikisht e sabotonte Himë Gova me “qeverinë” e tij. Luftën e bënë në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe të pabarabarta UÇK- me Komandantin Legjendar, Të Pavdekshmin, Adem Jashari dhe Komandanti Politik i Çështjes Kombëtare, i Përjetshmi Adem Demaçi!


 


Luftëtarët mbesin luftëtarë, sabotuesit mbesin sabotues


 


Me datën 3 prill 2014 u përsërit historia. Ata që kur ishte nevoja dhe koha luftuan për lirinë e Kosovës e mbrojtën nderin e luftës dhe nderin e UÇK-së . E votuan Ligjin për Veteranë të Luftës së UÇK-së së Lavdishme. Mbrojtën vlerat e vërteta dhe nuk lejuan kontrabandimin e antivlerave “ ushtarake “ dhe “ politike “! Nuk e lejuan shndërrimin e antivlerave në vlera. E penguan përligjjen e antivlerave si vlera!


 


Sabotuesit e luftës u bënë edhe sabotues të paqes! Bënë përpjekje që të rehabilitojnë dhe përligjin ata që e penguan luftën, që keqpërdorën Fondin e 3% -it, dezertorët dhe oficerët e ish armatës Jugosllave që bënin jetë luksoze në qendrat mondane botërore. Ish oficerët e UDB-së dhe KOS-it. Sabotuesit e sotëm në Kuvendin e Kosovës deshën të veshnin me merita kombëtare ata që punuan kundër kombit në aspektin politik dhe ushatarak! Ata që e penguan luftën dhe çlirimin e Kosovës! Sabotuesit e sotit deshën ta bëjnë FARK-un ushtri që e ka bërë luftën ndërsa UÇK-në si tog të kësaj “ ushtrie ! Qëllimi final i tyre ishte që ta bëjnë një kryefrikacak, Himë Govën, komandant suprem të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në vend të Komandantit të Vërtetë të UÇK-së , Legjendarit,  Adem Jashari! Këtë mashtrim nuk e duron as Toka e as Zoti , si krijues i saj! Nuk krijohet historia dhe madhështia me përmendore të Kim il Sungut, si ajo para Kuvendit të Kosovës! Por me vepra dhe sarificë sublime!


  


Armend Zemaj nga goja e vet nuk po nxjerr mjaltë. Duket se as mjaltë nuk po hanë! Edhe në rastin e parë dhe të dytë ai po përzien diçka që shumë ia kënda e që fillon me shkronjën e mjaltit! Ky nuk është mjek që të caktojë diagnoza për Adem Demaçin të cilin e diagnostifikon si monstrum dhe psikopat. Ky nuk ka të kaluar, as personale e as familjare që ta cilësojë Adem Demaçin si antikombëtar dhe proserb. Që i ka shërbyer Serbisë. Ky është i ri të flas për Rankoviqin duke i krahasuar deputetët që e kanë votuar Ligjin për Veteranë të Luftës se po e bëjnë këtë si në kohën e Rankoviqit. Armend Zemaj mund të ketë dëgjuar për Aleksandar Rankoviqin nga xhaxhai i tij, ish oficer i KOS- it të Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë , kolonel Tahir Zemaj. Kur Adem Demaçi dhe shumë të burgosur të tjerë politikë shqiptarë kanë vuajtur vite dhe shekuj burg ( ata të dënuar në Armatën Popullore të Jugosllavisë edhe me kontributin e pakursyer të xhaxhait të Armend Zemaj), koloneli Zemaj ka vrapuar pas prostitutave në Zajeçar , Pozharevc, Beograd, Vukovar dhe qytetet tjera ku me besnikëri qençe i ka shërbyer Jugosllavisë dhe Serbisë! Dhe frymës së Rankoviqit! Edhe pjellën e ka përzier ! Kjo është e vërteta! Është e vërtetë se Tahir Zemaj ka qenë i dënuar për tregti me drogë dhe si diler. Me disa persona nga Besiana dhe Prishtina. Armendi është i ri dhe mbase nuk i kujtohet. Apo nuk ka dëshirë ta kujtojë këtë! Është e vërtetë se Tahir Zemaj, si oficer i KOS-it ka marrë në pyetje ushtarët shqiptarë në ish Armatën Jugosllave. Pas së cilës janë dënuar me burgje të gjata , deri me 20 vite! Për këtë ka fakte të shkruara! Është e vërtetë se nuk përjashtohet roli dhe kontributi i tij në “vetvrasjen“ e ushtarëve shqiptarë. Për këtë do të dalin fakte edhe për së gjalli të Armend Zemaj! Është e vërtetë se në zonën ku ka “luftuar“ Tahir Zemaj i janë dorëzuar ushtrisë dhe policisë serbe mbi 5000 armë.


Janë bërë publike listat e personave që kanë dorëzuar armatimin. Janë edhe filmimet nga koha e dorëzimit të këtyre armëve që janë transmetuar në mediat e asaj kohe! Është e vërtetë se janë lënë në duart e serbëve mbi 600 të plagosur në kohën kur Tahir Zemaj me FARKUN e tij ia mbathi për Shqipëri për t’u mos kthyer kurrë më në luftë! Prandaj, Armend Zemaj, si mbrojtës i “jetës dhe veprës “ së kolonelit të KOS-it jugosllav, Tahir Zemaj , nëse ka ndonjë aktgjykim me të cilin Tahir Zemaj është gjykuar nga gjykatat serbe dhe jugosllave për aktivitete kombëtare dhe politike, le t’i bëjë publike. Unë, në këtë rast do t’i kërkoj falje publike! Nëse Armend Zemajt i duhet aktgjykimi për dënim të xhaxhait të tij si diler droge nuk e ka aspak vështirë ta sigurojë ate. Edhe për marrje në pyetje të ushtarëve shqiptarë në ish Armatën jugosllave pas së cilave janë dënuar me vite e shekuj burg, lehtë sigurohen informatat. Janë të ruajtura aktakuzat dhe aktgjykimet. Aktgjykimet e Adem Demaçit për dënim dhe mbajtje thuaja 30 vjet burg janë të ruajtura. Dhe janë publike. Edhe unë kam ruajtur aktgjykimet për dënimin tim politik i pari është 3 vjet burg ndërsa i dyti 12 vjet . Për të dytin kur jam dënuar si ushtar ka kontribuar shumë kolegu i xhaxhait të Armend Zemaj. Koloneli i KOS-it jugosllav, Enver Krasniqi! Armend Zemaj po krenohet me xhaxhain e vet , kolonelin e KOS-it jugosllav. Në mbrojtje të diçkaje që nuk mbrohet po sulmon vlerat e dëshmuara kombëtare. Po të isha në vendin e tij unë do të turpërohesha nga e kaluara e xhaxhait. Në vend të pastrimit të ndërgjegjes ai po e rëndon edhe më shumë. Për shkak të pastrimit të historisë familjare . Për shkak të së ardhmes së fëmijëve të vet! Për shkak të së vërtetës që në mënyrë aq të paskrupullt e falsifikon dhe e mohon !


Ismet Beqirin e njoh një kohë të gjatë. E mbaj mend si aktivist të palodhshëm për çështje kombëtare të viteve të 90-ta, i cili ka ndihmuar shumë banorët e ish Lagjes së Vranjevcit e cila për së gjalli të Ismetit u quajt Kodra e Trimave. Sigurisht për shkak të Ismetit. Me t’u zhdjerg të Ismetit në qytet apo me urbanizimin e tij kjo lagje më nuk mund të quhet Kodra e Trimave. Duhet t’i kthehet emërtimi i mëparshëm! Ismet Beqirin e kam njohur si aktivist kombëtar dhe politik. Duket se nuk e paskam njohur sa duhet. Nuk e paskam ditur që Ismet Beqiri paska qenë komandant i Lartë i  FARK-ut. Dhe zëvendësministër i “Ministrisë së Mbrojtjes “ së Bukoshit. Prandaj me aq ngulm e mbronte këtë në Kuvendin e Kosovës . Duke bërë përpjekje që të bënte një martesë të pazakontë dhe jonormale të FARK-ut me UÇK-në. Jo , Ismet. Nuk kalon kjo punë! Është kundër natyrës dhe kundër Zotit! Dhe mos u kërcëno se kur të vini në pushtet puna e parë që do ta bëni është se do ta shfuqizoni Ligjin për Veteranë të Luftës. Se nuk do t’i lëshoni kullat e Sheremetit! Pushkë e zbrazur është kjo, miku im Ismet Beqiri. Sepse ti kurrë nuk ke banuar në ato kulla!

Kontrolloni gjithashtu

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka pranuar kallëzimin penal kundër ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj

Në raportin vjetor të organizatës “Freedom House” janë përmendur rastet e Shemsi Hazitit, Nagip Krasniqit dhe Martin Berishajt

Në raportin vjetor për vitin e kaluar 2023 të organizatës ndërkombëtare “Freedom House” është përmendur …