Ahmet Qeriqi: Përpjekja për kryengritje të armatosur, në Besi, më 2 prill të vitit 1981

Protestat dhe demonstratat e Marsit dhe Prillit të vitit 1981, kanë shënuar fillimin e ndarjes definitive të forcave liridashëse shqiptare nga procesi i jugosllavizimit, proces i cili ishte  manifestuar me politikën e ashtuquajtur të bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me popujt sllavë. Për më tepër, qysh nga ajo kohë filloi edhe procesi i gjatë, historik, për krijimin e Republikës së Kosovës, fillimisht si republikë e barabartë në federatën jugosllave, me synim që në këtë republikë të përfaqësoheshin shqiptarët e të gjitha viseve tona etnike, të cilat i mbante nën okupim RSFJ. 

 

Literatura e shkruar për demonstratat e vitit 1981 është e bollshme, por shkenca jonë e historisë ende nuk e ka dhënë përcaktimin definitiv, lidhur me trajtimin realist të atyre zhvillimeve politike. Definicioni i mirëfilltë shkencor historik mungon, meqë deri vonë ka munguar edhe vullneti për një definicion të tillë, meqë historiografia zyrtare e kohës këto protesta i ka kualifikuar si armiqësore me pretendime për shkatërrimin e Jugosllavisë.

 

Po ashtu, kanë qenë dhe vazhdojnë të mbesin të hapura përcaktimet mbi baza të grupeve, organizatave dhe pjesëmarrësve në këto protesta. Deri tani ka dominuar mendimi se ngjarjet e vitit 1981 kanë qenë një Lëvizje studentore, e filluar spontanisht, me kërkesë për avancimin e kushteve të tyre materiale, etj. Më vonë në mesin e protestuesve janë brohoritur edhe parulla politike e sociale, të cilat janë lansuar nga segmente të caktuara të lëvizjeve të fshehta, (ilegale), sikur kanë qenë kërkesat “Republikë Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”. “Lironi shokët nga burgu”. “Adem Demaçi” dhe parullat: “Trepça punon, Beogradi fiton”. “Jemi shqiptarë nuk jemi jugosllavë”, e të tjera.

Me avancimin e protestave dhe kundërpërgjigjes brutale ndaj demonstruesve nga Policia e më vonë edhe nga ushtria jugosllave, protestat zgjerohen edhe me një segment të  kundërvënies së armatosur, më 2 e 3 prill në Besi, në relacion Prishtinë-Besianë (ish-Podujevë).

Nëse i bëjmë një rekapitullim të shkurtë zhvillimit të ngjarjeve prej 11 marsit deri më 3 prill të vitit 1981, arrijmë në përfundim se demonstratat filluan në mënyrë paqësore, por kulmuan me kapjen e armëve dhe gatishmërinë për kundërvënie të armatosur. Këtu mendoj se duhet kërkuar edhe përkufizimin, jo duke e relativizuar Marsin e Prillin si Lëvizje studentore,  si  Pranverë studentore, apo kosovare, edhe pse filloi si e tillë, por as si një kryengritje e dështuar, sikur paraqitej në shtypin jugosllav të kohës dhe sikur aprovohej në komitetin krahinor të KSAK-së.

 

Përpjekjet për kryengritje të armatosur, në Besi, më 2 e 3 prill të vitit 1981, Shpallja e gjendjes së shtetrrethimit prej 2 deri më 18 prill, në mbarë territorin e Kosovës nga kreu politik dhe ushtarak i RSFJ-së,  rezistenca e armatosur, që bënë në kullën  e tyre Tahir dhe Nebih Meha në Prekaz, më 13 maj, janë fakte reale historike, që flasin se Lëvizja e marsit dhe prillit e vitit 1981 u kurorëzua me një revoltë të fuqishme gjithë-popullore  me një segment të kryengritjes së armatosur  kundër regjimit pushtues jugosllav.

 

Shtypja brutale e protestave, nga tërë aparati represiv jugosllav, arrestimet, burgosjet, dënimet e mijëra pjesëmarrësve, prej një deri në 20 vjet burg, jo vetëm që nuk e thyen rezistencën, e cila nuk u ndërpre asnjëherë, por vazhdoi në segmentin  kryengritës duke mbështetur parullën: “Republikë-kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”. Kjo ishte lidhje e brendshme integrale shpirtërore e atdhetare, ishte përcaktimi unik, që nënkuptonte liri, barazi vetëvendosje të shqiptarëve në ndarë padrejtësisht nga shtetet fqinje me përkrahjen e shteteve më të fuqishme të Evropës.

 

Kjo lëvizje, e cila ishte vendimtare në historinë më të re të Kosovës dhe që ndikoi edhe në fillimin e shpërbërjes së ish-RSFJ-së, nuk ishte  shuar asnjëherë, por  kishte vepruar  në kushte dhe rrethana të caktuara deri kur edhe integrohet në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

Qasja tjetër e interpretimit të Marsit e Prillit të vitit 1981

 

Prej vitit 1981 e deri te pezullimi i autonomisë së Kosovës më 28 mars të vitit 1989, regjentët e politikës titiste në Kosovë  këto ngjarje i kualifikuan si sulm të organizuar të forcave nacionaliste e irredentiste shqiptare, kundër politikës së bashkim vëllazërimit, kundër “barazisë së vërtetë” të shqiptarëve dhe kundër themeleve të  Jugosllavisë së kombeve dhe kombësive të barabarta. Të gjithë demonstruesit,  të cilët vepruan në këtë platformë, dhe të cilët u sollën para gjyqeve konsiderohej se  kanë kryer “vepra penale të drejtuara në rrëzimin e pushtetit të klasës punëtore, minimin e rregullit shoqëror dhe ekomomik, të përcaktuar me kushtetutë, minimin e bazës ekonomike të vendit, thyerjen e bashkim vëllazërimit dhe barazisë së kombeve e të kombësive, si dhe ndryshimin antikushtetues të rregullimit federativ të shtetit”. Mbi këtë platformë politike të ish RSFJ-së ishte demonizuar Lëvizja e vitit 1981 dhe deri diku si e tillë u trajtua edhe gjatë tërë kohës së Lëvizjes pacifiste të viteve 90 të shekullit të kaluar.

Kërkesa programatike: “Republikë-Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë” afishonte dy opsione, opsionin paqësor, të cilin e përkrahu lëvizja pacifiste LDK-ja e Ibrahim Rugovës dhe opsionin  e rezistencën aktive, të cilën do ta përkrahin shumica dërrmuese e atyre, që kishin ngritur grushtet dhe armët për luftë deri në fitore në vitin 1981 dhe që nuk i kishin ndërruar bindjet, ndërsa aspiratat për shkëputje nga Jugosllavia u bënë realitet me luftën fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përkrahjes nga ajri të aeroplanëve të NATO-s, në verë të vitit 1999.

 

Në vitet 90, krahas injorimit që i bënë kësaj Lëvizje disa nga intelektualët pro-jugosllavë ( Baton Haxhiu, Veton Surroi, Shkëlzen Maliqi, Halil Matoshi dhe dhjetëra të tjerë), dhe të cilët konsideronin se  Lëvizja i kishte stopuar  dhe i kishte prapakthyer proceset e afirmimit dhe të barazisë së plotë të shqiptarëve me serbët e popujt e tjerë sllavë, pati edhe pretendime që Lëvizja e vitit 1981, të përvetësohej dhe  të kualifikohej veçanërisht  si Lëvizje paqësore studentore, e cila pa të drejtë  u shtyp nga regjimi titist. Segmenti i përpjekjeve për lëvizje të armatosur u mohua dhe për më keq, përpjekja e armatosur,  në Besi, jo vetëm u la në harresë, por edhe u injorua një kohë të gjatë.

 

 

Tani 33 vjet pas atyre zhvillimeve,  lidhur me përpjekjet e suksesshme në disa segmente  për kryengritje të armatosur, në Besi, ne ende jemi në pozicion vlerësimi, në pozicion pranimi, mohimi, korrektimi, matjeje, luhatjeje, dileme, madje edhe arbitrimi të papranueshëm nga individë të caktuar, të cilët këtë manifestim kryengritës, në Besi, për shumë vjet me rradhë e kishin lënë krejtësisht në harresë. Vetëm  më 2 prill të vitit 2008, duke shënuar  27-vjetorin e kësaj përpjekje për kryengritje të armatosur, u mbajt një tubim, në oborrin e shkollës fillore të Besisë, por ky aktivitet  mbeti në margjina të lajmeve nëpër  mediet e Kosovës, sepse tubimin e kishte organizuar Radio-Kosova e Lirë dhe Këshilli organizativ nga mesi i ish të burgosurve politikë të Besisë.

Në emisionin e lajmeve të RTK-së, të orës 19.30,  më 2 prill 2008, u eliminua  në tërësi fjala afër 20 minuta e organizatorit,  ndërsa u transmetuan  vetëm disa sekonda nga fjala e Adem Demaçit dhe fjala e Hydajet Hysenit. Për më tepër gazetari i RTK-së kishte marrë edhe një intervistë nga organizatori, por edhe ajo u fshi dhe sigurisht, që edhe është zhdukur. U ndala në këtë moment për të shpjeguar edhe diçka tjetër.

Koordinatori, apo Këshilli për shënimin e 30-vjetorit, të zhvillimeve të vitit 1981, në nivel vendi  nuk ishte kujtuar për këtë, ta quajmë pak më butë, ndodhi të armatosur, dhe kjo i detyroi pjesëmarrësit e asaj ndodhie të vetë-organizohen  sërish, dhe me përkrahjen e   disa bashkëmendimtarëve të organizojnë këto aktivitete, jo më 2 prill, sikur do të duhej, po me 3 prill, për shkaqe që nuk do t’ i komentojmë këtu.

Është krejtësisht e papranueshme, për të mos thënë se është edhe e dënueshme kombëtarisht të anashkalohet përpjekja për kryengritje në Besi, me të cilën Lëvizja e vitit 1981 kishte kulmuar. Ata, që i mohojnë këto aktivitete, ose i anashkalojnë,  nga frika se aktivitetet e tyre me grushtet përpjetë do të zbehen,  apo veprimtaria e tyre ilegale do të mbetet nën  hije, ata mohojnë historinë e Marsit dhe prillit të vitit 1981. Mendoj se të gjithë  pajtohemi me faktin se prej mbarimit të luftës së përgjakshme të Shaban Palluzhës, në Drenicë, në shkurt të vitit 1945 e deri te dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor të viti 1997, nuk kemi pasur një lëvizje tjetër më të fortë, më të organizuar dhe më te suksesshme dhe më me jehonë të gjatë, sesa ajo e Marsit dhe Prillit të vitit 1981. Dihet po ashtu mirëfilli edhe kontributi i secilit grup, i secilës organizatë, pjesëmarrëse në këtë periudhë historike të rezistencës, sepse të gjithë u sollën para gjyqeve dhe u dënuan për veprat e tyre, të cilat kualifikoheshin si vepra penale kundërrevolucionare.

 

Ne, që kemi qenë pjesëmarrës në protestat dhe demonstratat e vitit 1981, sidomos më 2 prill, disa edhe organizatorë të rastit, e dimë fare mirë se çfarë jehone kanë pasur zhvillimet e Besisë, në Prishtinë, dhe kudo në Kosovë. Lajmi se ishin rrëmbyer armët, se protestuesit kishin çarmatosur forcat rezerviste, që vinin nga Beogradi dhe kishte filluar kundërvënia e armatosur kishte elektrizuar shqiptarët liridashës, jo vetëm në Kosovë.

Përqendrimi im  në këtë segment nuk e nënvlerëson aspak atë që quhet “Lëvizje studentore”, meqë si e tillë kishte filluar  më 11 mars dhe më 26 të po atij muaji, por më 1 e 2 prill nuk ishte më vetëm e tillë, meqë në protestat masive kishin marrë pjesë dhjetëra mijëra punëtorë, qindra mijëra nxënës, fshatarë e qytetarë  liridashës shqiptarë nga mbarë Kosova, nga Republika e Maqedonisë nga komunat e Kosovës Lindore, madje edhe nga Ulqini Kraja e Anamali, kryesisht studentë të studionin dhe jetonin në Prishtinë e në qytete të tjera të Kosovës. Forcat policore e ushtarake jugosllave kishin vrarë mizorisht 10 demonstrues, kishin plagosur me armë zjarri rreth 200 syresh dhe ishin rrahur gjatë kacafytjeve mijëra të tjerë. Edhe vetë kam qenë pjesëmarrës në ato demonstrata  së bashku me shumë nxënës të shkollës së mesme teknike dhe Akademisë Pedagogjike ku punoja. Isha  në mesin e nxënësve e studentëve, të cilët po protestonin prej Fakultetit Teknik  në Lagjen e Muhaxhirëve dhe në drejtim të Mensës së Studentëve. Atë ditë, në orët e mesditës, mu para Fakultetit teknik nga një tanks në qarkullim një oficer artilerie nxori  revolen dhe me disa plumba goditi turmën protestuese në kohën kur njësiti tankist po marshonte drejt Mensës së Studentëve. Një pjesë e protestuesve u doli në ndihmë të plagosurve duke i tërhequr  dhe pjesa tjetër protestonte fuqishëm pa u larguar nga vendi.

 

2 dhe 3 prilli i vitit 1981 shënuan kulmin ku kishte arritur revolta popullore.

 

Nuk është e rastësishme pse rinia e kësaj pjese të Kosovës, i mori armët. Dhe këtu duhet një shpjegim shtesë. Popullata e fshatrave, Besi, Barilevë, Mirovc, Bernicë, Sharban, Rimanishtë, Breznicë, Vranidoll, Lupç, Prugovc e fshatra të tjera  ishte më shumë e elektrizuar në këtë revoltë me faktin se mbahej në burg të rëndë veprimtari më konsekuent i Lëvizjes çlirimtare, bacë, Adem Demaçi, për të cilin rinia dhe popullata e kësaj ane kishin respektin më të madh të mundshëm.  Edhe gjatë demonstratave, në Prishtinë, ishte kërkuar lirimi nga burgu i Adem Demaçit e të burgosurve të tjerë. Mendoj se pikërisht për këtë edhe lëvizja në këtë pjesë të Kosovës mori atë hov, ashtu sikur mori hov kryengritja në Drenicë, pas rënies së Adem Jasharit, apo në Dukagjin, pas rënies së Luan Haradinajt, apo në Llap pas rënies së Zahir Pajazitit e kështu me radhë.

Pikërisht ky shpërthim i revoltës, në Besi, por edhe në disa vende të tjera të Kosovës,  kapja e armëve, ndalimi i rezervistëve, çarmatosja e tyre, rrëmbimi i armëve dhe i municionit, vendosja e barrikadave nëpër   rrugë, djegia e një kamioni të rezervistëve  që kishte material për aktivitet luftarak fushor, përmbysja e veturave, gjuajtja drejt helikopterit dhe forcave policore shënoi kulmin e asaj që unë e vlerësoj si “Përpjekje për kryengritje të armatosur”.  Duke u mbështetur në këto zhvillime Presidenca Jugosllave kishte marrë qëndrim për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe pak më vonë trajtimin e këtyre ngjarjeve si përpjekje për kundërrevolucion.

Insistimi im për vlerësimin realist  të zhvillimeve luftarake në Besi dhe për një vlerësim  serioz të të gjitha zhvillimeve prej vitit 1981 e deri te epopeja e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është një thirrje drejtuar institucioneve relevante, që ta dokumentojnë me fakte dhe argumente  këtë periudhë të historisë sonë, sepse nuk mjafton vetëm botimi i librave e broshurave, sipas përzgjedhjeve autoriale, edhe pse kjo, padyshim se  ka efektin e vet. Besoj dhe shpresoj se kapitulli i Besisë duhet të zërë vendin meritor në historinë e shkruar të luftës për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar.

Dhe për fund

 



Disa nga armët që u morën nga njësitë rezerviste më 2 prill të vitit 1981, në Besi u ruajtën dhe filluan të vjellin barot kundër forcave policore e ushtarake serbe gjatë luftës së UÇK-së. Me armën e rrëmbyer, më 2 prill të vitit 1981 nga Avni Llumnica,  kishte rënë në altarin e atdheut, gjatë luftës së UÇK-së, Nexhmi Llumnica, i njohur si komandant Gjoni. Me armën e rrëmbyer në vitin 1981, kishte luftuar në radhët e çlirimtarëve, Sami Leci, i dënuar 14 vjet burg në vitin 1981. Me besë-betimin e lidhur në barrikadat e luftës në Besi, iu bashkuan radhëve të UÇK-së Zijadin Hoxha, Ibush Kelmendi dhe shumë të tjerë.

Nga 38 pjesëmarrësit e dënuar dhe të persekutuar nga regjimi jugosllav, Nexhmi Llumnica 40-vjeçar  ka rënë dëshmor, ndërkohë kanë vdekur, Ramadan Rexha 65, Nexhmedin Pireva 39-vjeçar dhe Shaban Dragusha 34 vjeçar.  Disa  të tjerë jetojnë në shtetet e Evropës, por shumica e tyre, asokohe të rinj dhe të mitur, tashmë të burrëruar para kohe, jetojnë në gjendje të rëndë sociale, pa përkrahje institucionale, pa punë  dhe pa asnjë ndihmë, ashtu sikur jetojnë edhe shumica dërrmuese e të burgosurve politikë dhe veteranëve të luftës së UÇK-së.

Nga të gjitha grupet që janë dënuar gjatë viteve 80, për veprimtari antijugosllave, këto tri grupe të Besisë, dy grupe të moshuar e një i të miturve kanë qenë grupet  që kanë marrë dënime tejet të larta dhe që  shumica dërrmuese e tyre janë ndëshkuar fizikisht në mënyrë sistematike gjatë tërë kohës së vuajtjes së dënimeve. Në mesin e tyre kishte edhe të tillë që i dënuan edhe gjatë vuajtjes së dënimit, për vepra të njëjta penale, sikur është dënimi në burg i Zymer Krasniqit.

Tri grupet e Besisë janë trajtuar mizorisht nga drejtoritë e burgjeve gjatë kohës së vuajtjes së dënimeve. Një pjesë e të miturve janë dërguar në Goli Otok, disa syresh në Slloveni, në Kroaci, Vojvodinë e në Serbi.

Pasojat e keqtrajtimeve i vuajnë po thuajse të gjithë, disa kanë pasoja jetësore, në një segment shumë të dhembshëm të jetës.

Për dallim nga grupet e tjera të organizuara, mendoj se  grupi i Besisë ka qenë më i keqtrajtuari gjatë viteve ’80 e më vonë.

Të gjithë, pa dallim janë rrahur mizorisht si gjatë procesit të hetimeve, ashtu edhe gjatë vuajtjeve të dënimeve nga inspektorët, milicët dhe gardianët e burgjeve. Natyrisht se janë rrahur edhe mijëra të tjerë, por këta në mënyrë më specifike, meqë kishin guxuar të rrëmbenin armët.

Janë keqtrajtuar dhe janë mbajtur në burgun e Prishtinës dhe në burgje të tjera, jashtë çdo norme ligjore edhe disa nga prindërit e të miturve.

Shumica dërrmuese e tyre janë dërguar në vuajtje të dënimit në burgjet më në zë për  të keq të Jugosllavisë.

Pas lirimit  nga burgu nuk janë pranuar në shkolla, as në fakultete.

Veprimtaria e tyre atdhetare sikur është lënë në margjina.

Një ta quajmë intelektual i Kosovës, me bindje pacifiste kishte marrë aktakuzat e të dënuarve dhe kishte premtuar se do të shkruante për këtë grup në vitet 90, por duke u njoftuar me veprimtarinë e tyre luftarake, militante kishte hequr dorë.

Kjo ngjarje e rëndësishme është shënuar për herë të parë  publikisht më 2 prill të vitit 2008 me një aktivitet përkujtimor tematik, mbajtur nga Radio-Kosove lirë dhe Këshilli organizativ  nga mesi i të dënuarve të këtyre grupeve.

Nga ky grup i të dënuarve, shumica dërrmuese janë nga ata  që nuk janë pranuar kurrë në punë edhe pse kanë bërë përpjekje dhjetëra e ndoshta qindra herë.

Në mesin e tyre ka të tillë që jetojnë me ndihma sociale.

Nuk është treguar as edhe minimumi i përkujdesjes institucionale, për këta flakadanë të lirisë, as pas luftës dhe as po tregohet tani, kur vetëm në Kuvendin e Kosovës nga 120 deputetë 44 prej tyre janë milionerë.

Do ta them edhe një të vërtetë tjetër të hidhur.

Papërgjegjësia, që e ka karakterizuar shoqërinë e Kosovës së pas mbarimit të luftës, në qershor të vitit 1999, lidhur me anashkalimin total e pjesës dërrmuese të  të burgosurve  politikë dhe veteranët e luftës së UÇK-së, është damka më e zezë që i karakterizon të gjitha qeveritë e kaluara e deri te kjo aktualja, është një damkë, që kurrë nuk do të shlyhet. Është hipokrizi që për gjendjen e tillë të mjerë të fajësohet UNMIK-u apo EULEX-i, apo buxheti i dobët i Kosovës, kur e dimë mirë si ia punojnë buxhetit shumë prej atyre dhe këtyre.

Tani kur Kosova ka fituar pavarësinë, kur është njohur nga 106 shtete të botës, kur ka buxhet 1 miliardë e gjysmë euro, kur rriten madje edhe 50 e tash edhe 25  për qind të ardhurat e të zënëve me punë, në anën tjetër  janë qindra mbase edhe mijëra ish-të burgosur dhe veteranë  të UÇK-së, që jetojnë me ndihmën sociale 80 euro në muaj dhe ndihma, që u ndajnë herë pas herë bamirësit e firmave private.

 

38 dinjitarët e lirisë, të cilët 33 vjet më parë rrëmbyen armët për t’ i sjellë liri Kosovës, katër nga të cilët nuk janë më në mesin e të gjallëve të vuajtur, janë në mesin e mijëra të tjerëve, janë në armatën e ish të dënuarve dhe atë të veteranëve, mbi gjakun dhe djersën e të cilëve janë ngritur shtyllat e forta mbi të cilat po mbahet, po gjallon dhe po përparon Kosova. Tekefundit brezat që po vinë po e gëzojnë  këtë liri që kemi dhe kjo nuk është pak.

Kontrolloni gjithashtu

Përfaqësuesi i Amerikës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Robert Wood, reagoi kundër akuzave të diplomatit rusi, Vitali Nebenzia

Përfaqësuesi i Amerikës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Robert Wud, reagoi ndaj akuzave të …