Duke komentuar zhvillimet e kohës së fundit në Serbi, profesori asociuar i Politikës së Jashtme në Universitetin e Kalifornisë Jugore, Robert English, ka deklruar se dyshon që ardhja e Listës Studentore në pushtet në Serbi do ta ndërrojë qasjen e Serbisë ndaj Kosovës. Ai ka thënë për Radion Evropa e Lirë se “ të njëjtët studentë që kanë udhëhequr lëvizjen demokratike kanë mbajtur qëndrime të ashpra për çështjen që lidhen me Kosovën edhe para zgjedhjeve. Në disa raste madje edhe më të ashpra se presidenti i deritashëm Aleksandar Vuçiq. Ata e kanë akuzuar atë se e ka lënë pas dore fatin e popullsisë serbe në veri të Kosovës dhe janë zotuar se do t’i mbrojnë serbët dhe të drejtat e tyre. E gjithë kjo lë të kuptohet se procesi i integrimit mund të ngadalësohet. Unë parashoh një proces që mund të zgjasë pesë vjet gjatë të cilit Serbia mund të përjetojë një ringjallje të suksesshme të forcave liberale, forcim të demokracisë dhe tregut të lirë, dobësim të lidhjeve, sidomos me Rusinë dhe Kinën, si dhe forcim të marrëdhënieve me pjesën tjetër të Europës. Të gjitha këto zhvillime mund ta çojnë gradualisht situatën në drejtimin e duhur. Por nuk pres një marrëveshje të shpejtë që do t’i kapërcente dallimet mes dy palëve” ka thënë mes tjerash, profesori asociuar i Politikës së Jashtme në Universitetin e Kalifornisë Jugore, Robert English.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
