Adil Olluri: Semiologjia e Umberto Ekos

Modeli studimor i Umberto Ekos është kërkimi semiologjik që realizohet rreth një procesi shoqëror siç është komunikimi dhe rreth konvencioneve kulturore siç janë kodet. Por, që në fillim këtu duhet të kemi të qartë, se ky kërkim i tij dallon në princip nga njohja e jonë që kemi për semiologjinë, apo më mirë të themi nga koncepti sosyrian për të. 
Modeli i Ekos nuk e sheh semiologjinë si sistem, strukturë e shenjave, koncept i cili i ka lindur teoritë e strukturës, por ky semiologjinë e sheh si model për zhvillimin e procesit të komunikimit, duke e shndërruar kështu semiologjinë në teori komunikimi. Sipas tij, struktura që e kemi përcaktuar si përfundimtare, është e tillë vetëm deri në pikën ku ka arritur njohja e jonë; një kërkim iri mund të na shtyjë që ta shkatërrojmë atë si strukturë të thellë, si kod përfundimtar. Kjo premisë e konteston identitetin arbitrar të shenjës, që ishte ide tipike për teoritë strukturale. Por, Eko nuk është i pari që i konteston këto teori, vlen ta përmendim ta zëmë Mishel Fukonë, i cili konteston principin sinkronik, duke krijuar kështu skema strukturale gjatë interpretimit të ngjarjeve dhe epokave historike( Rilindja, Mesjeta, etj) për të formuar kështu arkelogjinë e tij të njohjes. Pra, ndjek principin diakronik, duke u bërë kështu strukturalist së mbrapshti, gjë e cila e bën atë pjesë të teorive passtrukturale(The arkeology of knowledge). 
Siç e thamë edhe më sipër Eko dyshon në ekzistimin e një strukture përfundimtare, për të struktura nuk është objektive, por e ngarkuar me kuptim. Ai strukturën do ta shikojë si mjet hipotetik me anë të të cilit shikohen dukuritë për t’i çuar pastaj në bashkëlidhje më të gjëra. Dhe si rezultat të kësaj, ai sheh strukturën si trillim operativ. Ideja se struktura nuk është objektive por e ngarkuar me kuptim, e dërgon Ekon miqësisht te Chomsky, ku sipas këtij të dytit ekziston një kompetencë bazike si sistem procesesh gjenerative që mund të përsëriten për të prodhuar një numër paskajshmërisht të gjerë kuptimesh( Aspects of theory of syntax). Principi analogjik mbi procesin gjenerativ të komunikimit na japin si rezultat dialogun teorik Eko-Chomsky, ku i pari e përdorë strukturën si trillim operativ, ndërsa i dyti e përjashton për t’u lënë hapësirë proceseve gjenerative. Principet e njëjta, ndërsa qëllimet e ndryshme. 

T’i kthehemi esencës, ku siç thamë në fillim semiologjia e Ekos është teori e komunikimit, informacionit, teorie cila burim të informacionit e sheh kodin, prej të cilit realizohet mesazhi. Madje, kjo teori e identifikon kodin edhe si rregullator të mesazhit. Dhe ky proces e ndjek këtë rrugë: Kodi e jep mesazhin e mesazhi informacionin, pra mesazhi jep informacionin semiologjik. Informacioni është shkalla e mundësisë për të zgjedhur atë që na jep mesazhi. Të flasim më konkretisht, në letërsi kod mund të quhet përdorimi letrar i gjuhës, idiolekti estetik, zhanri letrar, mesazhi mund të identifikohet me vetë veprën letrare(poezinë, romanin, dramën etj) si produkt semiotik, brenda të cilit gjendet bota e kuptimit apo e kuptimeve të mundshme, ndërsa informacioni semiologjik nxirret apo zgjidhet nga komunikuesi, lexuesi varësisht nga dija apo koncepcionet njohëse që ka ai. Mesazhi shpalos atë që mund të quhet retorikë, proces retorik i ndërtimit, ndërsa informacioni nxjerr në pah ideologjinë, e cila sipas Ekos i takon lexuesit, sepse çdo lexues komunikon me mesazhin përmes një formimi a kulture të tij të caktuar. Eko me ideologji nënkupton një sistem të ideve që gjendet brenda lexuesit. 
Vepra letrare, poetike, sipas kësaj semiologjie, është e ndërtuar mbi kriterin e redunancës. Redunanca është një mundësi, një mundësi, një proces që përmes një kodi të ndërlikuar të dërgojë lloj-lloj mesazhesh. Letërsia e përdorë këtë kriter duke krijuar kështu një mesazh sa më të reduktuar për të krijuar kështu një kompleks të informacioneve, dhe sa më i reduktuar të jetë mesazhi aq më i zgjeruar është informacioni. Për shkak të redunancës mesazhet letrare i karakterizon tensioni informativ. Këto mesazhe ndërtohen përmes një idolekti estetik, I cili gjatë zgjedhjes e thyen kodin semiologjik. Dhe meqë mund të flasim për një idolekt estetik, atëherë mund të flasim edhe për një estetkë me bazë semilogjike, e cila mund të na tregojë ç’mund të bëhet një vepër letrare, ç’është një vepër letrare, e jo ç’ka një vepër letrare, sepse këtë e tregon kritika me procesin e saj interpretues. Kur e shpjegon idiolektin estetik, Eko vetëdijshëm bie në kurthin e asaj që tradicionalisht quhet definicion formalist, kur thotë se ky idiolekt është zgjedhje brenda kodit. 
Dhe pse t’i shmangej një përkufizimi aq të saktë. Pra, më një mënyrë kjo është bota e shenjave që përmban në vetvete kodet të cilët vërehen me anë të procesit denotativ, dhe nënkodet që nxirren me anë të një procesi konotativ. Eko dallon semiologjinë nga semiotikat, ku sipas tij semiologjia është studim i kodeve të përgjithshme të komunikimt, apo më mirë të themi ajo është studim gjeneral i dukurive kulturore si kodet semiologjike, ndërsa semiotikat janë studim i një kodi të veçantë përmes principit semiologjik. Hjelmslevi dallon semiotikat denotative dhe semitikat konotative. Ndër semitikat mund të dallojmë Kinezinë, Zoosemiotikën, Semilogjinë ikonografike, Semilogjinë e arkitekturës, semiologjinë e fotografisë apo semiologjinë letrare. 
Kjo është në pika të shkurta projekti teorik që mund ta quajmë model semiologjik i Umberto Ekos.

Literaturë: 
Umberto EKO: “Struktura e papranishme”, Dukagjini, Pejë, 1996

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani: Iku në përjetësi penë arti Fadil L. Curri

Më 6 prill pushoi zemra e shkrimtarit, gazetarit dhe intelektualit të shquar, Fadil L. Curri …