Rrjedhat e të dhënave të EIONET për vitin 2024- Kosova sërish përmbush 100% të obligimeve për raportim
Rrjeti Evropian i Informacionit dhe Vëzhgimit të Mjedisit (EIONET) si pjesë e Agjencisë së Mjedisit të Evopës (EEA), ka bërë vlerësimin e përmbushjes së obligimeve për raportim për vitin 2024. Kosova së bashku me 3 vende tjera Austrinë, Luksemburgun dhe Serbinë, kanë arritur të përmbushin 100% të obligimeve për raportim në kuadër të rrjedhës së të dhenave themelore për vitin 2024.
Nëntë vende tjera (Qipro, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Hungaria, Suedia, Sllovakia, Irlanda, Franca dhe Italia), arritën të përmbushin obligimet për raportim në shkallë prej 90% ose më lart.
Një nga treguesit kryesorë të performancës të përcaktuar në Strategjinë EEA-Eionet 2021-2030 është arritja e një rezultati mesatar të përgjithshëm të rrjedhës së të dhënave prej të paktën 90%. Ky objektiv sipas vlerësimit për vitin 2024, nuk është arritur plotësisht, me performancën mesatare të përgjithshme të raportimit në 88% për 27 vendet e BE-së dhe 87% për të gjitha vendet e EEA-së dhe vendet bashkëpunuese.
Në kuadër të vlerësimit për ketë vit, Kosova ka marrë pikët maksimale për të gjitha fushat obligative për raportimit të realizuara përmes Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit (AMMK), ku përfshihen raportimi i të dhënave vjetore për cilësi të ajrit, raportimi online i të dhënave për cilësi të ajrit, raportimin për emisionet në ajër, raportimi për gazrat serrë, raportimi për zonat e mbrojtura, raportimi për cilësi të ujërave dhe raportimi për sasi të ujërave.
Ky sukses që po arrihet për të katërtin vit radhazi është rezultat i punës dhe përkushtimit të ekspertëve të AMMK dhe bashkëpunimit me institucione tjera monitoruese në nivel kombëtar, si dhe mbështetjes nga donatorët përmes projekteve të ndryshme.
Kjo arritje tregon po ashtu edhe përkushtimin e AMMK në përmbushjen e detyrimeve në kuadër të programit të bashkëpunimit me Agjencinë e Mjedisit të Evropës (EEA), me Rrjetin Evropian të Informacionit dhe Vëzhgimit të Mjedisit (EIONET) dhe në procesin e integrimeve evropiane.
Per më shumë: https://www.eea.europa.eu/…/eionet-core-dataflows-2024