Afrim Halil Behrami (10.3.1972 -10.5.1999)

Afrim Halil Behrami (10.3.1972 -10.5.1999)

Në fshatin Izbicë të Drenicës, forcat ushtarake dhe policore serbe kanë kryer njërën ndër masakrat më të rënda e më të çmeritura gjatë luftës në Kosovë, gjurmët e së cilës janë munduar t’i zhdukin me marrjen e shumë viktimave dhe zhdukjes së tyre. Ata vetëm më 28 mars të vitit 1999 vranë, masakruan dhe pushkatuan 128 shqiptarë të moshave të ndryshme, gra, fëmijë e burra të moshuar të fshatrave: Izbicë, Leçinë, Burojë, Vojnik e banorë të fshatrave të tjera, të cilët ishin zhvendosur në luginën e këtij fshati, pasi kishin ikur nga granatimi i forcave policore dhe ushtarake serbe. Ndërkohë, në maj të po atij viti, serbët kanë pushkatuar edhe 13 banorë të tjerë nga radhët e popullatës së zhvendosur, nga fshatrat fqinje. Ata, që të gjithë, fati i luftës i kishte bashkuar në luginën e Isluuit Izbicë, ku më 28 mars të vitit 1999, dhe më 10 maj forcat ushtarake dhe policore serbe kishin kryer aktet e pashembullta të barbarisë duke treguar edhe një herë fytyrën e çmendur dhe sodomiste të Serbisë. Izbica është Srebernica e Kosovës, për nga forma brutale e veprimit, zhdukjes së kufomave dhe përpjekjeve për të humbur gjurmët e krimeve. Izbica, luftës së UÇK-së i ka dhënë 5 dëshmorë e 25 martirë. Dëshmorë nga ky fshat janë: Afrim Behrami, Zaim Behrami, Ismet Osmani, Xhevdet Dobrani, Enver Bajra dhe Sami Bajra.

Afrim Behrami u lind më 10 mars të vitit 1972, në familjen e Halil Behramit. Shkollën fillore e kreu në fshatin Vojnik. Mësimet e mesme i ka vazhduar në Skënderaj në drejtimin e shkencave shoqërore. Për një kohë ka qenë i angazhuar në degën e Shoqatës “Nëna Terezë”, në Skënderaj. Në fillim të aktiviteteve të luftëtarëve të lirisë kundër policisë serbe, Afrim Behrami së bashku me Zaim Behramin, Xhevdet Dobranin, Ismet Osmanin, Sami Ramën e të tjerë ka kontaktuar me qëllim të inkuadrimit në radhët e UÇK-së, me komandantin e kësaj ane, Abedin Rexha nga fshati Vojnik, i cili ishte ndër luftëtarët e parë të lirisë nga kjo pjesë e Drenicës.

Pas daljes publike të UÇK-së në llaushë, më 28 nëntor të vitit 1997, djalëria e kësaj ane po përgatitej intensivisht për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së. Duke qenë se nuk kishte armatim, shumë vullnetarë të lirisë, të cilët kishin kushte pak më të mira ekzistenciale, nëpër kanale të ndryshme blejnë armë, me qëllim për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së. Edhe Afrimi me të hollat që ia kishte dërguar babai nga Gjermania kishte blerë automatikun dhe ishte inkuadruar në radhët e luftëtarëve të lirisë.

Pika e parë e UÇK-së në fshatin Izbicë ishte caktuar në shtëpinë e Sadri Aliut. Komandant i parë i kësaj pike ka qenë Avni Aliu. Me caktimin e pikës, radhëve iu kishin bashkuar edhe shumë vullnetarë në mesin e tyre edhe arsimtarë, punëtorë, fshatarë. Ndërkohë në Izbicë vjen edhe eprori, Shaban Musliu nga Gjilani, i cili angazhohej në drejtim të stërvitjes së vullnetarëve, të cilët nuk kishin përgatitje të duhur ushtarake.

Pika e parë e vëzhgimit ishte caktuar në vendin e quajtur “Kalabreg”, Qëllimi i kësaj pike ishte vëzhgimi i forcave serbe, të cilat zakonisht sulmonin nga fshatrat fqinje Belicë, i banuar me serbë, por edhe nga fshati Leçinë, ku jetonin disa familje serbe.

Ndërkohë me zgjerimin e radhëve, luftëtarët e lirisë të kësaj ane sistemohen në Batalionin e Tretë të Brigadës 112 “Arben Haliti” të Zonës Operative të Drenicës. Në kreun e këtij batalioni ishin Avni Aliu nga Izbica dhe Musa Dervishi nga fshati Kastriot, (ish-Kosterc).

Afrim Behrami, i cili ishte inkuadruar në radhët e UÇK-së me automatikun e tij, i bashkohet pikës së vëzhgimit, e cila më vonë do të bëhet edhe vijë e frontit, në përballje me forcat serbe.

Në kohën e zgjerimit të radhëve, Izbica kishte rreth 40 luftëtarë të lirisë, shumica e tyre të armatosur me armatim të lehtë, kallashë, bomba dore, etj.

Në këtë fshat, qysh prej fillimit të luftës, në Drenicë, në pranverë të vitit 1998 ishin zhvendosur shumë banorë nga fshatrat fqinje, të cilat ishin përfshirë në flakën e luftës çlirimtare.

Sulmet më të egra të forcave serbe vinin nga fshati Belicë, i cili banohej me popullatë serbe e malazeze. Banorët serbë të këtij fshati iu kishin bashkuar radhëve të policisë dhe forcave paramilitare serbe. Ata, kishin filluar të gjurmonin terrenin dhe ishin përgatitur për ta sulmuar Izbicën, ku gjatë dimrit të vitit 1998/1999 kishte mijëra banorë të zhvendosur.

Katër ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër makinerisë ushtarake dhe policore serbe, më 28 maj 1999, serbët e fshatrave Belicë e Leçinë të përkrahur nga ushtria dhe policia fillojnë depërtimin në Izbicë, me ç rast edhe kryen njërën ndër masakrat me të çmeritura. Ata depërtuan në mesin e popullatës së zhvendosur dhe me forma e metoda barbare vranë e masakruar 128 civilë shqiptarë në mesin e tyre edhe fëmijë, gra burra dhe pleq të moshuar.

Nga popullata civile e këtij fshati, serbët kanë vrarë e kanë pushkatuar këta banorë të Izbicës: Zeqir Xhemajli, Idriz Xhemajli, Muharrem Osmani, Azem Osmani, Hetem Osmani, Bajram Bajra, Qazim Bajrami, Shaban Musliu, Mujë Rexhepi, Fatmir Osmani, Zoje Osmani, Halit Rama, Islam Haliti, Mehmet Hajra, Qerim Hajra, Muhamet Kadriu, Azize Spahiu, Nuredin Behrami, Muhamet Behrami, Demush Behrami, Ardita Behrami, Edona Behrami dhe Çlirimtare Behrami, foshnj; gjashtëmuajshe, e cila kishte lindur në luftë, bija e dëshmorit të kombit, Afrim Behrami.

Pasi ishin varrosur trupat e masakruar, një ekspeditë ushtarake serbe kishte depërtuar në vendin e krimit dhe kishte ngarkuar në kamionë rreth 60 kufoma, të cilat u dërguan në dm të panjohur.

Pavarësisht kësaj masakre dhe luftës, e cila ishte përshkallëzuar, luftëtarët e lirisë bënë aq sa mundën dhe nuk u demobilizuan as u ligështuan. Ata luftuan dhe ranë trimërisht, por nuk u dorëzuan.

Më 10 maj të vitit 1999, serbët sërish kishin mësyrë fshatin. Ata sulmojnë pikën në Kalabreg ku ishin pozicionuar Afrim Behrami. Ismet Osmani. Driton Osmani dhe Xhevdet Dvorani, të gjithë luftëtarë të UÇK-së. Rreth mesditës, kishin rënë dëshmorë: Afrim Behrami, Ismet Osmani dhe Xhevdet Dvorani.

Të nesërmen, më 11 maj, serbët zunë në pyjet e fshatit Izbicë edhe 13 banorët e zhvendosur, shumica prej tyre nga fshati Burojë dhe që të gjithë i pushkatuan.

Radhëve të UÇK-së, iu kishte bashkuar edhe Blerim Behrami, vëllai i dëshmorit Afrim Behrami, i cili në prill të vitit 1999 iu kishte bashkuar trimave që luftonin në frontin e Koshares.

Afrim Behrami ka lënë, babanë, Halilin, nënë Shkurten, bashkëshorten dhe bijtë: Beratin, Besartin e Visarin, bijat Qëndresën dhe Çlirimtaren, e cila pësoi nga tragjedia e luftës në kohën kur i kishte mbushur gjashtë muaj. Ai po ashtu ka lënë vëllezërit: Blerimin, Naimin, Ilirin, Gazmendin, Elvisin, Armendin e Veliun dhe motrat: Dritën e Krenaren.

Familja Behrami ka marrë mirënjohje për djalin dëshmor nga SHP i UÇK-së, nga Zona Operative e Drenicës, nga komuna e Skënderajt dhe nga shoqatat e luftës. (A. Q)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …