Bekë Sadri Muslijaj (15.5.1941 – 10.5.1999)

Bekë Sadri Muslijaj (15.5.1941 – 10.5.1999)

Dëshmori Bekë Muslijaj, u lind më 15 maj të vitit 1941, në një familje me tradita atdhetare, në fshatin Shaptej, komuna e Deçanit. Babai i Bekës, Sadriu, kishte arritur të shpëtonte në masakrën e Tivarit, ku më 1 prill 1945, në mënyrë barbare e tërbuese ushtria çetnike serbo e malazeze ekzekutoi me armë zjarri e me armë të ftohta mbi 3700 burra shqiptarë duarthatë, të mobilizuar dhunshëm e me mashtrim për ta përzënë ushtrinë e mundur naziste nga Mali i Zi e viset tjera të Jugosllavisë së dalur nga Lufta e dytë Botërore.
Rrëfimet për padrejtësitë e regjimeve pushtuese, rrëfimet e babait për masakrën e Tivarit dhe përjetimet në fëmijërinë e hershme, kishin ndikuar në formimin e personalitetit të veteranit të arsimit Bekë Muslijaj, i cili për 37 vjet me radhë edukoi dhe arsimoi brezat e rinj. Punën si mësues e filloi në vitin 1961, në shkollën fillore “Drita” në Gramaçel, ndërsa më vonë pa shkëputje nga puna i vazhdoi studimet e larta në SHLP “Bajram Curri” në Gjakovë, ku diplomoi në drejtimin Biologji-Kimi. Një kohë ishte edhe drejtor i kësaj shkolle, por për shkak të mospërshtatshmërisë ideo-politike, në vitin 1983, organet arsimore të pushtetit të asaj kohe e larguan nga kjo pozitë. Pas këtij ndëshkimi, Beka edhe me më shumë përkushtim e vazhdoi punën për edukimin e mirëfilltë të brezave të rinj.
Mësuesi veteran Bekë Muslijaj, me fillimin e luftës frontale çlirimtare në Kosovë, u angazhua, mbështeti dhe përkrahu atë pa rezervë. Mori pjesë në vijat e frontit në Prejlep, Shaptej, Biteshe, etj. Ai ra dëshmor, më 10 maj 1999, në misionin e shenjtë në përpjekje për të tërhequr trupat e katër dëshmorëve (tre vëllezërve Muslijaj dhe të Rifat Beqirajt) të cilët i kishte pasur edhe nxënës në shkollën fillore të Gramaçelit.
Mësuesi Bekë, së bashku me Ukë Beçirajn dhe rapsodin e njohur të përmasave gjithëshqiptare Lan Dobra, i vetëdijshëm për rrezikun që i priste, i vetëdijshëm se po i priste vdekja e sigurt, ishte nisur për të tërhequr trupat e dëshmorëve nga vendi i rënies. Por, në këtë përpjekje edhe ata ranë në altarin e atdheut. Eshtrat e tyre u gjetën pas përfundimit të luftës, në vendin e quajtur Shavare, mes fshatrave Gramaçel e Shaptej.
Bashkëshortja e dëshmorit Bekë Muslijaj, Hatmanja me dy vajzat e saj, Albnoren dhe Albertinën për 64 ditë me radhë, në pranverën e vitit 1999, mbijetuan luftën në malet e Shaptejt, duke u përballur edhe me mungesën e ushqimit, të cilin e kompensuan me barishte e rrënjë, për t’i shpëtuar barbarisë dhe poshtërimit serb. Në gjendje shumë të rëndë, ato u gjetën gati dy javë pas përfundimit të luftës, të cilat as që kishin kuptuar për kapitullimin dhe tërheqjen e forcave serbe nga Kosova.
Trupi i dëshmorit Bekë Muslijaj, më 3 korrik 1999, është varrosur me nderime ushtarake në varrezat e fshatit Shaptej. Ndërkaq, më 10 dhjetor 2008, u rivarros në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan, përbri tre kushërinjve dëshmorë, vëllezërve dëshmorë Shemsi, Bajram e Azem Ukë Muslijaj.
Dëshmori Bekë Muslijaj ka lënë pas vetes bashkëshorten Hatmanen dhe gjashtë fëmijët: Skënderin, Sabrijen, Muhametin, Albertin, Albnoren dhe Albertinën. Për katër dëshmorët Muslijaj janë kënduar këngë, janë shkruar shkrime përkujtimore, kurse Radio Televizioni i Kosovës ka realizuar një emision dokumentar. Familja Muslijaj është nderuar me mirënjohje të shumta nga Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, Organizata e Veteranëve të Luftës, Komuna e Deçanit, etj. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …