Me një Akademi përkujtimore sot në Vushtrri nderoi heroi i kombit Hamdi Ferati në 20 vjetorin e rënies heroike të tij

Hamdi Qazim Ferati (20.2.1959 – 10.5.1999)

U lind në Manzë të Poshtme (ish-Svarçak) të komunës së Vushtrrisë më 20 shkurt 1959 në një familje të shquar me traditë patriotike. Më 1919-20, babagjyshi, Ademi e kushëriri i tij, Syla, në pusi te Gryka e Selacit i vrasin shtatë gjandarë serbë. Si hakmarrje, gjandarët e tjerë e rrethojnë dhe e djegin fshatin e tyre. Aty i djegin të gjallë edhe dy pleq që s’ishin larguar nga fshati. Më vonë, më 1941-3, axha i .Hamdiut, Selimi, ka qenë pjesëmarrës në lëvizjet çlirimtare, i cili ka rënë në front për lirinë e Shqipërisë etnike. Ndërkaq, Halimi ishte ushtar në Batalionin e Ibrit, i komanduar nga daja i tij, Ahmet Selaci, patriot e luftëtar i shquar i asaj kohe në Kosovë. Më 1947, Halimin e arrestojnë dhe e dënojnë dy vjet burg të rëndë.

Hamdiu ishte i dyti nga pesë djemtë e tri vajzat e prindërve Qazim e Zet-hane Ferati. Fizikisht ishte i shëndetshëm, mjaft i zhvilluar e muskuloz, pos tjerash, i përgatitur për luftë të armatosur.

Shkollën fillore e kreu në fshatin Lumkuq (ish-Samadrexhë), ndërsa Shkollën e Mesme Teknike në Vushtrri. Mërgoi në Zvicër, ku u mor me ndërtimtari. Atje hyn në Lëvizjen Popullore të Kosovës. Në shtëpi shpesh ka sjellur literaturë e mjete të tjera me shenja patriotike. Si familje e shënuar nga armiku për patriotizëm të shquar, bastiset nga policia serbe, ku i gjinden e i konfiskohen armë e muniucion. Për këtë shkak, edhe i vëllai, Sabriu, detyrohet të emigroiçjë në Zvicër, pa e pritur aktpadinë.

Me rastin e pjesëmarrjes së tij në varrimin e dëshmorit Halit Geci në LLaushë, ku u bë shpallja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga treshi i luftëtarëve: Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi e Daut Haradinaj, si dhe grishja e popullatës për luftë të armatosur kundër armikut, për çlirim e pavarësi, Hamdiu u frymëzua edhe më tej t’i bashkohet UÇK-së dhe luftës çlirimtare. I telefonon vëllait në mërgim, Sabriut se “nuk mbetet rrugë tjetër përveç luftës për liri dhe prej tani në mua mos llogarit ndryshe, pos detyrës së luftëtarit!”. Ndërkaq, pikërisht në ditën e inaugurimit dhe uniformimit, bashkëshortja e tij e pyet: “Përse je kaq i gëzuar, kur po shkon në front drejt rreziqeve? Ai i përgjigjet: “Sidoqoftë, kjo është kënaqësia ime më e madhe, për të cilën kam ëndërruar qëmoti “.

Që nga ato ditë, Hamdiu ra në kontakt me veprimtarë të rezistencës ushtarake, së pari me dajët Isë e Selim Mernicën dhe ndër të parët u inkuadrua në luftë, pikërisht më 18 korrik 1998, kryesisht në funksionin e eprorit të policisë ushtarake me gradën e togerit, në kuadër të batalionit të katërt “Enver Musa” të Brigadës 141 “Mehë Uka”, togu PU të ZOSH-it. Por, në raste të domosdoshme, kreu të gjitha detyrat e nevojshme ushtarake në front, armatim, logjistikë e kudoqoftë, madje edhe në furnizim me ndihma materiale për nevoja ushtarake (mish nga pasuria e vet blegtorale, të holla për armatim e municion, veshëmbathje e ushqim, pos tjerash edhe 25.000 DM për të paguar kontingjentin e armatimit të ardhur ilegalisht nga Sarajeva) etj. Pos këtyre, Hamdiu me disa bashkëluftëtarë, përcolli shumicën e kontingjenteve të armatimit ilegal deri në bazë.

Batalioni i IV, i formuar më 4 korrik 1998 me seli në Ceceli nga Gani Imeri, komandant, Bajram Beqiri, z/komandant dhe eprorë të tjerë: Dibran Përçuku, Imer Avdiu, Osman Musliu, Imer e Safet Ahmeti që përfshinte qytetin e Vushtrrisë me 28 fshatra të anës lindore të tij, në fillim kishte vështirësi e mungesa të shumta për furnizim armatimi, ushqimi, veshmbathje etj. Në fillim, batalioni ndihmohej nga banorët e fshatit Ceceli, ku e kishte selinë e tij, derisa gradualisht e mori veten dhe u forcua. Vetë Hamdiu i dha mbështetje materiale, morale e shpirtërore, por edhe forcë, krah e rritje këtij batalioni. Pos kësaj, në bashkëpunim me komandantin e batalionit, Gani Imerin, z!komandantin Bajram Beqirin, pastaj eprorin Dibran Përçukun, Imer Avdiun, Hamdiu punoi në furnizimin e batalionit me armatim e municion, që ato ditë mungonte. Në cilësinë e komandantit të njësisë për armatim ka qenë në Deçan, bashkë me tezakun bashkëluftëtar Nexhmi Ibishin nga Terstena.

Sidomos pas ofensivës së shtatorit 1998 në Shalë të Bajgorës, me rastin e rikonsolodimit të brigadës, me urdhrin e komandantit Gani Imeri e z!komandantit të tij, Bajram Beqirit, Hamdiu u caktua për rimëkëmbjen e batalionit të IV me të gjitha nevojat që i duheshin. Si themelues e udhëheqës i PU në kuadër të Batalionit të katërt, me gradën e togerit të asaj njësie, dha kontribut të çmuar dhe u bë shembull për njësitet e tilla të batalioneve të tjera të Brigadës. Ndërkaq, bashkë me komandantin e batalionit, Gani Imerin dhe eprorët e tjerë: Dibran Përçuku e Imer Avdiun, gjatë përcjelljes së një grupi vullnetarësh ushtarë për furnizim në Malësi të Veriut, ndodh ofenziva e përgjakshme e Rahovecit. Grupi për furnizim detyrohet të shmanget paksa rrugës së planifikuar dhe gjithsesi arrin në Malësi të Veriut ndërsa përcjellësit eprorët të sipërshënuar i bashkohen betejës së përgjakshme në Rahovec.

Pak ditë pas kthimit nga Rahoveci, fillon ofensiva e shtatorit në ZOSH. Hamdiu hyn në front kundër armikut të ardhur nga ZOLL-i (Kaçandoll), herë nga ana e Mitrovicës, ofen sivë kjo e përmasave të mëdha, me arsenal të fuqishëm ushtarak serb me rreth 400 mjete të blinduara e me rreth 10 mijë trupa ushtarake-policore e paramilitare, që e bënte pothuaj mjaft të vështirë kundërvënien e UÇK-së me një armatim e motorizim fare modest. Në këtë kohë mjaft kritike për UÇK-në, megjithë shkatërrimet materiale e njerëzore nga armiku, Hamdiu dha kontribut të çmuar në mirëvajtjen e spitalit ushtarak, në rikonsolidimin shumë të shpejtë të brigadës e batalioneve, të shërbimeve logjistike (të furrave të bukës, kuzhinave, të spitaleve ushtarake, të improvizimit të kazermave etj.).

Mbante revole TI-7,62, ashtu si e kërkonte rregulla policore ushtarake, por shpesh edhe mitralez M-84, herë automatik M-47. Luftoi në Rahovec, Samadrexhë, te “Varrezat e Doçëve”, afër Ropicës, në Lumkuq (ish-Samadrexhë) e në hyrje të Vushtrrisë, ku ishin të pozicionuara edhe forcat serbe. Betejat zgjatën me orë të tëra, derisa forcat armike detyrohen të zbrapsen. Së bashku me komandantin Gani Imeri, me z/komandantin e Batalionit Bajram Beqiri e disa bashkëluftëtarë, në lagjen e Bashollëve të Lumkuqit (Samadrexhës), në mars të vitit 1999, Hamdiu, i pajisur me mitralez M-84 dhe mortajë, shquhet në konfrontimin e befasishëm kundër armikun, të ardhur nga pika e tyre e quajtur “Te Llazoviqët”, derisa arrijnë përforcime të mjaftueshme dhe e zbrapsin atë.

Sipas pjesëmarrësit të asaj ofenzive, Ahmet Menxhiqit, tani pjesëtar i TMK në Vushtrri, pas tri ditësh nga një njësi ushtarake e UÇK-së, e përbërë, pos tjerësh nga Sami Salihu, Nexhip Ibrahimi, Ismet Kurti, Rizah Ferati etj., zhvillohet aksioni i dytë për rizbrapsjen e forcave serbe, ku pati humbje fizike vetëm nga ana e armikut.

Më 10 maj 1998 në orën 9, Hamdiut me bashkëluftëtarët, Zeqir Gashit dhe Mursel Ukës, u jepet detyrë ushtarake nga komandanti i Brigadës 141 “Mehë Uka”, Hys Ahmeti, të shkojë në Vushtrri për furnizim me armë e municion. Rrugës për në Vushtrri, në Martiraj (ish-Studime), bien në pritë të forcave policore-ushtarake serbe të pozicionuara në dy shtëpi dykatëshe dhe në këmbim të dyanshëm të zjarrit, nga plumbat e një snajperi të armikut, Hamdiu merr plagë të rënda vdekjeprurëse dhe menjëherë merr përjetësinë për liri e atdhe, ndërsa Mursel Uka plagoset më lehtë. Njësia përforcuese e UÇK-së, e lajmëruar nga Zeqiri, pas një përleshjeje të ashpër kundër armikut nga afërsia, arrin ta tërheqë Hamdiun, tashmë të përjetësuar për liri e pavarësi të Kosovës dhe e varrosin po atë pasdite me nderime ushtarake në Ceceli, në varrezat e dëshmorëve të rënë për Shqipërinë etnike, më 1945.

Rivarrimi i dëshmorit bëhet pas luftës në varrezat e dëshmorëve në Bletajë të komunës së Vushtrrisë. Emri i tij prej dëshmori të merituar shkëlqen edhe në lapidar të ngritur në hyrje të Vushtrrisë, në pllakat përkujtimore në Bare e në Lapidarin e dëshmorëve të Kosovës në Marinë të Skënderajt. Një njësit i Batalionit të Katërt, e udhëhequr nga komandanti Gani Imeri, në po të njëjtin vend ku u vra Hamdiu, jo vetëm në shenjë hakmarrje për të, zë pritë, hap zjarr dhe vret 7-8 militarë serbë, plagos disa të tjerë, si dhe asgjëson një pitcgauer, një autoblindë lidhjeje dhe një furgon me furnizime ushqimore të asaj njësie ushtarake serbe. Vepra dhe heroizmi i tij luftarak është ngritur edhe në arte, sidomos në folklor.

Ai la pesë fëmijë, dy djem (Liridoni e Jetoni) e tri vajza: dy binjake (Velora e Valdona) dhe Merita, që krenohen me babain e tyre të përjetësuar për lirinë e shenjtë të Kosovës.

Familja e dëshmorit Hamdi Ferati ka marrë mirënjohje nga Shtabi ushtarak i TMK-së e institucionet në Vushtrri e Prishtinë, KK Vushtrri, Zona IV Mitrovicë, SHLV etj. Emrin e tij e mban një rrugë e qytetit. Dëshmorit i kanë mbetur reilket: këmisha ushtarake dhe çanta e revoles. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …