Agim Sylejmani: Një libër i arrirë për Syriganën ndër shekuj, i autorit, Jashar Alia

Agim Sylejmani: Një libër i arrirë për Syriganën ndër shekuj, i autorit, Jashar Alia

(Jashar Alia: “Syrigana”; Prishtinë, 2021; Botues: “Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës”.)

Të nderuar pjesëmarrës, vëllezër e motra kurbetçarë, dashamirë të librit

Para se të flas për librin monografik “Syrigana”, të autorit Jashar Alia, më lejoni që shkurtimisht të flas me pak fjalë kush është Jashari, edhe pse shumica e keni njohur dhe e njihni.

Jashar Selman Alia është i lindur më 28 dhjetor 1949, në fshatin Syriganë de në vitin 1965, familja e tij u shpërngul në fshatin Kovragë të Burimit.

Shkollimin fillor e kreu në Uçë, Syriganë e Rakosh, ndërsa gjimnazin në Burim. Ka kryer Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës.

Qysh në bankat e shkollës së mesme, Jashari u përfshi në rrjedhat e organizimit klandestin për çlirim dhe bashkim të kombit. Ndërsa si student iu përkushtua veprimtarisë së organizuar politike revolucionare, të cilën nuk e pushoi asnjëherë deri në çlirimin e Kosovës nga sundimi serb. Për shkak të veprimtarisë atdhetare u arrestua tri herë nga regjimi serb i Jugosllavisë titiste, ndërsa u dënua dy herë me 11 vjet burg.

Në vitin 1989, emigroi në Zvicër, ku vazhdoi veprimtarinë atdhetare. Në periudhën e luftës së armatosur çlirimtare u angazhua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku shërbeu si zëvendëskomandant i Zonës së Veriut.

Jashari e ka të botuar librin me kujtime, “Nga fëmijëria deri te liria”. Monografia “Syrigana” është libri i tij i dytë.

Që në parathënie të librit monografik autori tregon për lidhjen e tij të fuqishme me vendlindjen, andaj pa e fshehur këtë lidhje, këtë dashuri të skajshme të tij me vendin e tij të lindjes, ai shkruan, duke cituar pjesë nga libri i tij i parë me kujtime:
“Siç duket në jetën e secilit njeri, vendlindja me fuqinë tërheqëse magjike të saj lë gjurmë të pashlyeshme. Emri, imazhi dhe dashuria e saj të shoqërojnë gjatë tërë jetës. Një kuptim të tillë ka edhe për mua Syrigana ime, e cila ka qenë pjesë e qenies sime në çdo kohë, në çdo vend dhe në çdo rrethanë. Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë e ëndrrave dhe e nostalgjisë sime. Përmes saj rikthehem në ditët e fëmijërisë sime.” (marrë nga libri autobiografik Nga fëmijëria deri te liria, J. A.)

Prandaj, duke e ndjerë si një detyrim moral për të bërë diç për vendlindjen, diç që do u shërbejë brezave, Jashari iu përvesh një pune të gjatë e të mundishme të mbledhjes së materialeve dhe faktografisë, si në terren me bashkëvendas të tij, ashtu edhe nëpër arkiva, çdo gjë kishte të bënte me Syriganën e tij. Këto materiale ai i sistemoi dhe dëshmoi me faksimile, duke i ilustruar ato edhe me 106 fotografi të përmasave të ndryshme. Ai gjurmoi edhe gjurmët e kishave, themeleve dhe mureve të kalave në terren, duke i fotografuar ato, siç bëri edhe me shpellën e bardhë, ku arriti me ndihmën e disa të rinjve të bëjë edhe matjen e saj nga brenda, duke na e bërë edhe më të afërt Syriganën. Gjatë leximit të duket sikur je njohur edhe më heret me këtë vend të lashtë, sikur ke rrugëtuar nëpër rrugët e Sukagërës. Duke e lexuar librin të duket sikur autori të merr përdore dhe të rrëfen për fshatin, për shtëpitë, familjet, për të parët e tyre, për lagjet, shpatijet dhe kodrat që e rrethojnë fshatin, për adetet dhe zakonet e fshatit.

Sidomos të rëndësishme janë të dhënat gojore të grumbulluara nga bashkëvendasit e tij të moshave të ndryshme, të cilat ai i mblodhi për një kohë të gjatë dhe me një durim të pashembullt.

Edhe pse autori thotë se: “Jam i  vetëdijshëm se ky punim monografik për Syriganën, është i mangët por, le të mbetet si një nxitje për të tjerët që të hulumtojnë e të shkruajnë, e sidomos për studiuesit, historianët e arkeologët”, në fakt ai ka arritur që me punën e tij të përkushtuar të krijojë një veprër shkencore, me një bibliografi të pasur dhe referuese, me materiale arkeologjike dhe dëshmi të kohës.

Autori librin monografik për fshatin e tij, me titull “Syrigana” e ka ndarë në katër kapituj, për ta pasur më të lehtë lexuesi për ta kuptuar dhe për ta përcjellur rradhitjen.

Derisa në kapitullin e parë ai përshkruan shtrirjen gjeografike të fshatit; mikrotoponimet më karakteristike të fshatit dhe lagjes në administrimin e komunës së Skenderajt, por edhe të dy lagjeve  Loshaj e Kamberaj nën administrimin e komunës së Burimit, ish Istogu; mbi trashëgiminë dhe qendrat arkeologjike të Syriganës në të dy komunat, – në kapitullin e dytë ai përshkruan në detaje për prejaardhjen e banorëve, për lagjet dhe shtrirjen e tyre, për gjenealogjinë e familjeve; pastaj na jep të dhëna për popullsinë, shtimin e saj dhe migrimet në kohëra të ndryshme; duke përfunduar kapitullin rreth ekonomisë, pemëtarinë, blegtorinë dhe klimën e fshatit Syriganë. Përshkrimet që bënë autori në libër janë mbresëlënëse, duke na dhënë informacion të bollshëm për gjërat që i shpjegon. Do të veçoja p.sh. përshkrimin që ai ia bën një peme të rrallë, e që gjendet në Syriganë, Skamna, një pemë e familjes së manës, e vjetër disa shekuj, më e vjetër se mani i mbjellur në oborrin e Tyrbes së Sulltan Muratit në Mazgit, për të cilën mendohet se është mbjellur 400-500 vjet më parë.

Kapitullin e III-të autori ia kushton historisë së Syriganës, që nga lashtësia e deri në fund të shekullit XIX, duke u përpjekur që të përfshijë të gjitha ngjarjet nga më të rëndësishmet e historisë së fshatit, fshat i cili në kohëra të hershme ishte një qendër shumë e rëndësishme zejtare, tregtare dhe administrative. Aq më tepër, Syrigana ndodhej në udhëkryqet nga më të rëndësishme të rajonit, kur gërshetoheshin arteriet kryesore të rrugëve nga veriu e perëndimi e të cilat shkonin në jug, e sidomos në lindje. Këtë autori e dëshmon se “… është konstatuar ekzistimi i trasesë së rrugës romake…  rruga  zbriste  në  Rrafshin e Dukagjinit dhe lidhej me degën jugperëndimore të rrugës Naissus-Lissus”.

Në këtë kapitull autori është përpjekur të na sjell sa më shumë material të shkruar dhe arkeologjik që nga lashtësia para epokës së re. Gjetjet arkeologjike dëshmojnë për një civilizim të lashtë në këtë trevë të Dardanisë, qysh 6000 vite para epokës së re dhe kishte një fortesë të ngritur mbi Sukën e Gurit, prej nga edhe e ka marrë emrin, Qyteti i Gurit, Sukagërë. Autori dëshmon se në shekullin IV – III p.e.r. në Dardani ishin krijuar qytete të mirëfillta ku njëri prej tyre ishte Qyteti i Gurit – Suka e Gurit, ose Syrigana e sotme.

Se Syrigana ishte arenë e përleshjeve të vazhdueshme gjatë historisë, dëshmon fakti se atë gjatë luftërave në periudha të ndryshme, romake, bizantine, sllave, osmane, e shkatërruan gati tërësisht pesë herë, për ta ngritur sërish banorët e tij shqiptarë. Por, në vitin 1689, gjatë luftës austro-osmane, ku mori pjesë edhe Pjetër Bogdani me rreth 20’000 luftëtarë shqiptarët, Sukagëra shkatërrohet përfundimisht për t’u shndërruar vetëm në një fshat, por duke ruajtur gjurmë të një civilizimi të qytetëruar. Këtu mësojmë se pikërisht në këtë kohë, gjatë luftës austro-osmane, në këto anë shpërtheu sëmundja e murtajës, e cila mori një numër të pakrahasueshëm jetë njerëzish, në mesin e të cilëve edhe Pjetër Bodani.

Në këtë kapitull autori e përshkruan zhvillimin e Syriganës në periudhat e ndryshme të pushtimit romak, bizantin, sllav e osman, deri në shkatërrimin e tij si qytet, por ai këtu na sjell njohuri edhe për prejadhjen e emrit Drenicë, kur i ndërrohet emri Kllopotnikut.

Autori ndalet në dokumentat turke, sidomos të Defterit të regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës që nga viti 1485, ku ai na i sjell edhe toponimet e vendbanimeve të komunave të sotme dhe fshatrave që ishin nën administrimin e komunës (nahijes) së Syriganës. Pastaj na sjell edhe përbërjen e Syriganës dhe fshatrave të asaj nahije, sa shtëpi ishin, sa anëtarë të familjeve, bile edhe numrin e beqarëve dhe të vejave. Gjatë leximit të emrave do shohim se aty dominojnë emra ortodoks, e që dëshmon se kjo zonë e Dardanisë gjendej nën juridiksionin e kishës ortodokse bizantine. Këtë e konstaton edhe vetë autori, i cili pos tjerash shkruan: “Në nahijen e Suhogërllës elementi shqiptar në antroponimi gjendej në shumicën dërrmuese të  popullsisë. Të tillë ishin sidomos fshatrat që gjendeshin rreth e përqark afërsisë së selisë  të nahijes Suhogërllë. Këto të dhëna dëshmojnë për një prani të rëndësishme të  elementit  shqiptar në fshtatrat e kësaj nahije. Në bazë të antroponimisë së emrave – pjesën dërrmuese e përbënte entiteti vendas shqiptar, por që i takonte fesë ortodokse me emra shqiptaro-sllavë, sikurse edhe fshatrat e tjera të kësaj nahije që gjendeshin nën Patrikanën e Pejës ku, sipas Defterit të regjistrimit të vitit 1485, në të gjitha kishat e fshatrave të nahijes Suhogërllë theksohet kleri ortodoks, pop, kallogjer. Ndërsa, terma të klerit katolik: abat, prift, dom, nuk përmenden.

Emrat  shqiptarë  në  qytetin  Sukagërë  –  Suhogërllë  sipas Defterit ishin:

Radosavi, i biri i Prençit; Jaku, i biri Ramonit; Jovani, i biri Lalës; Mihaili, i biri tij; Jaku, i biri Radonës; Boshko, i biri i Kalit; Jovani, i biri i Bishës; Nikolla, i biri i Plarit; Stepani, i biri i tij; Nikolla, i biri i Palkiçit (Palkuçit); Broja, i biri i Vrakës; Marku, i biri i Krajës; Rajko, i biri i Vusës (Vus-Vuthaj) etj. Këta emra i përkasin vetëm Mëhallës Pazari, e jo edhe emrat e dy lagjeve të tjera. Në këtë Mëhallë gjenden vetëm dy emra që mund të jenë sllavo-serbë: Bogdani, i biri i Sllavoviçit dhe Muzhezhi, i biri i Radiçit. Afërsisht kështu, qëndron gjendja edhe në dy mëhallat e tjera të Qytetit Sukagërë – Suhogërllë.”.

Në fund të kapitullit të III-të, autori merret me çështjen e kalimit masiv të shqiptarëve nga besimi i krishterë në atë islam, duke sqaruar dhe shpjeguar se pas rënies së trojeve shqiptare nën sundimin serbo-sllav dhe konvertimi i tyre i dhunshëm në besimin ortodoks sllav, pushtuesi i radhës, ai otoman, u mor me konvertimin edhe të popullatës së kësaj ane.

Sidomos konverimi i fesë në kohën e sundimit sllav ishte jashtëzakonisht i dhunshëm, sidomos “gjatë sundimit të Stefan Dushanit, (1331-1355), kur shqiptarët katolikë dhe ortodoksë të ritit bizantin ishin detyruar me dhunë të ktheheshin në ortodoksë të ritit serb… Ata që nuk pranonin, për ta parashikoheshin masa të rrepta: sekuestrimi i pasurisë, emigrimi, damkosje e deri dënimi me vdekje”. Por ky konvertim i dhunshëm do të vazhdojë edhe më vonë, me ripushtimin sllav të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, si gjatë Luftës së Parë Botërore e deri në vitin 1939, kur në fakt edhe fillon shpërngulja masive e shqiptarëve në Turqi.

Ndërsa kalimin masiv të shqiptarëve në fenë islame autori e shpjegon si pasojë e “dhunës së pandërprerë të kishës ortodokse për sllavizimin apo greqizimin e popullsisë shqiptare”.

Në kapitullin e IV-të autori përshkruan në hollësira lëvizjet demografike të Syriganës, duke shënuar emrat e kryefamiljarëve nëpër lagje dhe numrin e anëtarëve të çdo familjeje gjatë viteve ’60 të shekullit të kaluar.

Në këtë kapitull një vend të rëndësishëm i kushton arsimit dhe shkollës shqipe në Syriganë, sidomos nga viti 1960, duke shënuar përbërjet e klasëve me nxënës, si dhe atë se si funksiononte mësimi me klasë të kombinura, për shkak të hapësirës së pamjaftueshme. Duke bërë krahasimin e numrit të nxënësve në vitin shkollor 1960/61, kur në fshatin Syriganë kishte 83 nxënës që ndiqnin shkollën nga klasa e parë deri në klasën e katërt, me vitin shkollor 2014/15, pra, 55 vite më vonë, kur numri i nxënësve në këtë fshat ishte vetëm 67, autori vë në spikamë braktisjen e fshatit, sidomos të rinisë të moshës fertile.

Viti 1960, Syriganën e gjeti me gjashtë mësues, të dalur nga gjiri i saj, për të cilët autori na sjell biografi të shkurtëra dhe të ilustruara edhe me fotografitë e tyre. Më tutje sjell njoftimin për mjekët e parë nga Syrigana dhe krijimi i shërbimit mjekësor.

Në këtë kapitull, kur flet për mënyrën e jetesës dhe standardin jetësor, për dekadat e para të shekullit XX, autori përshkruan kushtet e banimit, ekonomitë familjare dhe mjetet e punës që përdornin banorët e fshatit, por edhe veshmbathjen dhe strehimin e tyre. Autori tregon se si “pozita  gjeografike  e  Syriganës,  banorëve  ua  impononte të merreshin me bujqësi, blegtori dhe pemëtari, nga të cilat krijonin  të  mira  materiale  për  ekzistencë”, për të shpjeguar pastaj në hollësira arsyerat e kultivimit të blegtorisë, mjeteve me të cilat punohej, punimin e pëlhurave me vek dhe veshmbathja me prodhime leshi dhe lëkure. Të gjitha këto autori i ilustron me fotografi për t’u njohur më për së afërmi edhe ata që nuk i njohin dhe nuk e dinë kuptimin e tyre.

Këtu autori vazhdon me shpjegimin e ndërtimit të shtëpive dhe orenditë shtëpiake. Ndërsa mbresëlënëse është shpjegimi i zakoneve të fejesave dhe dasmave, lojrat dhe sportet e praktikuara në fshat, për festat që i festonin, për veglat karakteristike muzi-kore, e sidomos për mënyre e këndimit të vashave me gishtin e dorës të vënë në fyt.

Pastaj autori si natyrshëm i kthehet historisë, duke folur për rezistencën e syriganasëve ndaj pushtuesve, sidomos nga luftërat austro-osmane të viteve 1689-1690, e sidomos me krijimin e Lëvizjes Kombëtare, të njohur si Lëvizja Kaçake dhe luftës për të mbrojtur popullatën nga hordhitë e bandave çetnike pas vitit 1912, kur filluan maskrat e egra serbe dhe shkatërrimet masive si në Kosovës ashtu edhe në Syriganë, ku pos djegjes së mbi 100 shtëpive u vranë e masakruan edhe 18 burra të Syriganës. Këtu autori sjell portrete të luftëtarëve të njohur të Lëvizjes Kombëtare e që ishin me prejardhje nga Syrigana, si Halit  Ahmeti  – Suhogërlla, Zenel Ujkani – Suhogërlla, Kamer e Murat Loshi, këta të fundit edhe bashkëluftëtarë të  Azem  Bejtës, për të cilët në fshatin Pemishtë (ish Padalishtë) është ngritur një lapidar.

Gjatë luftës së dytë Botërore, me formimin e radhave çetnike në Kosovë, edhe populli i Syriganës ishte organizuar për vetëmbrojtje nga këto banda vrastare. Për këtë autori shkruan se në përfundim të luftës regjimi i ri pushtues arrestoi luftëtarin e forcave vullnetare, Bajram Rama – Zeqiraj, nga Syrigana, të cilin e dërgojnë në ndërtesën “Kulla e Popit” në Istog, ku edhe u pushkatua, duke sqaruar se “Objekti, Kulla e Popit në  Istog,  ishte  vendi  ku  grumbulloheshin  burrat  shqiptarë dhe pushkatoheshin pa gjyq e pastaj groposeshin në fushat e Istogut, eshtrat e të cilëve nuk u gjetën kurrë.”  Të njëjtin fat kishte edhe  Ademi  Delia, bashkëfshatari i Bajramit, si edhe  prijësi i forcave vullnetare të Istogut, Col Bajraktari, nga fshati Uçë, të cilët fillimisht u dërguan  në Kullën e Popit dhe pastaj u pushkatua.

Këtu autori shpjegon edhe gjendjen e krijuar në trojet shqiptare pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, duke u përqëndruar edhe në rezistencën e organizuar nga vetë syriganasit, prej të cilëve që në orët e para të Grupit Revolucionar të Kosovës u organizuan tre veta, vetë autori i këtij libri Jashar Alia, student  i  Fakultetit Ekonomik, Nole Aliaj, studente e Fakultetit të Mjekësisë, Feriz Seferaj, student i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Në maj 1974 Jashar Alia arrestohet dhe bashkë me tre drejtuesit e GRK-së Kadri Osmani, Xhafer Shatri dhe Binak Ulaj, dhe në procesin gjyqësor të mbajtur më 6, 7 e 8 janar 1975, nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë dënohet me 5 vite burg të rëndë. Por Jashar Alia nga Syrigana, si anëtar i OMLK-së, u arrestua edhe në fund të vitit 1981 dhe u dënua me 6 vjet burg.

Por nga Syrigana nuk ishin vetëm këta tre të rinj të organizuar në organizata të fshehta për çlirim e bashkim kombëtar, por në mesin e atyre që ishin rreshtuar në këto rrjete organizative ishin edhe të rinj të tjerë nga Syrigana, tre prej të cilëve edhe u arrestuan dhe dënuan me shumë vite burgimi, Fadil  Demiraj, Ramë Rama dhe  Miran Demiraj, si anëtarë të Organizatës “LRSSHJ” në vitet e tetëdhjeta.

Kur shpërtheu lufta çlirimtare, në Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u rreshtuan edhe të rinj nga Syrigana. Këtu autori na i sjell një njoftim se: “Ndër fshatrat e para të Kosovës, që u sulmua dhe u dogj nga ushtria e policia fashiste serbe, më 8.6.1998, ishte fshati Syriganë, përkatësisht Lagjja e Epërme. Më këtë rast u dogjën të gjitha shtëpitë e lagjes dhe u vranë 10  veta,  tre  prej  të  cilëve  rezultonin  të  zhdukur  gjatë  vitit 1998/99”. Pra, pas Epopesë së lavdishme të Jasharajve në Prekaz, Syrigana daton si fshat i parë ku u kryen masakra masive dhe shkatrrimi i tërësishëm i një lagjeje të këtij fshati, duke e ilustruar edhe me lapidarin e ngritur te Kodra e Vidhit, Syriganë, në shenjë kujtimi të atyre që ushtria serbe i vrau dhe masakroi në qershor të vitit 1998 dhe në pranverë të vitit 1999. Edhe  në  Lagjen  Imeraj,  në  Pemishtë,  paramilitarët  serbë,  më  26.3.1999, masakruan 19 anëtarë të familjeve Imeraj, varrezat e të cilëve autori i sjell si dëshmi të kasaphanes serbe edhe në këto treva të Kosovës.

Emrat dhe fotot e Individte që shpalosën kujtimet gojore për monografinë “Syrigana”, autori na i sjell me portrete fotografish, siç e ilustron edhe aktivitetin e tij gjatë grumbullimit të materialeve si dhe përgatitjen e librit për shtyp.

Në fund kësaj monografie autori Jashar Alia ia bashkangjet një mori citatesh të të huajve për shqiptarët, pjesë të cilën edhe e ka titulluar “Të tjerët për shqiptarët”.

Kjo monografi, siç u theksua edhe në fillim, ka një bibliografi të pasur dhe referuese, gjë e cila këtë libër e radhitë në vargun e veprave shkencore. Kështu edhe është vlerësua sidomos nga recensenti prof. Dr. Zymer Neziri, vlerësim që ndaj edhe unë dhe shumë të tjerë që patën fatin ta kenë këtë libër në duart e veta që para botimit.

Vepra “Syrigana” duhet të shërbejë për shumëkend, e sidomos për krijuesit dhe studiuesit, si mostrën më të mirë që të mbledhin materiale, të dhëna të shkruara e gojore, t’i selektojnë ato dhe të shkruajnë për vendlindjet e tyre, e kështu t’i lëmë brezave dëshmi të kohës, duke kontribuuar në mos-harresën kolektive.

Autorit, shokut tim të idealit dhe veprimtarisë në shërbim të luftës për çlirim e bashkim kombëtar, Jashar Alia, i uroj shëndet dhe, edhe pranë moshës, mos të ndalet në fushën e krijimtarisë, ku ai ka dëshmuar një cilësi të lartë të një hulumtuesi dhe studiuesi të zellshëm dhe të durueshëm. Unë shpresoj të mos na lë të presim gjatë në librin e tij të radhës, të cilin ai është duke e punuar.

Ju falemnderit për dëgjim të vëmendshëm

Agim Sylejmani

19.12.2021, Jona-Rapperswil

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha

ISA FERIZAJ: RRON E DREJTA, E VËRTETA

ENVERIZMI ATDHETAR! Erdhi serish prilli, në vendin tim; Gjetur, i ka shqipet, në fluturim. Gjet …