Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka në plan të përfill afatin e liderit të AKR-së, Behgjet Pacollit, i cili ka kërkuar nga Vetëvendosje! e LDK të arrijnë një marrëveshje politike për formim të institucioneve. Agim Veliu ka thënë se LDK-ja nuk e ka në plan të nis takimet me zyrtarë të Vetëvendosjes!, të paktën jo në këtë fazë. Ai ka thënë se konsultat do të mund të nisin vetëm pasi koalicionin PAN të dështojë në formimin e institucioneve. “Në këtë fazë nuk e shohim të nevojshme me bisedojmë me një subjekt, i cili nuk e ka të drejtën e formimit të institucioneve. Ne po luajmë një rol konstruktiv. Po i bëjmë ftesë koalicionit të parë që ka dalë të konsultohet me të gjitha partitë tjera”, ka thënë Veliu.
