(Promemorie për miken)
Fetnetja ishte shembulli më i mirë se si penë e pushkë u bënë bashkë për të qenë të pandara deri në frymën e fundit.
Bashkëveprimtarja jonë, Fetnete Ramosaj, nga vitet 90-të e këndej, ishte në krye të organizimeve legale dhe ilegale, politike e kulturore në trevën tonë, njëkohësisht ideologe e devotshme e shqiptarizmës, kudo që frymohej shqip.
Fetnete Ramosaj ishte veprimtarja e hershme, pa të cilën nuk u shënua asnjë aktivitet politik- kombëtar; ajo ishte ndër të parat femra shqiptare të fundshekullit që shkoi, që moto jetësore kishte: “Ja vdekje, ja liri”, për ta bartur më pas edhe në revistën “Zgjimi”, të cilën e mbajti gjallë me shkrime që trajtonin “tema të nxehta”, për padrejtësitë ndër shekuj që iu bënë shqiptarëve, për historinë e anatemuar, duke qenë “gjuhë e veprim” njëkohësisht.
Veprimtaria e saj kulturore ishte e pazëvendësueshme edhe për Shoqërinë Kulturore “Jusuf Gërvalla”, në shënimin e datave historike, përvjetorët, tribunat dhe sesionet shkencore, ku fokus kishin të kaluarën e hidhur dhe ku tumirej ideja për luftë të armatosur dhe çlirim kombëtar.
Kështu, mikja dhe bashkëveprimtarja jonë, herët kishte vizion të qartë, jashtë zgjidhjeve politike, duke artikuluar dhe reprezentuar qartë dhe saktë konceptet e lëvizjeve ilegale dhe organizimeve ushtarake, herë përmes ligjërimeve të drejtpërdrejta pragmatike, herë përmes pamfleteve politike, fejtoneve, analizave, komenteve e deri te librat monografikë.
Fetnete Ramosaj, pavarësisht përplasjeve politike, në ceremoninë e varrimit të dëshmorëve të 24 marsit 1998, ishte e para që hapur e tha se ata nuk ishin viktima, por ishin heronj që ranë me pushkë në dorë nën emblemën e UÇK-së dhe se lufta e tyre duhet përkrahur deri në çlirimin e atdheut.
Natyrshëm, ajo u bë pjesë e rëndësishme e kësaj lufte, madje zëri që thyente barrierat e artilerisë serbe, motivi dhe arkiva e saj deri në fitore.
Për luftë, ata që ia kanë ndie vetëm pak erën barotit, e kanë pa guximin e saj, edhe si ushtarake, edhe si zëdhënëse, edhe si stratege se si të luftonte luftën speciale dhe propagandën serbe, por edhe si reportore-me qindra raportime nga vija e frontit, jo vetëm për mediet shqiptare, por edhe për ato ndërkombëtare.
Pas lufte, filloi lufta tjetër e Fetnete Ramosajt, herë vetëm, herë në koautorësi me mikun e idealeve, Faton Mehmetajn.
Ajo ishte mendja më e kthjellët dhe pena më mprehtë, e cila i skaliti çdo rënie heroike, çdo plagë lufte, çdo betejë, çdo sakrificë, çdo dhimbje e terror mbi fëmijët, gratë, pleqtë dhe qytetarët shqiptarë.
Ajo ishte ndër të rrallat që dëshmoi me fakte për krimet serbe në Kosovë, madje duke i demaskuar edhe kriminelët me emër e mbiemër.
Fetnetja, motra jonë e mirë dhe e guximshme, në ditët e para të çlirimit, por edhe më vonë, me shkrimet e saj, herë të karakterit dëshmues, herë të karakterit polemizues, u shndërrua në mburojë të pazëvendësueshme për të gjitha rrufetë dhe padrejtësitë që ranë mbi UÇK-në dhe luftëtarët e saj.
Fetnetja ishte dhe do të mbetet përjetë promemoria e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e të bëmave të saj, sepse i hodhi në letër.
Ajo, më mirë se kush, ua preku plagën nga afër, si bashkëluftëtare, motër e si shkruese e historisë u doli hakut, në çdo përvjetor, duke mos harruar asnjë pikë gjaku ku u derdh. Për këtë, më mirë se kush, e dinë bashkëluftëtarët saj, që aq shumë i deshi dhe i nderoi vetë Fetnetja.
Ajo ishte apologjetja më e madhe e luftës çlirimtare, shkruesja më e zellshme e historisë më të re të Kosovës.
Fati deshi që ajo të shpëtojë nga lufta, sepse kishte një mision për të kryer. Por një vdekje e tillë, nuk ia ul aspak meritat që ka: as Shota, as Edith Durham nuk ranë në beteja historike, por bënë histori.
Fetnetja jonë e dashur, ishte e guximshme në jetë, e guximshme në shkrime. Nuk kam njohur dhe nuk njoh intelektuale në Kosovë me përkushtimin më të madh, informacionet që ka në raport me rrjedhat historike dhe krimet serbe të kryera në Kosovë gjatë të gjitha periudhave historike.
Shkrimet e saj shkonin përtej raporteve dhe publicistikës së zakonshme.
Jeta e këputur në mes, është një shekull atdhetarizëm.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
