Agron Sadik Krasniqi (1.9.1967 - 18.7.1998)

Agron Sadik Krasniqi (1.9.1967 – 18.7.1998)

Agron Krasniqi u lind më 1.9.1967 në Vukoc të Drenasit. I ati i tij, Sadiku ishte martuar me Shukrijen me të cilën sollën në jetë dhjetë fëmijë: Afërditën, Valbonën, Ekremin, Valdeten, Shqipen, Agronin, Adnanin, Meritën, Besnikun dhe Atdheun.

Pas mbarimit të mësimit fillor në shkollën “Jeta e re” në Komoran, Agroni regjistroi shkollën e mesme teknike në Drenas, ku u kualifikua në profesionin e automekanikut.

Që në moshë të re u dallua me tiparet e një djaloshi energjik dhe të pakom-promis në të drejtat e tij. Punoi rreth dhjetë vjet në ndërmarrjen transportuese ”Kosovatrans” në Drenas. Qytetarët e Drenasit nuk do ta harrojnë aktin e Agronit, kur në vitin 1997 kishte hipur mbi autoblindën e milicisë serbe dhe nga kupola e saj shkul flamurin e Serbisë duke e hedhur përtokë.

Më 9 maj të vitit 1998 Agroni ishte në vijën e parë të frontit në betejën e Grykës së Llapushnikut. Ngjashëm veproi edhe në betejat tjera në këtë vatër të luftës.

Pasi një numër i madh i të rinjve kishte shprehur interesim për t’u radhitur në radhët e UÇK-së, në mungesë armatimi kërkesa e tyre nuk mund të merrej në kon-sideratë, prandaj e vetmja mundësi ishte që të organizohej bartja e armatimit nga përtejkufiri i dhunshëm Kosovë-Shqipëri. Më 15 qershor 1998, Bekim Berisha dhe Bedri Shala udhëhoqën një grup të madh vullnetarësh nga zona e Drenicës dhe ajo e Shalës, ku në mesin e tyre ishte edhe Agron Krasniqi.

Pas shumë peripecish dhe evitimit të pritave të forcave serbe, grupi i luftë-tarëve arriti ta kalojë kufirin dhe të vendoset në Tropojë. Për një muaj të plotë, në këtë qytet afër kufirit, ata grumbulluan mijëra armë të ndryshme: pushkë au-tomatike, gjysmautomatike, minahedhës, predha, bomba dore, snajperë të ndryshëm si e municion. Në Tropojë vazhdonin të arrinin vullnetarë nga të gjitha vendet e Kosovës dhe të trojeve etnike. Numri i ushtarëve të veshur me uniformën e UÇK-së dhe të armatosur kishte arritur shifrën rreth 1500 veta, të cilët ndërmjet 17 e 18 korrikut 1998 u nisën drejt kufirit të Kosovës me mbi 300 barrë kuajsh me armatim e municion. Me të arritur te stanet afër kufirit, atje qëndruan deri në mesnatë, kur vendosën ta kalojnë kufirin e të hyjnë brenda Kosovës. Forcat serbe përreth kufirit kishin sjellur mijëra ushtarë dhe paramilitarë,me artileri të rëndë. Ata filluan sulmin nga të gjitha llojet e armëve. Të vendosur për të shpërthyer rrethimin, luftëtarët çlirimtarë nuk u zbrapsën, por vazhduan rezistencën. Tashmë kolona ishte ndarë në dysh. Në një çast një predhë minahedhësi e hedhur nga forcat armike shpërtheu afër një grupi luftëtarësh. Agroni tashmë ishte mbuluar i tëri me gjak. Në pamundësi që t’i ndalej gjakderdhja dhe pastrimi i plagëve, pas disa orësh, në agun e ditës së 18 korrikut, ai mbylli sytë, duke u bërë fli për lirinë e Kosovës, e cila do të arrijë gati pas edhe një viti lufte e gjakderdhjeje.

Forcat militare serbe, trupin e dëshmorit të lirisë Agron Krasniqi dhe të dhjetëra luftëtarëve të tjerë të rënë, i tërheqin dhe i varrosin në kodrën e Çabratit mbi Gjakovë. Pas luftës, me ndihmën e bashkëluftëtarit të Agronit, Hamit Teraku, nga Vitaku i Skënderajt, familjarëve dhe ekspertëve mjeko-ligjorë u bë identifikimi i trupit të dëshmorit Agron Krasniqi. Ai u rivarros në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve dhe martirëve në Negrovc të Drenasit.

Dëshmori i lirisë Agron Krasniqi ka lënë bashkëshorten, Fatimen me fëmijët, Vjollcën, Malësoren, Fitimin dhe Festinën. Në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë në çlirimin e atdheut, institucione dhe shoqata të dala nga lufta, kanë ndarë mirënjohje, kurse artistë të ndryshëm të estradës i kanë thurrur këngë lavdie. (I. S.)

Kontrolloni gjithashtu

Fetah Ahmet Gega (5.11.1964 - 2.5.1999)

Fetah Ahmet Gega (5.11.1964 – 2.5.1999)

Më 5 nëntor të vitit 1964, Ahmet Gegës, nga Studençani i komunës së Therandës (ish-Suharekë), i …