Sot përkujtohen të rënët e familjes Rama në Shkabaj të Kastriotit, ish-Obiliq

Agron Xhemajli: FJALË PËRKUJTIMORE E SHOKËVE TË LUFTËS NË 24-VJETORI I RËNIES SË DHJETË DËSHMORËVE RAMA

Të nderuar vëllezër e motra!

Sot po përkujtojmë 24 vjetorin e rënies së dhjetë dëshmorëve Rama. Në këtë truall 24 vjet më parë, u barrikaduan në llogore lufte Ramajt, në një përballje të përmasave heroike.

E nderuara familjet Rama, ne shokët ju përshëndesim duke ju përkulur thellë sakrificës Tuaj për lirinë e Atdheut! Ne shokët tuaj, si edhe tërë shoqëria, kemi barrë të rëndë ndaj atdheut, sepse më e rëndë duket të jetë ruajtja se sa çlirimi i tij! Kohë të turbullta po kalojmë e armiku nuk po pushon, si brenda edhe ai jashtë.

 

Përvjetorët e dëshmorëve, përveç përkujtimit, duhet të jetë edhe një mësim historie për të gjithë brezat. Le të mësojnë brezat e tashëm dhe ata që do të vijnë, se kjo sakrificë mbinjerëzore e dëshmorëve Rama, të shërbej që ta ruajëm lirinë që e fituam me kaq mund e sakrifica.

Është e pashtershme dëshira e të gjithëve që të mësojmë e dimë sa më shumë për për dëshmorët që sot po i përkujtojmë. Por është edhe gati e pamundhsme që ne të gjallët të spjegojmë atë madhështi që ata e kanë. “Çdo gjë që doni të dini për dëshnmorët, ecni në rrugën e tyre”, thoshte shoku ynë dëshmorë Bahri Fazliu. Bahru kishte dhënë për së gjalli këtë porosinë të qartë, që: nën okupim – të ecim në rrugën e çlirimit, kurse në liri: ta mbrojmë çdo milimetër të tokës së atdheut!

 

Nëse vështrojmë shkurtimisht në histori, të parët e Familjes Rama ishin njerëz të thjeshtë që vendosen të jetojnë në trevën e Gollakut, përkatësisht në fshatin Kolaj.          Familja Rama ndërkohë u shpërngulën këtu në Shkabaj, ku jetojnë në një lagje, me shtëpitë afër njëra-tjetrës edhe sot e kësaj diteLagje që u shndrrua në fushëbetejë, arenë, vend i përleshjes me skadronët armik, vend që populli e quajti me të drejtë “Prekazi i Dytë”!

Zhvillimet politike të kohës, sidomos pas demonstratave të v. 1981, do të ndikojë shumë tek anëtarët e familjes Rama, e cila kishte traditë rezistencën kundër pushtuesit, ngjarje në të cilën ajo do të përfshihet direkt.

Në fillim të viteve ’90 sidomos, filloi të vështirësohej edhe më shumë jeta e popullit tonë. Dihet pra se si u krijuan kushtet e ekzistencës, rrethanat e pasojat e  përndjekjeve, largimit nga puna, reprezaljet, burgosjet, vrasjet. Përveç kësaj situata e çlirimit u rëndua edhe më shumë kur në skenë doli nëj politikë disfatiste, e cila pretedonte “paqen pa luftë”, e cila po krijonte iluzione për fitore të pamundshme, një “fitore pa luftë”.

Në këtë periudhë pas v.90, duke parë gendjen, edhe disa djem nga familja Rama, nuk ndejtën duar kryq, por kërkuan dhe gjetën organizimin e duhur për liri.

Njerëzit në fillim të viteve ’90 nuk ishin të shumtë në përkrahje të rrugës së  armatosur. Kjo gjendje e vështirësonte edhe më shumë aktivitetin e veprimtarëve në kuadër të kryengritësve çlirimtarë. Prandaj me kujdes dhe punë në fshehtësi të madhe në fshat e në qytet, u krijuan celulat e para fill në vitin 1990, duke filluar trajnimin e grupeve në përdorimin e armëve, siç bëmë në regjionin e Prishtinës, pastaj edhe të Podujeves ku grupet guerile udhëhiqeshin nga heroi Zahir Pajaziti. Këto grupe edhe pse u goditën nga armiku në v. 93, ato nuk u shuan, por u rritën dhe u bnë baza që themeloi fillimisht Shtabin E UÇK-së për Prishtinë, e Podujeve të cilat pastaj u bashkuan dhe u kthyen dhe formuan Zonën Operative të Llapit.

 

Të fryëzuar nga të parët e tyre, edukata familjare, nga vepra e Nezir Ramës stërgjyshi  i deshmorëve, i cili ishte vullnetar në Luftën e Shkodrës, dhe nga ai nivel i organizimit çlirimtarë të lartëcekur, tre djem nga gjiu i kësaj familje u rreshtuan në drejtim të organizimit kryengritjes kundër pushtuesit.

Fillimisht, Dëshmori i Kombit, Agron Rama ishte ai që inicoi veprimtarinë dhe udhëhoqi tërë aktivitetin politik e patriotik të kësaj ngjarjeje. Më vonë ai angazhoi edhe djalin e xhaxhait tij Izetit, Farukun dhe vëllain e tij Albertin, por edhe shumë nga pjestarët e familjen e gjerë.

 

Familja i frymëzoi e ndihmoi praktikisht veprimet e tre djemve të tyre. Babai i Agronit e Albertit, Ismeti dhe babai i Farukut Izeti, dinin për veprimtarinë e tyre dhe i ndihmonin shumë bijt e vet. Më vonë, edhe anëtarë tjerë të familjes së gjerë do të bashkohen me ta. Nuk ishte kjo gjenerata e parë e Ramajve q ëpo luftonin me pushkë në dorë, as që po jepnin dëshmorë. Që nga lufta e Shkodrës, e deri në LDB, ky trung familjar ka herojt e dëshmorët e vet.

 

Në veprimtarinë e organizuar nga v. ’96, Agroni u shpjegonte me maturi e durim të gjithëve, se si duhej patjetër t’i bashkoheshin rezistencës dhe luftës së armatosur si e vetmja mënyrë për t’u çliruar. Argumenti kryesor në këtë fazë ishte bindja për organizimin e domosdoshëm të kryengritjes së armatosur. Agron Rama krahas bindjes së popullit për nevojën e organizimit që bënin pandërprerë përgatitje praktike për kryengritjen, ata vazhdimisht punonin në krijimin e strukturës ushtarake dhe armatosjen e saj.

Në veprimtari e sipër ai më vonë, do të rreshtohet në radhë të organizuara të LKÇK-së dhe UÇK-së dhe do ta zgjeroj edhe më shumë aktivitetin, në të cilën rrugë e pati gjithmonë krah Farukun e Albertin, dhe tërë familjen e gjerë.

Agroni me Albertin, Farukun, shtëpitë e tyre i kishin kthyer në bazë të fuqishme të luftës, në kazerma e në fund edhe në llogore të  luftës. Baza e Ramajve u bë baza më e fuqishme në rrethinë dhe një bosht shumë i rëndësishëm i luftës. Ky bosht shtrihej që nga shteti amë – e kalonte nëpër Dukagjin – Suharekë – Malishevë  Drenicë – e degëzohej në –  Shalë – Prishtinë-Llap-Gollak.

Më 27 mars të vitit 1999, në këtë ditë pranvere, pasdite, rreth orës 14.00, forca të shumta armike e rrethojnë lagjen. Forcat pushtuese atë ditë ishin duke ekzekutuar operacionin e spastrimit etnik dhe dëbimin e popullatës jasht Kosovës.

Gjendja ishte e tejet e rëndë. Në shpejtësi, pas largimit të një pjese të familjeve, djemtë barrikadohen të gatshëm për të luftuar. Posa afrohen at ai sulomojnë repartet armike se vetëm ajo rrugëdalje ishte, për t’mos e dorëzuar kurrë flamurin.

Në murin rrethues të shtëpisë, erdhi koha që aty të vendosej gryka e pushkës. Komandant Agroni në ballë si gjithënjë. Vëllezër, djem, prindër, axhallarë, motra e gra, bashkërisht, sypatrembur, ballë për ballë me pushtuesin, me vetëdije të lartë njerëzore e patriotike. Babë Ismeti, Xhevati me shumë heroizëm qëndroi me dy bijat e tij Shqipen e Syzanën, po ashtu Bejtushi si krah i fortë i Agronit, edhe Xhela i paepur me të shoqen Hamidenë, e dhanë jetën për liri, por ndërin e shqiptarit nuk e dorëuan si gjëja më e shtrenjtë për çdo njeri.

Jasharajt i dhanë grushtin fillestar pushtimit, kur dhanë kushtrimin e kryengritjes kundër pushtuesit, ndërsa Ramajt sikur po i jepnin grushtin përfundimtarë hordhive të armikut, pasi që nuk vonoi shumë dhe ata u dëbuan nga Kosova.

Si rezultat i kësaj lufte, në këtë vend ku jemi, ranë dëshmorë të Atdheut: Agron Rama, Faruk Rama, Albert Rama, Ismet Rama, Xhevat Rama, Shqipe Rama, Syzana Rama, Bejtush Rama, Xheladin Rama dhe Hamide Rama.

 

Lavdi e e nderime të pafudme për të gjithë dëshmorët e Atdheut!

Autor: Agron Xhemajli, Shkabaj Obiliq, 27.03.2023

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Gjenerali Hammerstein ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e kapaciteteve të MM dhe FSK

Sot zyrtarisht miku ynë Gjeneral Ralph Hammerstein, Drejtor i deritanishëm i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës …