Pushteti fitoi kaq shumë sepse rruga deri aty ju la e lirë, pa asnjë kundërshtim serioz. Bile në disa raste edhe bashkëpunuan hapur me te. Si p.sh. ia pranuan Marrveshjen e Bruksel/Ohrit e cila sjellë autonomi për pakicën serbe ne veri etj.
Nuk mund te arsyetohet lehte opozita per fitoren e pushtetit. Duhet ta mbaj pergjegjesine. Jo pak sinjale i jane derguar nga shoke e miq. Nuk i kane dëgjuar.
Meritë shumë të madhe për fitoren kaq të madhe të pushtetit, nuk e ka ai vet, por opozita konformiste, e urtë. Ky është paradoksi i madh politik: një qeveri që nuk realizon pothuajse asnjë premtim, që prodhon skandale të njëpasnjëshme dhe megjithatë del më e fortë nga zgjedhjet. Si mos te del, pasi nuk pati kundershtim nga oponentet politik.
Skandalet u publikuan, faktet dolën, dëmet u bënë publike. Por opozita nuk i mori asnjëherë seriozisht. Nuk zhvilloi luftë politike. Zgjodhi konformizmin. Ia liroi rrugën pushtetit, duke i dhënë liri të plotë të veprojë sipas qejfit, pa presion, pa kosto politike.
Opozita nuk e shfrytëzoi as minimumin e betejës parlamentare, e lëre më atë jashtëparlamentare, e cila në rrethana të tilla ishte jo vetëm e mundshme, por e domosdoshme. Partite opozitare grumbulluan dy here, qindra mijëra qytetarë në rrugë, por jo për ta ndalur pushtetin po për dicka shumë më pak. Sikur ajo energji qytetare të ishte kanalizuar aty ku duhej, përfitimi për shtetin dhe shoqërinë do të ishte real. Politika shtetrrënuese do të binte nga pushteti.
Në vend të rezistencës, opozita zgjodhi “paqen”. Por fitorja nuk i dhurohet kundërshtarit keqbërës. Ajo fitohet me luftë politike. Ky është faji themelor dhe i pafalshëm. Në këtë kuptim, opozita është bashkëfajtore.
Mund të thuhet pa hezitim: opozita nuk kishte as koncept, as strategji të luftës politike. Kjo do të thotë se ajo realisht nuk ishte e interesuar ta marrë pushtetin. Ajo u pajtua që pushteti aktual të vazhdojë sundimin. Nuk pa rrezik, sepse ndoshta nuk e ndjen rrezikun. Pozitat e tyre materiale janë të sigurta. Fëmijët e tyre kanë shkolla të mira, banesa, makina, studime jashtë vendit, shërbime shëndetësore cilësore. Ata nuk e përjetojnë realitetin e shumicës së popullit që varfërohet, largohet nga vendi dhe humb shpresën.
Prandaj nuk pati mirëkuptim për vuajtjet e qytetarëve dhe për dëmet që i shkaktohen ekonomisë dhe shtetit. Po të kishte, opozita do të ishte në rrugë, ballë për ballë me të keqen.
Në disa raste populli doli vetë në rrugë për të kundërshtuar autoritarizmin dhe tradhtinë që po i bëhej vendit. Opozita nuk ishte aty. Çfarë është kjo, nëse jo mbështetje indirekte e pushtetit? Kur populli del, opozita duhet të jetë në vijën e parë. Kjo nuk ndodhi gjatë këtij mandati.
Tani edhe mund fajësojnë njëri-tjetrin. Por pse asnjëri nuk guxoi ta bëjë hapin e duhur në kohën e duhur? Disa u arsyetuan me “mos acarim”, disa se nuk kemi forcen e mjaftueshme, disa ndryshe. Po a nuk është pergjegjesi edhe e opozites dëmi i madh që iu shkaktua shtetit dhe qytetarëve?
Opozita u dorëzua vullnetarisht. Kapitulloi përballë një rreziku serioz shtetëror. Zbutja e saj përballë egërsisë së pushtetit nuk tregon vetëm frikë, paqartësi dhe mungesë koncepti, por hap edhe dyshime për hile politike dhe pazare të heshtura. Disa prej tyre e kishin ndihmuar direkt per te ardhe ne pushtet, dhe prap kane me u ba me te, se vetem per karrige persobale mendojne. Dhe ata qe ndejten urtë pushteti ka per t’i shpërblyer.
Me këtë sjellje, opozita krijoi kushtet që e bëjnë të domosdoshme lindjen e një opozite të re. Ata na ekspozuan me infantilizmin e tyre – të pavetëdijshëm apo të vetëdijshëm, pak rëndësi ka – dhe na detyruan të kuptojmë se koha obligon për rreshtime të reja politike.
Rezistenca popullore për mbrojtjen e jetës, shtetit dhe vendit nuk mund të delegohet më atyre qe nuk e justifikuan rolin opozitar. Qytetarët pritën, sepse opozita e kishte detyrë ta ndalonte të keqen. Por ajo heshti!
Sot është e qartë se jemi lënë në baltë nga opozita, kurse nga pushteti jane “grirë”! Prandaj, detyrimisht do të duhet t’i përvjelin vetë mëngët, e ta marrin situatën ne dorë, te reagojnë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
